Pas miratimit në Parlament të kabinetit qeveritar, ministrat pritet të bëjnë betimin e tre pranë Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
Kreu i Shtetit ka mbërritur në selinë e Presidencës, ndërsa ceremonia pritet të zhvillohet në orën 17:00.
Kabineti i ri qeveritar ka 14 ministra, shumë më i vogël në numër se kabineti i shkuar i qeverisë “Rama 1”.
Ndërkohë, është zbardhur edhe rendi i ditës i mbledhjes së parë të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Ashtu sikurse është paralajmëruar më herët nga vetë Rama, vendimi i parë do të jetë shpallja e vitit 2018 si vit i Skënderbeut, ku edhe do të ngrihet një komision i posaçëm.
Gjithashtu, do të miratohet procedura e përzgjedhjes së kandidatëve të komisionit të prokurimit publik, do të miratohen rregullat për përfitimin e shërbimeve publike elektronike, si dhe dhënia e dy godinave për ngritjen e organeve të reja të Vettingut.