Prishja e shtëpive në Shkozë, Mehmetaj pyet Ramën: Kur u kërkove votën e dije që s’kishin leje

Shqipëria

Prishja e shtëpive në Shkozë, Mehmetaj pyet Ramën: Kur u kërkove votën e dije që s’kishin leje

Më: 16 shtator 2017 Në ora: 18:06
Ilir Meta- Kejdi Mehmetaj

Prishja e shtëpive në zonën e Shkozës në Tiranë është kthyer në mollë sherri mes mazhorancës dhe opozitës.

Pas reagimit kryeministrit Edi Rama dhe deputetes socialiste Elona Gjebrea reagoi edhe deputetja e LSI-së Kejdi Mehmetaj.

Ajo pyet kryeministrin Rama nëse tani e mori vesh që këto shtëpi janë pa leje apo e ka ditur që gjatë fushatës kur shkoi tu kërkonte votat.

“Mosrakordimi ndërmjet qëndrimeve të deputetes Elona Gjebrea dhe kryeministrit është thjeshtë mungesë komunikimi për të qartësuar gënjeshtrat e radhës, apo zgjedhje me dashje për të vazhduar lojën me banorët e Shkozës.

Ky grupi ndërinstitucional është thjesht fantazi e deputetes së pa mësuar ende me Kryeministrin që nuk do tja dijë për qytetarët.

 Kur u kërkuan votën banorëve të Shkozës nuk e kishin të qartë Rama dhe njerëzit e tij se ndërtimet ishin të paligjshme.

Ndoshta deputetja ndihet fajtore përballë premtimeve që u ka bërë qytetarëve, po ky kryeministri që as skuqet, as zverdhet e as nuk mban përgjegjësi tani që e mori edhe timonin edhe tepsinë.

Prisni, prisni! Nuk keni parë gjë akoma...”, shkruan Mehmetaj.

Ndërsa deputetja socialiste e zonës 2 ditë më parë shkruante se do tu ofrohen mundësi mbështetje në rastin e banesave pa legalizim dhe leje ndërtimi.

Deputetja Elona Gjebrea

Do doja të informoja mbarë opinionin publik, se jam maksimalisht e angazhuar për zgjidhjen e situatës me banorët e Shkozës në lidhje me prishjen e banesave për shkak të ndërtimit të Unazës së Re. Kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me ta, si përpara fushatës dhe pas saj, përfshirë këtu edhe ditën e sotme ,ku para disa minutash ,mbarova takimin me qytetarët.

Dëshiroj të sqaroj, se ne nuk e kemi shfrytëzuar këtë situatë për të kërkuar vota apo mbështetje tjetër nga ata. Por, si deputete e zonës, jam në mbështetje të tyre për zgjidhje të problemeve dhe jo shfrytëzime për qëllime partiake. Këtë nuk do ta bëj kurrë.

Një grup ndërinstitucional ,u krijua me porosi të Kryeministrit dhe me pjesëmarrje te Kryetari të Bashkisë, z. Erion Veliaj. Po bëjmë më të mirën, që qytetarët të sqarohen dhe t’ju ofrohen mundësi mbështetje në rastin e banesave pa legalizim dhe leje ndërtimi. Përfaqësia e ngritur nga banorët që preken nga ky projekt, do të informohen hap pas hapi për vijueshmërinë e këtij procesi.

Faleminderit!

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat