Riorganizimi i Agjencive, 11 objektivat për pronat

Shqipëria

Riorganizimi i Agjencive, 11 objektivat për pronat

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 10:22
Ilustrim

Me rishikimin dhe rigrupimin e shumë prej institucioneve, Agjencia e Titujve të Pronësisë pritet të jetë institucioni kryesor që do të merret me çështjen e pronave në Shqipëri. Në tryezën e kryeministrit kanë shkuar dy variante se si mund të zgjidhet përfundimisht çështja e pronave në vend. Me shumë gjasë, tashmë pas analizës që është bërë, pritet që Agjencia mbledhë njëherazi, ALUIZNI-n, ATP-në, AIITP-në dhe AMTP-në. Duke renditur 12 institucione që merren aktualisht me dhënien e titujve të pronësisë, grupi i punës evidenton faktin që secila prej agjencive, i lëshon këto tituj në bazë të hartave të veta. Kështu, përmes një strukture të re që pritet të krijohet, qeveria do të synojë përfundimin e një regjistri fillestar, sistematik, kombëtar të pronës së paluajtshme, regjistër ky që ka munguar dhe ka shkaktuar këtë kaos që ish-pronarët po vuajnë ende sot.

Gjithashtu, qeveria, në bazë të rekomandimeve të marra, pritet të ndërtojë një regjistër elektronik të pasurive të paluajtshme për pronat në fshat, për regjistrimin e pasurive pas vitit 1991, si dhe ndërtimin e një sistemi dixhitalizimi të pasurive të paluajtshme, përfshirë hartografinë sipas standardeve europiane. Deri më tani kanë qenë 10 agjenci që jepnin tituj pronësie duke nisur nga ALUIZNI (Ministria e Zhvillimit Urban); ZRPP (Ministria e Drejtësisë); ASIG (Ministria e Shtetit për Inovacionin); ATP (Ministria e Drejtësisë); AMTP (Ministria e Bujqësisë); Administrimi i Pronës Shtetërore (Ministria e Ekonomisë); EKB (Ministria e Zhvillimit Urban); Oborret dhe shtëpitë prej ’91 (Njësitë vendore); AITP (Ministria e Punëve të Brendshme) e deri te Drejtoria e Pronës Publike (Ministria e Financave).

Objektivat

Për këtë mandat, por edhe për një plan më afatgjatë, qeveria ka përcaktuar edhe objektivat themelore për zgjidhjen e problemit të pronave. Kështu, janë 11 objektiva të listuara, një pjesë e të cilave është realizuar pjesërisht dhe pjesa tjetër ka ngelur në vendnumëro. Sipas renditjes, synimi është që të kryhet 1) Përfundimi i regjistrimit fillestar sistematik, kombëtar për pasuritë e paluajtshme; 2) Krijimi i regjistrit elektronik të pasurive të paluajtshme; 3) Përfundimi i proceseve transitore të nivelit kombëtar;4) Legalizimi i ndërtimeve informale; 5)Trajtimi i pronës nëpërmjet njohjes dhe kompensimit të subjekteve; 6) Verifikimi i titujve të pronësisë në fshat; 7) Lëshimi dhe regjistrimi i akteve të marrjes së tokës në pronësi; 8) Kalimi i pronësisë për pasuritë e paluajtshme, të ndërtuara para 10.8.1991; 9) Kalimi i pronësisë së oborreve në përdorim; 10) Dixhitalizimi i sistemeve të pasurive të paluajtshme, përfshirë hartografinë, sipas standardeve ndërkombëtare dhe 11) Krijimi i Agjencisë së Titujve të Pronësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat