Qeveria e “rrudhur” e Ramës, këto janë betejat me të cilat do të përballet

Shqipëria

Qeveria e “rrudhur” e Ramës, këto janë betejat me të cilat do të përballet

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 28 gusht 2017 Në ora: 12:56
Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka prezantuar dje kabinetin e ardhshëm qeveritar, me të cilin do të drejtojë vendin në mandatin e tij të dytë pas zgjedhjeve të 25 qershorit.

Kabineti qeveritar ka pësuar një “rrudhje” në ministri nga 16 në 11, dy poste ministrore pa portofol dhe një zv.kryeministër, ndërsa gjysma e anëtarëve të ekzekutivit të ri do të jenë gra.

Kryeministri ka premtuar një qasje të re në raport me njerëzit, me opozitën si dhe ka premtuar bashkëpunimin me kreun demokrat Lulzim Basha.

Pas publikimit të emrave të rinj, pati shumë reagime nga kampi opozitar, duke thënë se qeveria ka dalë nga parat e drogës dhe krimit të organizuar si dhe ajo nuk do të përfaqësojë interesin e qytetarëve.

Kurse, analistët politikë vlerësojnë se përzgjedhja e ministrive ka qenë e pritshme, ndërsa reduktimi i tyre është hap i duhur i qeverisë Rama.

Kabinet reformator

Image
Afrim Krasniqi

Profesor Afrim Krasniqi, nga Instituti i Studimeve Politike të Tiranës,  ka thënë për “Bota sot” se përzgjedhja e ministrave nga ana e Kryeministrit ka qenë e pritshme.

Krasniqi është shprehur se në qeveri përveç  Majkos, i cili ka një post eksperimental, mungojnë personalitetet me ndikim publik dhe shumica e prurjeve të reja janë më shumë figura teknike sesa politike.

Sipas Krasniqit, dukshëm nuk kemi të bëjmë me një kabinet reformator, pasi nuk ka prurje reformatore, por kemi të bëjmë me një kabinet administrator, siç është edhe profili politik i vet Ramës.

“Ishte e pritshme përzgjedhja e kryeministrit. Midis një kabineti që do përfaqësonte qytetarët, PS-në dhe kryeministrin, ai ka zgjedhur të fundit. Është në përputhje me retorikën e tij elektorale se do të donte të kishte mazhorancën dhe të gjithë mundësinë për të qeverisur i vetëm dhe kabineti është pjesë e kësaj strategjie të tij. Në qeveri, me përjashtim të zotit Majko, i cili merr një post eksperimental, mungojnë personalitetet me ndikim publik, - shumica e prurjeve të reja janë më shumë figura teknike sesa politike. Madje gjen emra që për shkak të imazhit politik dhe përvojës së mëparshme negative nuk do duhej të ishin as pjesë e parlamentit, jo më në qeveri. A do përfaqësojë kabineti pritshmëritë qytetare? Në një vend si Shqipëri nuk janë ministrat ata që kanë rol thelbësor në vendimmarrje, por është kryeministri dhe mazhoranca në parlament. Ndaj nuk ka ndonjë ndikim të madh në cilësinë e qeverisjes. Dukshëm nuk kemi të bëjmë me një kabinet reformator, pasi nuk ka prurje reformatore, por kemi të bëjmë me një kabinet administrator, siç është edhe profili politik i vetë zotit Rama dje në bashki dhe prej 4 vitesh në qeveri. Nga ana tjetër, për vetë sistemin tonë zgjedhor, qytetarët nuk kanë votuar deputetët apo indirekt edhe ministrat, por kanë votuar partinë dhe liderin e saj, - ndaj në çdo rast përzgjedhja e kabinetit është në përputhje më këtë votim ashtu siç edhe përgjegjësia për suksesin apo dështimin e saj është gjithashtu përgjegjësi politike e kryeministrit dhe e partisë”, ka pohuar Krasniqi për “Bota sot”.

Model perëndimor

Image
Ilir Vata

Ndërsa, analisti politik Ilir Vata, qeverinë Rama e konsideron si model të një qeverisje të vogël, apo qeveri roje.

Sipas Vatës, qeveria Rama është në provën finale dhe kjo është një betejë e vërtetë e jetike për shqiptarët dhe vetë politikën e Kryeministrit.

“Qeveria Rama është një  model i qeverisë së vogël e konsideruar qeveria roje, apo në konceptin politik një qeverisje në shërbim të qytetarit me pak shpenzime. Është një model perëndimor i kësaj qeverisje që është  hasur në SHBA dhe Britani,  por që  tani me po zë vend edhe në Shqipëri. Kësaj radhe Rama është  në  provën finale  të objeksionit qeverisës, pasi ka përgjegjësinë e rritjes ekonomike, luftën kundër korrupsionit dhe sfidën e integrimit të Shqipërisë. Është një betejë e vërtetë dhe jetike për shqiptarët  dhe vetë politikën qeverisëse të kryeministrit Rama”, ka pohuar Vata.

Ndryshe, nga qeverisja e kaluar ku Kryeministri Rama kishte shtuar numrin e ministrive, tani është reduktuar ky numër.

Kabineti qeveritar, ka reduktuar numrin e ministrive në 11, dy poste ministrore pa portofol dhe një zv.kryeministër.

Analistët politikë, e shohin me pozitivitet këtë, duke shtuar se edhe ky numër mund të reduktohej.

Betejat e Qeverisë Rama

Sipas profesorit Afrim Krasniqi, kabineti Rama në këtë pikë i ngjason kabinetit Berisha 2005.

Ai e sheh me pozitivitet këtë reduktim të ministrive.

“E shoh me pozitivitet reduktimin e ministrive, madje mund të kishte reduktime të tjera. Shqipëria me 2 milion banorë efektivë nuk mund të ketë aq shumë ministra sa ka pasur në të kaluarën. Kabineti Rama në këtë pikë i ngjason kabinetit Berisha 2005, me numër të reduktuar ministrash, - dhe sfida e tij kryesore do të jetë nëse muajt e vitin e ardhshëm do ti kalojnë duke eksperimentuar apo duke arritur të reduktimin e ministrive ta shndërrojnë në reduktim të burokracisë, të shpenzimeve fiktive dhe në forcë për mirëqeverisje. Sot në fakt më shumë se emrat e përveshëm prisja piketat e qeverisjes së ardhshme, gjë që nuk ndodhi. Pati shumë retorikë, pothuajse asgjë konkrete, një shou tipik për partitë shqiptare prej kohës kur ato janë bërë paradoksalisht gjithnjë e më të paprekshme, më të pushtetshme dhe më elektorale”, ka pohuar Krasniqi.

Njëjtë ka pohuar edhe analisti Ilir Vata, duke thënë se reduktimi i ministrive është zgjidhja e duhur që ka bërë Rama.

Sipas Vatës, qeveria e Ramës ka një betejë përpara dhe kjo është reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit

“Qeveria e “rrudhur”  është  një  përqendrim dinamik në sfidat qeverisëse, është zgjidhja e duhur që  ka bërë  Rama, apo një fillim i mbarë.  Qeveria Rama ka një betejë përpara, çuarjen përpara të reformës në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit, sfidë e cila duhet fituar sepse shqiptaret presin sepse kauza e drejtësisë e solli në pushtet Ramën dhe nëse se realizon, mund të themi se është  një karrierë e mbyllur politike për të. Shqiptarët kanë ende besim te Rama në këtë betejë  sfidash,  por qeveria e vogël është një fillim i mbarë”,  ka theksuar Vata.

“Zhdukja” e Ministrisë së Integrimeve

Kabineti qeveritar i ri, do të ketë mungesë ministrinë e Integrimeve e cila përflitet se do të njësohet në ministrinë e Jashtme. Mungesa e kësaj ministrie, ka sjellë reagime të shumta duke thënë se qeveria e re e votave të drogës zëvendësoi integrimin evropian.

Analistët kanë vlerësuar se nuk ka ndonjë problematikë edhe nëse është bërë njësimi  i saj me Ministrinë e Jashtme.

Sipas Krasniqit, kjo ministri ka qenë më shumë një strukturë përkthimi, sesa një strukturë që prodhonte politikë.

“Ministria e Integrimit ka qenë zgjidhje e sforcuar prej gati 15 vitesh, pa ndonjë funksion real në çështjet e integrimit. Ka qenë më shumë një strukturë përkthimi sesa një strukturë që prodhonte politikë. Ndaj nuk e shoh problematike njësimin e saj me Ministrinë e Jashtme, siç ka qenë edhe më parë, por e shoh problematika faktin se asnjë parti vendimmarrëse në Shqipëri, përfshirë PS, nuk e kanë më integrimin prioritet, madje e shohin atë si kërcënim ndaj mënyrës jodemokratike sesi partitë dhe politika vepron në Shqipëri, sidomos në abuzimet me pushtetin dhe paaftësinë për reforma. Një afrim me BE do të sillte prezencë më të madhe të Brukselit në monitorimin e vendimmarrjes dhe qeverisjes në Shqipëri, gjë që politikanët nuk e duan, ndaj edhe shpeshherë në vend të retorikës për integrimin ata flasin me një gjuhë kritike ndaj BE, duke përdorur si alibi sovranitetin apo problematikat brenda vetë BE-së”, ka deklaruar Krasniqi për “Bota sot”.

Kurse, Vata e quan këtë ministri si dikaster që ka ekzistuar formalisht.

“Ndërsa, për sa i përket ministrisë  së Integrimit është  një dikaster që ka ekzistuar formalisht, pasi paketa evropiane është një dimension i gjerë  që  vetë  qeverisë edhe një  institucioni që ka si orientues integrimin në BE”, ka përfunduar Vata për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat