Këtë të dielë, kryeministri Edi Rama do të shpallë emrat e kabinetit të ri qeveritar i cili do të kryesohet plotësisht nga socialistët, të cilët arritën të fitojnë shumicën e nevojshme në zgjedhjet e 25 qershorit.
Emrat e ministrave të rinj pritet të jenë të shumtë, pasi ajo që tashmë është e ditur mbetet shumë pak në krahasim me atë që ende nuk është bërë publike. Kështu, kreu i Parlamentit pritet të jetë Gramoz Ruçi, ndërsa një emër tjetër i sigurt për një post kyç, është Fatmir Xhafaj, i cili pritet të vijojë punën e tij si Ministër i Brendshëm edhe për 4 vitet e ardhshme.
Këtë të dielë do të mbahet Asambleja Kombëtare e PS-së, e cila do të nisë në orën 10:00 të paradites, fillimisht për të diskutuar përfundimet e punës që Rama u ka ngarkuar disa deputetëve e ish ministrave të tij.
Më poshtë axhenda e asamblesë:
Çelja e punimeve do të bëhet nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryetari i Asamblesë, Gramoz Ruçi
Taulant Balla do të bëjë një raportim nga grupi i punës për veprimtarinë parlamentare
Milva Ekonomi do të paraqesë një raport për dëgjesat publike
Niko Peleshi do paraqesë një raport për ristrukturimin e institucioneve
Arben Ahmetaj do të paraqesë një raport për lehtësimin e procedurës burokratike
Blerina Gjylameti do të bëjë publike bilancin e zgjedhjeve dhe raportin për organizimin elektoral të PS
Kryeministri Edi Rama do të mbajë fjalën përmbyllëse ku do të bëjë dhe një bilanc të zgjedhjeve të qershorit dhe sfidat e 4 vjeçarit.