Sondazhi me bizneset borxhlie te tatimet, 70% nuk kanë mundësi të paguajnë

Shqipëria

Sondazhi me bizneset borxhlie te tatimet, 70% nuk kanë mundësi të paguajnë

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 08:13
Sondazhi

Sondazhi i Qendrës së Kërkimeve Monitor me subjektet që rezultojnë debitorë tek Tatimet. Arsyet se pse bizneset kanë krijuar borxhe dhe a kanë mundësi për t’i paguar. 

Dëmi moral i amnistisë dhe “arratisja” e borxhlinjve…

Indrit Veseli, tregtar prej më shumë se 15 vjet, ka operuar si pikë shumice pranë Qytetit të Nxënësve në Tiranë. Indriti është një prej subjekteve debitorë të listës së tatimpaguesve me detyrime tatimore të papaguara, të përditësuar së fundmi nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Me një total prej 620 mijë lekësh për t’i paguar Tatimeve, ai thotë se e shikon të pamundur që të bëjë shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit. Megjithëse ai ishte një prej përfituesve ndaj ligjit të “Fshirjes së detyrimeve”, falë të cilit iu fshinë të gjithë kamatëvonesat, nuk mundet që të kryejë pagesën e principalit. Veseli, si tregtar i vjetër, pohon se puna nuk është më si më parë, konsumi ka rënë, konkurrenca është rritur dhe struktura e tregut ka ndryshuar shumë. “Po shkoj drejt mbylljes”, – thotë ai për Monitor, i pyetur nëse do ta paguajë detyrimin e pashlyer.

Dashamir Bakiu, gjithashtu pjesë e të intervistuarve të Monitor, tregon se shkak për mospagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore u bë rritja e këtyre të fundit.

“Në total kam për të paguar 25,000 lekë detyrime, ku përfshihen sigurimet dhe taksat e bashkisë. Këtë muaj nuk kam pasur para, pasi edhe pagesa e sigurimeve shoqërore ishte rritur pak, për shkak të ndryshimit të pagës minimale”, – tha zoti Bakiu, debitor në Drejtorinë Rajonale të Beratit.
Debitore e Drejtorisë Rajonale të Durrësit, Engjëllushe Gjana, tregon se shkak për mospagimin e detyrimeve u bë rënia e punës. “Nuk kam me çfarë t’i paguaj”, – përgjigjet ajo. Nëse do të kem pak më shumë punë, e para që do të bëj është mbyllja e detyrimeve te Tatimet.

Paaftësia paguese ishte arsye edhe për Rudi Zogolli, i cili së bashku me të shoqen, ka një gjellëtore pranë gjimnazit “Partizani” në Tiranë. Të pyetur nga Monitor për llojin e detyrimit dhe arsyen se pse nuk kishin mundur ta paguanin, Rudi tregoi se puna gjatë sezonit veror kishte rënë ndjeshëm. Ai tha se kishte pa paguar ndaj Tatimeve detyrimin e gjashtë muajve të sigurimeve shoqërore dhe tatimin në burim për dy muaj.
“Shpresoj që me hyrjen e muajit shtator të rritet pak dhe puna”, – tha për Monitor, Rudi Zogolli.

Subjektet e mësipërme ishin pjesë e të intervistuarve të sondazhit të tretë të kryer nga Qendra e Kërkimeve Monitor. Në dy sondazhet e para janë anketuar subjektet që kishim mbyllur aktivitetin dhe kishin kaluar në status pasiv, 70% e të cilëve deklaruan si arsye kryesore krizën.
Nga lista me 18,540 subjekte debitorë e publikuar nga Tatimet, u anketua, me përzgjedhje rastësore një kampion prej 180 biznesesh, të cilët u pyetën mbi llojin e detyrimit që kishin, arsyen përse nuk ishte paguar detyrimi dhe në rast se kishin mundësi ta paguanin atë në një periudhë të afërt. Subjektet e anketuara ishin nga të gjitha rrethet në bazë të peshës përkatëse të subjekteve debitorë. Në anketim nuk u përfshinë subjektet tatimpaguese të mëdha, të ashtuquajtura biznese VIP.

Rezultatet e sondazhit, 70% nuk kanë pasur mundësi të paguajnë
Vetëm gjysma e subjekteve të kontaktuara ishin në dijeni të detyrimit që kishin ndaj Tatimeve, 27% e subjekteve të intervistuara nuk kishin në dijeni që kishin ndonjë detyrim, ndërsa 23% e subjekteve nuk kanë të sakta të dhënat në ekstraktin e shkarkuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit (ndonëse u konstatua që shumë prej tyre kishin urdhra bllokimi), disa ishin subjekte në pronësi të shtetasve italianë, për të cilët nuk ka më informacion se ku ndodhen, ndërsa disa të tjerë ishin larguar fare nga vendi.

Sipas rezultateve të sondazhit, pamundësia ishte arsyeja e mospagimit të detyrimit për 70% të subjekteve debitorë, 10% e tyre deklaruan se ishin në proces gjyqësor ose në proces ankimi te Tatimet dhe 20% refuzojnë që të paguajnë borxhin dhe të japin arsye për mospagimin e detyrimeve.
Të dhënat e sondazhit janë në një linjë me atë të dy anketimeve të mëparshme të Monitor, ku 70% e subjekteve që mbylleshin pranuan se arsyeja kryesore ishte rënia e shitjeve si pasojë e krizës, ose shtimit të konkurrencës.

Borxhi tatimor

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Tatimeve, detyrimi aktual i subjekteve me barrë hipotekore, që bizneset i kanë shtetit, është 78 miliardë lekë.
Peshën më të madhe në vlerën e detyrimeve e zënë subjektet e Drejtorisë Rajonale të Tatimpaguesve të Mëdhenj, 38%, më pas vjen Drejtoria e Tiranës, e cila në fakt ka një numër absolutisht më të madh të tatimpaguesve, me 35,6%, Durrësi rreth 5%.

Sipas të dhënave të fundit të Tatimeve, nga procesi aktual i fshirjes së detyrimeve të prapambetura, janë 14,6 miliardë lekë detyrime të prapambetura e të falura, të krijuara para vitit 2010 (sipas ligjit të faljes, detyrimet deri në vitin 2010 fshihen pa kushte 100%), ku rreth 37% e tyre janë administruar në Drejtorinë Rajonale Tatimore të Tiranës (shiko në vijim intervistën e plotë të Tatimeve).

Bllokim i llogarive bankare
Abdulla Sinani, administrator në një firmë ndërtimi, tregon se bllokimi i llogarive bankare nga Tatimet ka filluar t’i bllokojë dhe punën.

“Më kanë bllokuar llogaritë bankare. Nuk më shlyejnë klientët që kam dhe prej mungesës së likuiditetit nuk kam mbyllur detyrimet që kam ndaj shtetit, tha zoti Abdulla Sinani. Detyrimi që kam përllogaritet rreth 300 mijë lekë”.

Ramazan Veseli, administrator i kompanisë “K****”, subjekt debitor në Drejtorinë Rajonale të Dibrës, tregon se të gjitha llogaritë bankare iu bllokuan pa marrë asnjë lajmërim nga Tatimet.

Ai thotë se ka lidhur kontratë dhe paguan me këste detyrimin e papaguar, që kap vlerën e 400 mijë lekëve.
Llogaritë bankare vazhdonin të ishin të bllokuara edhe për Shkëlqim Kazazin, i cili tha se pagoi menjëherë detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të cilat nuk i kishte paguar prej kohësh, por nuk ishte reflektuar pagesa në sistem.

“Bëra pagesën cash të menjëhershme për 240 mijë lekë, mirë po nuk është reflektuar ende nga sistemi. Mua kjo më ka prishur shumë punë dhe nuk kryej dot asnjë transaksion bankar pasi më bllokojnë llogaritë”.

Sipas të dhënave nga Tatimet, nga raporti vjetor 2016, në 47% të rasteve të pagesave të detyrimeve janë kryer pas urdhër-bllokimit të llogarive bankare, ndërsa 34% pas njoftimit dhe kërkesës për të paguar, duke rezultuar si masë më pak efektive për mbledhjen e borxhit tatimor.

Krizë likuiditeti
Vonesa e klientëve është bërë shkak për mospagimin e detyrimit edhe për administratorin e kompanisë së fasonerisë “R***”, e cila operon në Durrës.
“Ne jemi të rinj në këtë industri. Klientët na paguajnë për porosi 90 ditë më vonë. Kur të më paguajnë do t’i likuidoj detyrimet dhe kamatëvonesat, ndërkohë që shpreson që të mos i bllokohen llogaritë për të mos vonuar pagat e punonjësve.”

Bizneset janë larguar në drejtim të paditur…
Gjatë sondazhit, një pjesë e mirë e subjekteve në listën e publikuar nga Tatimet nuk kanë përditësuar të dhënat e kontaktit. Shpesh pas telefonit përgjigjeshin individë që nuk kishin lidhje me subjektin, ndërkohë që në adresat e bizneseve jepet si referencë ndonjë shkollë, bar apo institucion pranë subjektit, duke e vështirësuar komunikimin midis Tatimeve dhe Biznesit.

Sipas përzgjedhjes rastësore, një ndër subjektet që u zgjodh për t’u intervistuar mbi llojin dhe arsyet e borxhit tatimor ishte edhe “G**** Group”. Pas telefonit në numrin e kontaktit të vendosur nga administratori i kompanisë u përgjigj një zotëri, për të cilin nuk ishim të parët që kërkonin administratorin. Doganat, Tatimet dhe shumë banka të nivelit të dytë e kishin telefonuar për të kërkuar borxhet.

Njësoj si me “G**** Group”, edhe për kompaninë “M***** and Refining Co” u përgjigj ish-ekonomistja, e cila tha se përveçse i kishin borxh asaj, vazhdimisht e merrnin në telefon bankat për të kërkuar borxhin.

Borxhi, sa është mundësia që të mblidhet
E.H., tregon për Monitor se ka pasur një detyrim prej 14 milionë lekësh (të vjetra) te Tatimet, prej të cilave ka shlyer gati gjysmën. Për gjysmën tjetër, ai mendon se e ka marrë në mënyrë të padrejtë.

“Do të hap një proces gjyqësor për të mbyllur detyrimin. Për momentin jam shpërngulur jashtë, duke u marrë me biznes në Shqipëri kam humbur 10 vite nga jeta ime. Sa për pasurinë dhe llogaritë bankare, nuk kam asgjë në emrin tim, kështu që nuk kanë çfarë të bllokojnë”.

90% e bizneseve deklarojnë se nuk kanë aftësi paguese për të paguar borxhin ndaj Tatimeve, ndërkohë që pjesës më të madhe të tyre u është vendosur edhe sekuestro nga shoqëritë përmbarimore. Pjesa tjetër është në proces ankimi ndaj gjobave të marra.

Afërdita Kullau, debitore në Drejtorinë Rajonale të Beratit thotë se nuk ka me çfarë të paguajë taksat. Ajo operon në sektorin e tregtisë me pakicë. Rënien e punës të aktivitetit të saj ajo e lidh me krizën që ka pasur sektori i ndërtimit.
“Kur kishte ndërtime, kishim punë. Tani më ka rënë puna fare”.
Agron Hysenaj, debitor në DRT të Beratit thotë se do të përpiqet që t’i mbyllë brenda shtatorit.

“Brenda shtatorit do t’i paguaj. Unë punësoj tre persona të tjerë për të cilët jam i detyruar që të paguaj sigurimet shoqërore. Kjo më ka rënduar pak për të mos shlyer në kohë detyrimet e tjera, kryesisht taksat e bashkisë. Aktivitetin e kam çelur që në maj të 2005-s, me atë po shkolloj fëmijët. Nuk kam ndër mend që ta mbyll”.

Dëmi moral i amnistisë dhe refuzimi për të paguar
Amnistitë, faljet apo dhe fshirjet, pavarësisht emrit që i vendoset shuarjes së një detyrimi, rrezikojnë që të krijojnë idenë tek individët që kanë detyrime se një ditë borxhet që kanë do t’iu falen. Shuarja e detyrimit dekurajon edhe paguesit e rregullt të detyrimeve.

S.S., me aktivitet në Durrës, tregon se dhe pse ka detyrime nuk ka ndër mend që t’i paguajë. “Po pres që të falen. Unë po shkoj drejt mbylljes, pasi nuk kam punë. Kam një detyrim që përllogaritet në shumën e 400-500 mijë lekëve. Kryesisht janë TVSh për t’u paguar”.
Një tjetër subjekt debitor i pyetur për llojin e detyrimit dhe arsyen e akumulimit u përgjigj se gjithë Shqipëria kishte borxhe dhe nuk e kishte në plan që t’i paguante.

Borxh?! Të intervistuarit që nuk ishin në dijeni të detyrimeve
Etleva Kodheli, biznesi i së cilës gjendej në listën e subjekteve me detyrime të papaguara, mori vesh se ishte debitore kur u telefonua nga Monitor. Deri në atë moment, ajo nuk ishte në dijeni për detyrimet. Të nesërmen telefonoi sërish, e stresuar, duke menduar se kishim marrë nga Drejtoria e Tatimeve.

Edhe Ramazan Veseli, debitor në Drejtorinë Rajonale të Dibrës, ka një shumë prej 400 mijë lekësh pa paguar.
“Nuk më kanë njoftuar që kam detyrime. E kuptova pasi më kanë bllokuar llogarinë bankare”, tregon Ramazan Veseli.
Një pjesë e mirë e subjekteve, të cilët iu përgjigjën pyetjeve nuk ishin në dijeni të detyrimit, ose ishin vënë në dijeni pasi ishin përballur me masat nga agjentët tatimorë.

Në dijeni të detyrimit nuk ishte as zoti Fisnik Lamçe, Liljana Kadiu, Shkëlqim Istrefi, Ardi Alimehmeti, Ledjona Shehaj, Mhill Gështenja.

Një pjesë e mirë deklaruan se e kishin paguar detyrimin ndaj Tatimeve, por pagesa nuk iu reflektohej në sistem. Për këtë arsye ata kishin mbetur pjesë e listës.

Më e lehta, të mos paguhen sigurimet
Sipas përgjigjeve të bizneseve të intervistuara, kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore ishin detyrimet më të papaguara nga debitorët. Edhe sipas statistikave të Tatimeve, sigurimet shoqërore numërojnë rastet më të larta të mospagimit të detyrimit, megjithëse si vlerë në stokun e borxhit zinte vetëm 10% të totalit.

“Kam rreth 70-80 mijë lekë sigurime shoqërore të papaguara. Nuk më dilte që t’i paguaja edhe këto detyrime. Tani e kam pezulluar aktivitetin dhe nuk besoj që ta hap serish”, – tregon Klodiana Kalivaçi, e cila vendosi që para dy vitesh të hapte një biznes në qytetin e Beratit.
Edhe Hasan Dobra nga Dibra tregon se detyrimi që i ka mbetur pa paguar në Tatime janë sigurimet shoqërore.

“Kam një detyrim prej 500 mijë lekësh për sigurimet shoqërore të prapambetura. Tani kam lidhur një kontratë me Tatimet për t’i paguar me këste çdo datë 15. Nuk pata mundësi që t’i paguaj, prandaj m’u mblodhën aq shumë.

Rezultatet e sondazhit treguan se sigurimet janë më të papaguarat, si numër rastesh. Ekonomistët e shpjegojnë këtë me faktin e presionit të ulët që kanë pasur për të paguar sigurimet, teksa Tatimet janë agjentë në mbledhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore dhe kujdesen më shumë për planin e TVSH-së, tatimfitimit etj. Por, mospagimi i sigurimeve është në dëm të qindra punonjësve të cilët do të hasin në vështirësi kur të arrijnë moshën e pensionit.

Kompanitë shtetërore që kanë detyrime
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i ka klasifikuar 13 bashki të vendit, ose 21% e totalit të bashkive si borxhlinj të këqij ndaj të cilave do të nisë arkëtimi i detyrimeve me forcë.

Sipas të dhënave të Tatimeve, 9 nga bashkitë janë kualifikuar si borxhlinj të këqij pas hyrjes në fuqi të reformës territoriale.
Detyrimet e bashkive ndaj Tatimeve lidhen kryesisht me mospagesat e sigurimeve shoqërore të punonjësve. Sjellja në këtë mënyrë e bashkive rrezikon të krijojë probleme të rënda sociale në periudhat e mëvonshme, duke rrezikuar pagesat e pensioneve për qindra punonjësit e sotshëm.
Nga institucionet shtetërore shihet se ka një mungesë korrektese për pagat e sigurimeve nga ndërmarrjet e ujësjellësit, bashkitë dhe disa agjenci rajonale.

Në listën e Tatimeve, përveç bashkive dhe Drejtorive të Ujësjellës-Kanalizimeve, janë listuar edhe shumë drejtori të pyjeve, kullotave, si dhe disa drejtori të ALUZIN-it në Berat.
Si debitorë në listë gjenden edhe dy fakultete të Universitetit të Tiranës, Fakulteti Ekonomik dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës, si dhe Drejtorinë Arsimore të Berat dhe Universitetin e Vlorës.
Tatimet kanë listuar edhe disa prej qendrave shëndetësore të Graçanit, Libofshës, Qelzëz, Piskovës.

Tatimet: Ja kushtet për të paguar me këste borxhin tatimor
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton tatimpaguesit për kushtet dhe detyrimet për të cilat lidhet marrëveshja me këste dhe afati i zgjatjes së kësaj marrëveshje.

Tatimpaguesi, duke justifikuar paaftësinë likuiduese të përkohshme financiare, mund të paguajë me këste një detyrim tatimor të papaguar.

Marrëveshja me këste nuk mund të zgjatet përtej fundit të vitit që pason vitin në të cilin është lidhur ajo. Në rastet e marrëveshjeve për pagesë me këste, tatimpaguesi paguan kamatëvonesat, por nuk llogaritet gjobë për pagesë të vonuar. Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Hapat që duhen ndjekur për të nënshkruar një marrëveshje me këste janë:
Hapi I: Kërkesë me shkrim drejtuar drejtorisë rajonale tatimore nën juridiksionin e së cilës është regjistruar. (Shpjego rrethanat dhe arsyet pse kërkohet të lidhet një marrëveshje për të paguar me këste detyrimet tatimore.)

Hapi II: Drejtoria Rajonale Tatimore brenda 10 ditëve njofton nëse kërkesa pranohet apo refuzohet.

Hapi III: Nëse kërkesa pranohet, nënshkruhet marrëveshja për pagesë me këste të detyrimeve tatimore të papaguara. Kjo marrëveshje nënshkruhet nga
tatimpaguesi dhe nga drejtori i drejtorisë rajonale të tatimeve ose drejtuesi i njësisë së ngjashme me të, vetëm nëse tatimpaguesi paguan menjëherë 20% të vlerës së detyrimit, për të cilin lidhet marrëveshja e pagesës me këste.

Administrata Tatimore ndërpret masat e mbledhjes me forcë, të mbledhjes së detyrimeve tatimore, por ajo nuk tërheq masën e vendosur për të siguruar pagesën e detyrimit tatimor.

Nënshkrimi i një marrëveshje për pagesën me këste të një detyrimi tatimor, nuk ndërpret llogaritjen e kamatëvonesave për mospagim në afat të detyrimit tatimor të mbetur papaguar.

Tatimpaguesi, ndaj pasurisë së të cilit ka dalë një vendim për vendosjen e masave të sigurisë qoftë në formën e barrës së sigurisë apo barrës hipotekore, në rastet kur pretendohet se zbatimi i masave të sigurisë nuk është ekzekutuar në mënyrë të rregullt, ka të drejtë të paraqesë ankesë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat