Rama: Një gjë me vlerë ka bërë në jetën e tij politike Lulzim Basha!

Shqipëria

Rama: Një gjë me vlerë ka bërë në jetën e tij politike Lulzim Basha!

Më: 14 shtator 2017 Në ora: 22:30
Rama dhe Basha

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në emisionin Top Story se kundërshtari i tij politik ka bërë vetëm diçka pozitive në jetën e tij politike.

Edi Rama ka deklaruar se i vetmi akt politik i mirë i Lulzim Bashës, ka qenë marrëveshja e 18 majit. Sipas kryeministrit, pakti që ai arriti me kryedemokratin bëri të mundur që në Shqipëri, zgjedhjet të kishin një standart që nuk kanë patur kurrë më parë.

"Nëse Lulzim Basha ka bvërë ndonjë gjë me vlerë në jetën e tij politike, ka qenë pikërisht ajo marrëveshje politike."-tha Rama.

PJESË NGA INTERVISTA:

Sokol Balla: Vendimet e para ishin vendime që nuk mund t’i shmangin pyetjet, morët vendim për Skënderbeun, për certifikatat dhe dy vendime të tjera, një i dhatë zyrë Bujar Nishanit dhe kompensuat pallatin që prishët në Vlorë, ku aksionerë janë të afërm të kryetarit të opozitës.

Edi Rama: Kjo e dyta është e pavërtetë dhe më vjen keq që kazani mediatik prodhoi një tjetër brockull. E vërteta është ndryshe. Ne kemi ndërmarrë një proces normal shpronësimi në kohën kur u zhvillua gjithë ajo zallahia për prishjen e asaj godine. Shifra është kontestuar nga pala e dëmtuar. Kontestimi i palës ka rënë në duart e një gjykatësi që është shumë i njohur për vendime skandaloze rritjesh të çmimeve të shpronësimeve të qeverisë, që ka arritur në pikën që të japë një vendim ekzemplar duke ndaluar shpronësimin për interes publik të një karburanti mu në aksin e Lungomares në Vlorë. Ky gjykatës ka katërfishuar vlerën e shpronësimit dhe procesi vazhdon në gjykatën e lartë. Nuk është lëvruar asnjë para sepse procesi vazhdon. Ky akt është krejtësisht në kundërshtim me cdo sens logjik dhe ligjor. Pala ka shkuar në Strasburg dhe atje është ankuar që nuk po na japin paratë, ndërkohë që nuk ka përfunduar procesi. Sa i takon bujar nishanit, ne kemi vendosur një standard që shërbimet qeveritare u ofrojnë një shërbim minimal ish-presidentëve të republikës. Ata kanë një godinë pranë ish-zërit të popullit dhe prej kohësh këtë shërbim minimal që shteti u ofron, qoftë Moisiut dhe mejdanit e kanë. Këtë ja kemi ofruar edhe ish-presidentit nishani. Këtu përfundon historia.

Sokol Balla: Ndërkohë që ruci i ndërpreu fjalën Berishës, ju transmetonit fjalën e Lulzim bashës në facebookun tuaj. Keni një ide të qartë se me kë doni të komunikoni nga ana e opozitës.

Edi Rama: Në ERTV i është transmetuar fjala e plotë kur ka nisur çadrën. Së dyti ERTV është një projekt në zhvillim dhe do të ketë të reja të tjera. Së treti, Basha është kryetar i opozitës, pavarësisht se Berisha është lider legjendar, që i tepron atyre që e shohin të tillë akoma. Të tjerëve nuk ka asnjë arsye pse tu marrësh kohë duke nxjerrë liderin legjendar.

Sokol Balla: Dy partitë kryesore të opozitës duket se kanë hedhur bazat e një bashkëpunimi. Po shkojnë drejt një bashkëpunimi që mund të prodhojë marrëveshje. A ju shqetëson kjo? Dhe a ka vdekur marrëveshja juaj me Bashën?

Edi Rama: Më shqetëson vetëm sesi t;u kthejmë njerëzve pas investimin që ata bënë më 25 qershor. Ky është i vetmi shqetësim sepse na kanë dhënë një përgjegjësi të jashtëzakonshme dhe jemi të sfiduar që të jemi në lartësinë e kësaj përgjegjësie dhe kjo nuk varet as nga PD, as nga opozita pas kurrizit të PD, as nga lideri legjendar dhe as nga shumë të tjerë, varet vetëm nga ne.

Sokol Balla: Ndër shqetësimet e shqiptarëve është edhe rritja e cilësisë së procesit zgjedhor. Në marrëveshje e kishit që do të nisnit punën ditën e parë të legjislaturës së re do të nisë puna për reformën zgjedhore.

Edi Rama: Ajo që unë dua të përsëris që marrëveshja nuk është marrëveshje, nuk ka qenë dhe nuk duhet të jetë marrëveshje mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Marrëveshja në këndvështrimin tim i duhet këtij vendi për të hyrë me një shpejtësi të re në raport me ambiciet dhe nevojat që kanë njerëzit e këtij vendi. është një marrëveshje, ku të gjitha palët vetëm fitojnë dhe asnjë palë nuk humbet, ndërkohë që nga konflikti, sherri, fyerjet dhe sharjet Shqipëria humbet dhe mes palëve humbet më shumë ai që i fryn më shumë asaj politike. 25 qershori e tregoi që nuk japin shqiptarët votë me atë lloj politike. Nëse do të nisesha nga interesi i ngushtë politik, kjo do të ishte gjëja më mirë që të kishim përballë një opozitë që vetëm shan dhe vetëm hedh mllef e helm, që është komplet jashtë realitetit të shqetësimeve reale të shqiptarëve. Nuk ka shans që njerëzit të vënë gishtin dhe të thonë që këta na duhen për të qeverisur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat