Tatimet, biznesit: Kujdes kur regjistroni të dhënat në kasë, ja hapat për korrigjimin

Shqipëria

Tatimet, biznesit: Kujdes kur regjistroni të dhënat në kasë, ja hapat për korrigjimin

Më: 1 shtator 2017 Në ora: 15:33
Ilustrim

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e ka nisur shtatorin me një kujtesë për biznesin që lidhet me regjistrimin e të dhënave në pajisjet fiskale. 

Sipas Tatimeve çdo vlerë e pasaktë si pasojë e shtypjes gabim të vlerave për mallrat mund të reflektojë një qarkullim joreal që ngarkon biznesin me përgjegjësi tatimore të ndryshme por edhe e ekspozon atë ndaj kontrolleve.

Për çdo rast gabimi, Tatimet sqarojnë se janë disa hapa që biznesi duhet të ndjekë për të korrigjuar vlerën.

Hapat që duhen të ndiqen

Kujdes në regjistrimin e të dhënave në pajisjen fiskale

Tatimpagues,

Nga të dhënat e nxjerra prej sistemit të monitorimit të pajisjeve fiskale, rezultojnë raste, kur nga shitësit regjistrohen vlera të pasakta, rrjedhur prej shtypjes gabim të vlerave të mallrave të shitura. Parregullsitë e kësaj natyre, shoqërohen me evidentimin e qarkullimit jo real, pasuar me dhënien e një tjetër përgjegjësie tatimore, bërjen objekt të një kontrolli tatimor, etj.

Mbajtja saktë e të dhënave është detyrim për çdo tatimpagues, ndaj në çdo veprim që do të bëhet me anë të pajisjes fiskale, tregohuni të kujdesshëm.

Njëkohësisht, kujtojmë që për të tilla gabime:

Tatimpaguesi duhet të njoftojë Drejtorinë Tatimore Rajonale ku është i regjistruar, me një procesverbal mbajtur nga ai vetë (shkarkohet nga faqja DPT).

Pas kësaj ai do të vazhdojë të raportojë shitjet, raportime të cilat do të vazhdojnë të regjistrojnë në vazhdimësi edhe këtë gabim.

Pas korrigjimit të gabimit nga Administrata Tatimore, tatimpaguesi do të vazhdojë raportimin e shitjeve, pra shifra e raportuar do të korrigjohet për të treguar xhiron reale.

Kujdes! Mosnjoftimi i gabimit në regjistrim është përgjegjësi e tatimpaguesit dhe konsiderohet shitje nga ana e tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat