Konferenca e Pezës, flet presidenti Meta: Është shembull bashkimi

Shqipëria

Konferenca e Pezës, flet presidenti Meta: Është shembull bashkimi

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 13:43
Presidenti Ilir Meta

Me rastin e 75-vjetorit të Konferencës së Pezës, veteranë lufte, përfaqësues të ekzekutivit, deputetë e drejtues të pushtetit vendor, morën në ceremoninë e organizuar në përkujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme që shënon bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazifashistë.

Në nderim të kësaj dite, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh për të gjitha moshat, që nga fëmijët, ata më pak të rriturit, të rinjtë, e deri tek të moshuarit që duan të evokojnë përpjekjet e popullit shqiptar për çlirimin e vendit.

I pranishëm në këtë festë, Presidenti Ilir Meta deklaroi se ai shembull bashkimi duhet ndjekur edhe sot për të mirë të vendit dhe shqiptarëve. Meta bëri apel që në këto raste jo vetëm të ketë përkujtime por edhe aktualizim të vlerave.

Për 3 ditë me radhë Bashkia e Tiranë ka organizuar një festë me rastin e Konferencës së Pezës.

Pjesë nga fjala e Presidentit Ilir Meta:

Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata përfaqësues që lanë dallimet politike dhe idetë e ndryshme dhe u bashkuan këtu në Pezë për një qëllim të përbashkët dhe madhor për çlirimin e vendit nga pushtuesi. Jemi këtu për të shprehur mirënjohjen edhe ndaj popullit të Pezës dhe ndaj patriotit të jashtëzakonshëm Myslym Pezës, i cili falë patriotizmit të tij, burrërisë së tij, besës së tij, ndihmoi që të bashkoheshin këtu forcat më patriotike të kohës, nacionalistët, antifashistët, komunistët me një platformë të vetme dhe një platformë të përbashkët.

Peza e pagoi shtrenjtë Konferencën që u mblodh këtu. Peza u gjakos dhe u dogj si asnjë krahinë tjetër në Shqipëri sepse ajo sfidoi pushtuesin pikërisht nën hundët e tij. Ajo i hodhi themelet e bashkimit të luftës për liri pikërisht kaq pranë kryeqytetit të vendit dhe mesazhi i saj u shpërnda anembanë Shqipërisë në një kohë shumë të shpejtë.

Pezën jo vetëm ta kujtojmë dhe gjithashtu këtë Konferencë të lavdishme, por mesazhet e saj duhet gjithmonë t’ja përshtatim të tashmes dhe të ardhmes duke gjetur gjithmonë forca dhe vetëdije për t’u bashkuar dhe për të bashkëpunuar për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve.

Në ceremoninë e mbajtur me këtë rast, Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, theksoi se Konferenca e Pezës është një histori e cila rrezaton 75 vjet më pas mësime dhe momente shumë të rëndësishme për të sotmen e vendit tonë.

“Sot përpara jush, veteranëve e familjeve të tyre, përulemi për kontributin e pamasë që keni dhënë për këtë ditë të vendit tonë. Konferenca e Pezës është një histori e cila rrezaton 75 vjet më pas mësime dhe momente shumë të rëndësishme për të sotmen e vendit tonë. Ajo është një histori e cila së pari është një histori guximi. Ka treguar sot se si atëherë një grup njerëzish vendosën që në një betejë shumë të madhe, Peza ishte e vogël në botën e madhe e cila gjendej në një luftë botërore, ata u mblodhën për të vendosur se në cilin kah të historisë do të ishte Shqipëria dhe ky është ndoshta momenti i dytë i rëndësishëm që sot na rrezaton Konferenca e Pezës”, tha Manziku.

 Duke shprehur mirënjohjen për sakrificat e burrave dhe të grave që morën pjesë në Luftën Nacional Çlirimtare, Nënkryetari i Bashkisë vlerësoi se shqiptarët ditën që në momente të rëndësishme të marrin vendimet e duhura për ta radhitur vendin tonë në kahun e duhur të historisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat