Gramoz Ruçi zgjidhet kryetar i Kuvendit shqiptar

Shqipëria

Gramoz Ruçi zgjidhet kryetar i Kuvendit shqiptar

Më: 9 shtator 2017 Në ora: 18:56
Gramoz Ruçi

(E plotësuar) - Gramoz Ruçi, deputet i Partisë Socialiste, u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, në seancën e kësaj të shtune qe konstituoi parlamentin e ri me deputetët e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit.

Me 80 vota pro, 40 kundër, asnjë abstenim dhe 1 të pavlefshme, Ruci do të drejtojë për 4 vjet Kuvendin e Shqipërisë. 

Ruçi erdhi si kandidaturë e Partisë Socialiste, dhe ashtu sic kishin deklaruar me heret edhe publikisht, mori voten kunder të Partisë Demokratike. 

Ndërsa 19 deputetët te Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk moren pjese ne votim. Nje surprize kjo, pasi publikisht, kreu i grupit parlamentar te LSI-se Petrit Vasili tha se vota e kesaj partie do te jete kunder.

***

Të parët që mbërritën këtë të shtunë në Parlament, për seancën e parë të legjislaturës së re, ishin socialistët. Në portretet e tyre nuk fshihej dot entuziasmi i fitores vetëm të një partie pas 25 vjetësh. 

Pas tyre mbërritën deputetët e LSI, partia që fitoi më shumë mandate se katër vite më parë, madje jashtë koalicionit, por pa mundur për herë të parë në 12 vjet të kushtëzojnë rotacionin politik në vend. 

Të tkurrur në numër, por të organizuar e me disiplinë mbërritën deputetët e Partisë Demokratike. Më shumë se gjysma e ligjvënësve janë të rinj, por optimizmin më të lartë e shprehu deputeti më i vjetër. 

“Është gjë e mirë që kryetari i Parlamentit është deputet”, tha ish-kryetari i PD, Sali Berisha. 

Seanca u hap nga socialisti Besnik Baraj. Ashtu si në Bibël, tre herë drejtimi u mohua nga tre deputetë. Dy ish-kryetarë të PD, Berisha dhe Shehu e më pas edhe nga Ruçi, i cili pasdite pritet të ulet në karriken kryesore të sallës, jo më për një seancë por për të ndenjur aty katër vjet. 

“I uroj këtij Parlamenti që të krijojë besimin se interesat e vendit janë mbi gjithçka, përfshirë ato personale e partiake”, tha Baraj në fjalën e tij. 

Proçedurat standard kaluan shpejt, nga leximi i emrave të deputetëve deri te ngritja e komisionit të verifikimit. Lulzim Basha, ashtu si Neritan Ceka 26 vjet më parë, kërkoi të prishte rutinën e të fliste. I refuzuar, ai u tërhoq mes batutash. 

Taulant Balla i sugjeroi Berishës t’i mësojë deputetëve të rinj rregullat e sallës. Një aludim ky ndaj Lulzim Bashës. Në fund të fundit, Berisha duket se ka ende se çfarë t’i mësojë pasuesit të tij.

"Sepse i kërkova fjalën unë do ta merrni vesh seancën e pasdites”, tha shkurt Basha për mediat. 

Edi Paloka, karriera e të cilit nisi 26 vjet më parë si gazetar i “Rilindjes Demokratike”, tashmë do të kulmojë në karriken direkt poshtë Gramoz Ruçit, ndaj të cilit dikur shkruante kundër gjatë procesit të dy prillit. 26 vjet më vonë, sërish vota e Palokës është kundër tij. 

“Ne do votojmë kundër Gramoz Ruçit dhe nëse ai do të dalë me votat e PS ne do t’i bashkohemi protestës së të përndjekurve dhe qytetarëve. Është një reagim që lidhet edhe me rezultatin e zgjedhjeve”, tha Paloka. 

Por vota pro zotit Ruçi pasdite pritet të ndikohet edhe nga çështja çame. “Ne kemi edhe pjesën e çështjes çame dhe asaj kombëtare. Nëse bëhen këto gjëra, pse jo do ta mbështesim”, tha deputeti Aqif Rakipi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat