Majlinda Bregu vjen me lajme të reja, çfarë pritet të ndodhë në shtator

Shqipëria

Majlinda Bregu vjen me lajme të reja, çfarë pritet të ndodhë në shtator

Më: 3 shtator 2017 Në ora: 14:51
Majlinda Bregu

Ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu ka njoftuar se në shtator do të nisë viti i dytë i shkollës Verore Europiane që do të zhvillojë punimet përgjatë 5 ditëve pranë Kryesisë së Kuvendit.

Pasi u la jashtë listave të Partisë Demokratike, duke mos qenë më deputetet në parlamentin që nisë në shtator, Bregu shprehet se shkolla në fjalë do të ndihmojë të zgjojë të rinjtë shqiptarë nga gjumi.

Në panelin e ditës së parë do të marrin pjesë Majlinda Bregu, ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, drejtuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të procesit të Vettingut, njëkohësisht përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor në drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Europian, Genoveva Ruiz Calavera, si dhe zv/kryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Taulant Balla.

Për të dytin vit, Shkolla Verore Evropiane, i ofron mundësinë 40 pjesëmarrësve, përfaqësues të administratës publike, në nivel qendror dhe lokal, përfaqësues të shoqërisë civile, botës akademike dhe medias,  të trajnohen nga lektorë ndërkombëtarë si dhe të bashkëbisedojnë mbi arritjet dhe sfidat kryesore të procesit të integrimit.

Statusi i Bregut:

Kur Jean Monnet tha: "Asgjë nuk është e mundur pa njerëz, asgjë nuk

zgjat pa institucione,- nuk kishte si t'i merrte me mend dilemat, gabimet

dhe rreziqet që kërcënojnë sot projektin europian.

Për këdo që ka punuar dhe është marrë me andrallat e kësaj përpjekje, përfshirë mua nuk besoj ka qenë aq e qashtër vetëdija për grackat e kësaj rruge.

Mua m'u deshën per shembull disa vite për të kuptuar mungesën e dukshme të shqetësimit ndër ne,vendimmarrësit, për problemin e vërtetë që kemi me rrugëtimin tonë Europian: Ne duam të jemi në Europë, por e kemi kaq të zorshme të investojmë pandërprerje e palakuar që kjo, të paktën për sa na takon ne, të jetë e patëmetë!

Dhe për të qënë e tillë, do këmbëngulje, metodologji, dhe nerva të forta.

Eksperienca më mësoi gjithashtu, sa nevojën për të ruajtur të pandryshuar vullnetin politik pro europian, po aq dhe rëndësinë e rendit të duhur të punëve, asnjëherë të mbaruara tërësisht për një proçes kaq "të ngeshëm", si ky i Integrimit Evropian.

Thënë këtë dhe meqë një sfidë çon në një tjetër, ndjehem mirë që në një kohë

kaq të shkurtër dhe jo aq të lehtë, kemi arritur të ngremë dhe organizojmë Shkollën Verore Evropiane,si një iniciativë e Këshillit

Kombëtar të Integrimit Evropian.

Edhe pse ky është viti i dytë, përpjekja për të përmirësuar dhe zgjeruar më tej rrezen e kësaj nxënie, ka qenë edhe më e madhe. Edhe më e lodhshme po të doni.

Shpresoj që kjo Shkollë do të vazhdojë t'i ndihmojë të përgjumurit që të zgjohen, edhe si një përpjekje e parë institucionale për të forcuar kapacitetet e të gjithë aktorëve në këtë proçes.

Janë institucionet ato që zgjasin, por pa njerëzit e duhur, nuk bëhet asgjë.

Nëse Jean Monnet do të na shihte sot, jam besimplotë se do të ishte "i lumtur"me dozën tonë të idealizmit pragmatik lidhur me BE e sotme 

Fillojmë nesër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat