Qëllohet makina e blinduar e “të fortit” të Shijakut, dëshmitari: Plumbat rikoshet përplaseshin gjithandej

Shqipëria

Qëllohet makina e blinduar e “të fortit” të Shijakut, dëshmitari: Plumbat rikoshet përplaseshin gjithandej

Më: 25 gusht 2017 Në ora: 19:37
Pamje nga sulmi

Atentat me breshëri automatiku makinës në të cilën udhëtonte “i forti” i Shijakut, Dashamir Gjoka dhe familja e tij.

Fatmirësisht “Benz”-i me të cilin lëviz ai është i blinduar, çka iu ka shpëtuar jetën. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në hyrje të Shijakut, pak metra larg bashkisë së këtij qyteti.

Persona ende të paidentifikuar nga policia kanë qëlluar me armë zjarri automatik të tipit kallashnikov në drejtim të automjetit, me të cilin ka qenë në lëvizje familja Gjoka, dhe më pas janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke humbur kësisoj edhe gjurmët.

Dëshmitari: Plumbat rikoshet përplaseshin gjithandej

Një dëshmitar në vendin e ngjarjes shprehet se ngjarja do të kishte marrë përmasa tragjike nëse do të kishte ndodhur në një orar tjetër dhe jo në mesditë.

“Unë po rrija në oborrin e banesës, nga ku shikohet rruga dhe vendi ku ndodhi atentati. Dëgjova të shtëna dhe ngrita kokën të shikoja se çfarë po ndodhte.

Një breshëri e gjatë automatiku dhe mbi dhjetë apo 12 plumba u derdhën mbi një automjet, që nuk e di kush ndodhej brenda. Tani e mora vesh nga televizori se në të ndodhej Dash Gjoka dhe vajzat e tij. Autori u largua me shpejtësi, ndërsa makina që ishte shënjestër lëvizi avash në drejtim të Shijakut. U trembëm shumë, pasi një pjesë e plumbave bënë rikoshet dhe përplaseshin çdokund, shkruan Panorama.

Do të kishte qenë tragjedi e madhe nëse në atë moment do të kishte lëvizje. Për fat ishte pisku i vapës dhe nuk kishte njerëz në rrugë. Nuk di çfarë të them, gjithçka ndodhi shumë shpejt. Sa u ngrita dhe dola në rrugë kishte përfunduar gjithçka, madje edhe makina që ishte objektivi kishte ikur”, u shpreh banori, i cili për shkak të specifikës së ngjarjes nuk deshi të identifikohej.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat