Qeveria “luftë” me Akademinë – rizgjidhet Beqiraj, Rama u pret fondet

Shqipëria

Qeveria “luftë” me Akademinë – rizgjidhet Beqiraj, Rama u pret fondet

Më: 4 shtator 2017 Në ora: 17:09
Edi Rama

Gudar Beqiraj është sërish kryetar i Akademisë së Shkencave. Me 28 vota pro dhe 3 kundër anëtarët e Asamblesë zgjodhën Beqirajn si kryetarin e ri, i cili më herët mbante postin e zv.kryetarit.

Duket si një rokadë ajo mes dy posteve kryesore në këtë institucion pasi ish-kryetari Muzafer Korkuti tanimë do të mbajë postin e numrit dy të këtij institucioni.

Pak minuta para fillimit te procesit të cilin e quajti farsë, kryeministri Edi Rama reagoi duke paralajmëruar një përplasje finale me Akademinë e Shkencave.

“Nëse Akademia e Shkencave nuk reformohet nuk do të marrë asnjë qindarkë nga buxheti i shtetit”, shkruante Rama.

Kreu i qeverisë e ka parë të domosdoshëm ndryshimin në këtë institucion. Ai ka shkuar me tej duke thënë se do t’i merret edhe godina Akademisë nëse nuk reformohet.

Por pak minuta pas rizgjedhjes i pyetur për reformën në Akademi, kryetari i ri tha se institutet nën varësinë e saj janë ato që do të sjellin reformën.

“Duke patur parasysh eksperiencën e madhe që kam në Akademinë e Shkencave jam plotësisht dakord e të jemi bashkëpunues me qeverinë për të realizuar reformën e me siguri kjo reformë do e çojë Akademinë përpara. Akademia duhet të ketë institucionet e saj e me këtë Akademia do të ndihet vivaçe, e gjallë, e tillë që të ketë produkt. Akademia e Shkencave duhet të jetë produktive për të realizuar detyra të ndryshme që ka qeveria shqiptare për ekonominë”, tha Beqiraj.

Por duket se Beqiraj nuk do ta ketë jetën e lehtë në karrierën e rinisur të hënën si kryetar i Akademisë. Menjëherë pas publikimit të rezultatit, kryeministri deklaroi realizimin e asaj që kishte premtuar pak orë më parë: ndërprerjen e menjëhershme të fondeve për Akademinë e Shkencave.

Kreu i akademisë iu shmang komenteve për kryeministrin, por burime brenda saj i thane Top Channel, se derisa nuk kanë marrë asnjë shkresë zyrtare ku t’i njoftohet vendimi i prerjes së fondeve, Akademia do të vazhdonte punën. Së paku deri në janar 2018, në pritje të miratimit të buxhetit të ri të qeverisë. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat