Rama rikthen plehrat në Kuvend, paralajmërohen sërish protesta

Shqipëria

Rama rikthen plehrat në Kuvend, paralajmërohen sërish protesta

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 09:24
Kuvendi i Shqiperise

Kryeministri i vendit, Edi Rama nuk e ka mohuar në asnjë rast se, ligji që do i hap dyert e Shqipërisë për sjelljen e mijëra toneve plehra nga Europa, do të miratohet në Parlament. “Besimi” që i dhanë shqiptarët Partisë Socialiste më 25 qershor, duke çuar në parlament 74 deputetë socialistë, tashmë e bën të mundur miratimin e ligjit që sjell mbetje në vend. Ky ligj shumë i diskutuar dhe i kundërshtuar edhe me protesta nga ambientalisët dhe qytetarët është një prej ligjeve që janë parashikuar për diskutim dhe miratim gjatë këtyre javëve të para të punës së qeverisë “Rama 2”. Në programin e punimeve të Kuvendit, të periudhës 18 shtator-13 tetor 2017, një nga ligjet që do të kthehen për t’u votuar është edhe ai i “menaxhimit të integruar të mbetjeve”.

Nuk bëhet fjalë për një nismë të re por është dekreti i ish-Presidentit Nishani, që ktheu ligjin për importin e mbetjeve, me argumentet përkatëse. “Dekreti nr. 9765, datë 14.10.2016 “Për kthimin e ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10463, datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar”, thuhet ndër të tjera në kalendarin e punës së Kuvendit. Tentativa e parë për të kaluar këtë ligj ishte në tetor të vitit të kaluar.

Atëherë mazhoranca e përbërë nga PS dhe LSI e miratoi këtë ligj me 63 vota vetëm të socialistëve. Në legjislaturën e kaluar ishin votat e munguara nga aleatët, LSI dhe PDIU që penguan PS-në të votonte ligjin. Për miratimin e këtij ligji nevojiten vetëm 71 vota, që socialistët tashmë i zotërojnë në Parlament dhe nuk ka asnjë barrierë për të mos e kaluar ligjin. Ky dekret pritet fillimisht të futet në diskutim në komisionet parlamentare dhe më pas në Parlament, kështu e parashikon Rregulloja e Kuvendit.

Rinisja e protestave

Ligji që lejon importin e mbetjeve është një prej ligjeve më të kundërshtuara të qeverisë “Rama 1”. Kjo paralajmërohet që të ndodh sërish. Ambientalisti Sazan Guri në një prononcim për “Shekulli-n”, u shpreh se tashmë nisma për sjelljen e mbetjeve në vend bëhet edhe më e rrezikshme. “Asgjë nuk ka ndryshuar në teknologji, në kontroll doganor, në menaxhim të mbetjeve dhe në këto kushte, ne qytetarët e këtij shteti, do të mbajmë të njëjtin qëndrim përderisa nuk ka një debat në tavolinë, nuk ka dialog”, tha Guri. Ambientalisti në prononcimin e tij përmendi edhe faktin që Kina ndaloi importin e mbetjeve për riciklim nga Europa, çka sipas tij ngre dyshime, se këto mbetje që i importonte ky shtet i madh, do të përfundojnë në territorin shqiptar.

“Republika e Kinës para dy muajsh ka ndaluar që mbetjet e Europës të eksportohen në shtetin e saj. Unë dyshoj që mbetjet e Europës, që nuk shkojnë dot në Kinë, kërkojnë vende për t’u shkarkuar. Tani problemi është më i rrezikshëm nga disa vite më parë”, theksoi ai. Sipas tij, kreu i qeverisë Rama duhet të dialogojë me qytetarët, ndërsa thekson se vendi nuk është gati për shkarkimin e plehrave të Europës. “Qeveria ka gurin dhe armën por e mira është të mos përdorë kundër qytetarëve të vetë, as gurrë, as armë. Qeveria të përdorë komunikim, të pyes ekspertët. Vendi jonë nuk është gati për import mbetjesh.

Një vend kaq i vogël të pres sasi kaq të mëdha që na kërkojnë të na fusin nga jashtë, është e papranueshme, e paarsyeshme, e palogjikshme. Unë do i rekomandoja kryeministrit që ai jo të bëjë hapa mbrapa, por të bëjë hapa të logjikshëm, të bëjë vendimmarrje me edukatë”, tha ambientalisti. Ndërsa Aleanca Kundër Importit të Plehrave që ka udhëhequr protestat kundër ligjit, iu drejtua dje me një letër kryeministrit Rama, ku i kërkon që të mbajë pritmin e 2013-ës se do të anulonte ligjin.

“Ne aktivistët e Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) kemi sot një hall të madh, për të cilin edhe Ju në vendimin e parë të Qeverisë në Shtatorin e vitit 2013 u bashkuat, si asnjëherë tjetër në kohën e demokracisë në vend, me vullnetin tonë dhe të mbi 60.000 firmëtarëve për referendum, pro apo kundra importit të mbetjeve, që ne përfaqësuam dhe vazhdojmë të përfaqësojmë. Tani në Shtatorin e 2017, jeni po ju, që keni vendosur në axhendë në ditët e para të qeverisjes suaj ligjin për importin e mbetjeve. Duke parë se si kanë rrjedhur ngjarjet në këtë vit të fundit nuk e dimë nëse qëndrimi juaj do jetë në mbështetje të kërkesës së pandryshuar të qytetarëve për ndalimin e importit të mbetjeve, apo jo.

Ne e kemi pritur me kërshëri jo vetëm premtimin, por dhe hapat konkret edhe në ditët e fundit të bashkëqeverisjes me qytetarët. Ne jemi të bindur se, përveçse ligjërisht përfaqësojmë mbi 60000 qytetar, shprehim dhe opinionin e testuar të 90% të Shqiptarëve dhe këtë qëndrim tonin dëshirojmë t’ju a parashtrojmë Ju personalisht. Besojmë se kjo kërkesë e jona përputhet me politikën e prezantuar nga ju për bashkëqeverisje me qytetarët”, thuhet në letër. “Z. Kryeministër nuk mund të ketë një rast më tipik të bashkëqeverisjes me qytetarët, se sa ky rast i menaxhimit të mbetjeve, ku çdo qytetar në këtë vend di, kupton dhe ndjen shumë për to”, thuhet ndër të tjera në letrën që AKIP i drejton kryeministrit.

Rikthimi, nisja e diskutimeve

Rregulloja e Kuvendit parashikon që një dekret i kthyer nga Presidenti, duhet të diskutohet dhe miratohet fillimisht në komisionin përgjegjës, që për ligjin e plehrave është ai i Veprimtarive Prodhuese. Në nenin 86 të Rregullores, parashikohet rasti i rishqyrtimit të dekretit. “Kur Presidenti i Republikës, në përputhje me nenin 85 të Kushtetutës, rikthen ligjin për rishqyrtim në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht. 2. Komisioni përgjegjës e shqyrton dekretin vetëm për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës dhe brenda 8 javëve nga data e fillimit të shqyrtimit paraqet raportin e tij. Ky raport përmban mendimin e komisionit dhe, sipas rastit, edhe propozime për nene të veçanta të ligjit”, thuhet në Rregullore.

Ndërsa në nenin 26 parashikohet që Kuvendi përfshin automatikisht dekretet e Presidentit. “Në programin e punës së Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligjesh, emërime, për të cilat kërkohet pëlqimi i Kuvendit, projektligje financiare ose ndryshimi i Buxhetit të Shtetit, shqyrtimi i akteve normative me fuqinë e ligjit, propozimet për emërim dhe shkarkim titullarësh të organeve që zgjidhen nga Kuvendi, mocionet e kërkuara, projektligjet ose projektvendimet e mbartuara nga programi paraardhës, si dhe çështjet që lidhen me gjendjen e jashtëzakonshme”, thuhet në Rregullore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat