"Rama gati për pjesën e dytë të dramës me shqiptarët ", Kokëdhima analizon kryeministrin

Shqipëria

"Rama gati për pjesën e dytë të dramës me shqiptarët ", Kokëdhima analizon kryeministrin

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 14:32
Kryetari i ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima

Kryetari i ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, në një reagim në profilin e tij në Facebook, akuzoi qeverinë e re të Edi Ramës se e nisi mandatin me abuzime që në mbledhjen e parë.

Duke komentuar vendimet për shpalljen e vitit të Skënderbeut, për certifikatat online dhe zyrat e reja të ministrive, Kokëdhima tha se kjo qeveri, si e kaluara e Ramës do të jetë për festa, tendera dhe luks, por jo për popullin.

Reagimi i Koço Kokëdhimës

Të dashur miq! Qeveria “Rama” dje pasdite bëri mbledhjen e parë të saj. Ashtu si katër vite më parë ajo tregoi se do të jetë qeveria e festave, patriotizmit fals, tenderave, luksit qeveritar dhe jo qeveri e punës dhe e zhvillimit të vendit.

Katër vite më parë “Rama 1” e nisi punën me ngritjen lart nëpër zyra të portretit të Ismail Qemalit dhe pastaj ia njollosi figurën e vendit që ai kishte shpallur të pavarur mëse një shekull më parë, si më të korruptuarin dhe më trafikantin në Europë.

Tani “Rama 2” shpall vitin e Skënderbeut. Jo se i ha barku për të. Do të bëjë një komision shtetëror, ku do të përfshihet edhe Kosova, për festa, që nënkuptojnë tendera dhe fonde publike që nuk dihet se ku do të shkojnë, siç bëri Saliu me 100-vjetorin  e pavarësisë 5 vite më parë. Tani, pasi ja kanë marrë shpirtin popullit dhe i kanë kaluar taksat për banesën, gjelbërimin dhe pastrimin në faturat e ujit dhe të energjisë, do të fusë çertifikatën elektronike, duke e shitur si ndihmë të madhe për qytetarët e shtrydhur nëpër sportelet e zyrave të administratës shtetërore. Urgjenca kryesore e qeverisë së vjetër, në mandatin e dytë, janë zyrat e reja të ministrave dhe të drejtorëve. 

Taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë sërish për luksin qeveritar, transferimin, bashkimin dhe arredimin e selive të reja të ministrive të qeverisë më të papunë të globit.
Sot kryeministri i ftoi ministrat dhe deputetët e Rilindjes që të dhurojnë gjak për të rregulluar imazhin e qeverisë së tij që i ka dalë nami si gjakpirëse e popullit. Kjo nuk është çështje nami.

Populli nuk ekziston, siç nuk ka ekzistuar, katër vitet e kaluar, për këtë kryeministër. Ai është i vendosur si përbuzës i nevojave bazike të shtetasve shqiptarë, të cilët në vitin 2017, vuajnë për ujë të pijshëm dhe energji, për një vend pune, për shërbim human mjekësor, për rrugë, për daljen nga skamja dhe varfëria ku e kanë zhytur qeveritë e tranzicionit dhe për realizimin e ëndrrës së integrimit europian.

Kjo do të jetë pjesa e dytë e dramës që po luan me shqiptarët një kryeministër mitoman, që kapet pas figurave të ndritura të historisë shqiptare, për t’i njollosur ata me zullumet që i bën vendit, me vetëdije. Figura e Skënderbeut i takon mesjetës dhe ai është në panteonin e ndritur të historisë, atje ku politikanët e sotëm s’do të kenë kurrë fatin të hyjnë. Shqiptarët sot kanë plot halle, më shumë se çdo komb tjetër në rajon dhe në Europë. Janë populli më i keqqeverisur dhe më i përbuzuar nga pushtetarët. Atyre duhet t’u kthehet me urgjencë e drejta e votës, e drejta për të jetuar me dinjitet dhe për zgjedhur vetë njerëzit më të mirë në krye. Jo sharlatanë dhe mitomanë që kacavirren pas figurave të larta të historisë, kur e kanë vendin në gjirizet e saj.

ZGJIDHJA i thotë sërish qeverisë së tutkunëve dhe kryeministrit më të paaftë të botës që të merren me hallet dhe problemet e shumta të shqiptarëve. Shqipëria është prona jonë e përbashkët. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë me të, siç ka abuzuar dhe po abuzon kjo qeveri që në mbledhjen e parë. ZgjidhjaPër Mirëqeverisje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat