Tabaku: Qeveri me pak ministri, por me centralizim të frikshëm në duart e disa individëve

Shqipëria

Tabaku: Qeveri me pak ministri, por me centralizim të frikshëm në duart e disa individëve

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 10:56
Jorida Tabaku

Deputetja e PD Jorida Tabaku ka komentuar sot qeverinë 'Rama II", strukturën dhe programin e saj dhe ka folur edhe për përplasjet e brendshme në PD. Në një intervistë për GSH, Tabaku shprehet:

Zj.Tabaku, qeveria e re nisi punën për një mandat të ri katërvjeçar. Si i shikoni emrat e ministrave të kabinetit “Rama 2”?

Kabineti është një përpjekje e trishtë për të kontrolluar pa shumë mund të gjithë atë pak autonomi që kemi ndërtuar në këto 2 dekada e gjysmë shtetbërje si dhe një mungesë e qartë vizioni për prioritetet e vendit. Po të shihni emërimet apo riemërimet janë qoka personale të kryeministrit dhe akoma më keq, vazhdimi i politikave të mbrapshta të tij në katër vitet e para. Kemi ministra të koncesioneve, ministra që kanë lëshuar fletën e bardhë tek oligarkët për të ndërtuar ligjet siç i duan ata, ministra që kanë dhënë leje për të ndërtuar në zonat turistike që mund të mbroheshin, ministra që kanë rënduar xhepat e qytetarëve duke e justifikuar rritjen me propagandën e barazisë së taksës. Në pak fjalë, janë thjesht arnime që nuk e ndryshojnë thelbin e asaj që ndodhi në katër vitet e shkuara.

Si e konsideroni strukturën e re të qeverisë dhe për çfarë do u kërkojë llogari PD-ja ministrave në parlament?

Në një këndvështrim të përgjithshëm duket sikur kryeministri ka vepruar si një kryetar qeverie i një force të djathtë. Ulja e numrit të ministrive, rritje efiçence e kështu me radhë. Mirëpo nuk është kjo arsyeja e vërtetë që qëndron pas kësaj lëvizjeje të kryeministrit. Po të vini re, ndryshe nga qasja e djathtë për një qeveri të vogël, sot është propozuar një qeveri me më pak ministri, por me një centralizim më të frikshëm në duart e disa individëve. Janë propozuar krijimi i disa ministrive të parëndësishme dhe të padobishme e nga ana tjetër është propozuar shkrirja e ministrive prioritare për vizionin dhe strategjinë kombëtare. Numri i punonjësve është më i lartë, aq më shumë ku mjaft drejtori centralizohen dhe vendosen më në kontroll të kryeministrit, duke mos pasur si synim një shtet më të vogël dhe më pak kokëçarje burokratike, por në themel të debatit është një shtet më i centralizuar, më shumë pushtet nën burokracinë e kontrolluar

Në ç’kuptim?

Kryeministri pretendon ta ndajë vendin në katër zona zhvillimi, mirëpo nuk ka asnjë studim se çfarë përfiton vendi nga kjo ndarje. Ka vetëm një peng të kryeministrit lidhur me reformën territoriale, por asnjë studim që të reflektojë efiçencën e kësaj ndarjeje. Ndërkohë që nga ana politike ka më së shumti një përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme, e cila vetëkuptohet, do të ndë- rhyjë vend e pa vend për të ndërtuar politikat rajonale, duke na kthyer edhe një herë në një betejë të kaluar me centralizimin. Së dyti, propozimi për shkrirjen e drejtorive na është ofruar me argumente jo vetëm naive, por mbi të gjitha të paqëndrueshme. Le të marr shembullin e bashkimit të ATP, ZRPP dhe ALUIZNI-t, që zoti Peleshi na fton t’i shohim nën një ombrellë me argumentin e shmangies së burokracisë. Nëse shqetësimi i qeverisë është burokracia, atëherë mundet fare kollaj që qeveria e re të shpenzojë një shumë të buxhetit për të dixhitalizuar proceset burokratike dhe për të përmirësuar komunikimin ndërmjet drejtorive.

Por duke qenë se Ministria e Inovacionit nuk qe vetëm se një qokë familjare për katër vjet, nuk ka përse të prodhojmë një nonsens logjik, duke futur në një drejtori disa entitete që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. ATP duhet të merret me kthimin dhe trajtimin e pronës tek pronarët, ZRPP me regjistrimin e kësaj prone, ndërkohë që ALUIZNI me legalizimin e një prone të marrë në mënyrë të kundërligjshme dikur dhe sot duhet ligjëruar. A ka ndonjë pikë lidhëse në këtë mes? Asnjë! I njëjti problem qëndron edhe për ministritë, të cilat bashkohen apo zhduken nga qarkullimi për t’u lënë vendin disa ministrive të padobishme dhe tërë- sisht jofunksionale. Bashkimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave është një zgjidhje e mirë, në këndvështrimin tim, sikundër është edhe dorëzimi i kryeministrit Rama para propozimit tonë për bashkimin e Doganave dhe Tatimeve në një drejtori të madhe. Mirëpo, përfshirja e Ministrisë së Punës me atë të Ekonomisë dhe Financave është një tentativë për të akumuluar pushtet tek ministri i riemëruar dhe jo një përpjekje për të zgjidhur problemin e punësimit. Në shumicën e vendeve të BE, Ministria e Punës qëndron e veçantë për të ndjekur politika të veçanta, por edhe sepse ka nën kontroll disa institucione varësie të një rëndësie të veçantë.

Aktualisht përfshirja e këtyre institucioneve bashkë në një godinë me ekonominë dhe financat do të prodhojë gjithnjë e më shumë konfuzion në politikat qeveritare. Sikundër bashkimi i Ministrisë së Transporteve me atë të Energjetikës prodhon konfuzionin e prioriteteve, duke qenë se siç thotë një fjalë e urtë popullore, “Dy kunguj nën sqetull nuk mbahen”. Por këto janë një anë e medaljes, shkrirja e Ministrisë së Integrimit për ta kthyer në një drejtori në Ministrinë e Jashtme dhe mungesa e politikave kombëtare për integrimin e vendit është sinjali më i keq që kjo qeveri mund të japë. Kjo, lidhur jo vetëm me problemet aktuale që po dalin në pah, si rikthimi I vizave apo mungesa e projekteve serioze për t’u financuar, por mbi të gjitha, me të ardhmen e sektorëve jetikë në bujqësi, blegtori, turizëm dhe prodhim manifakture. Bashkimi Europian sot e kësaj dite ofron fonde për bujqësinë dhe blegtorinë, mirëpo një mungesë politikash dhe mbi të gjitha vizioni për integrimin e vendit e ka shndërruar Ministrinë e Bujqësisë në një shtojcë, e cila katër vitet e radhës do të merret me projektet e fasadës së rilindjes rurale. Ministrat e rinj do të pyeten për funksionet e reja që janë bashkuar në mënyrë artificiale, që kanë bërë në disa raste edhe të humbë thelbi dhe funksioni i këtyre ministrive.

Qeveria ndryshoi me akt normativ buxhetin e shtetit, duke rritur shpenzimet, të cilat parashikohen të bëhen si në nivel qendror, por edhe vendor. Cili është komenti juaj për këtë?

Nuk ka ndonjë lajm të ri nëse themi që qeveria socialiste ka rishikuar buxhetin përmes aktit normativ, kanë katër vite që kanë riparë buxhete dhe mbi të gjitha kanë rishikuar të ardhurat, që nuk përputheshin kurrë me planin dhe ka pasur mosrealizime deri në 325 mln USD, si ajo e 2016-ës, që u raportua nga KLSH. Ajo çfarë përherë mbetet një lajm për këtë qeveri është aftësia propaganduese, sepse në aktin normativ të këtij viti vërtetë janë rritur shpenzimet, por janë rritur shpenzimet e OSHEEsë për të blerë energjinë elektrike, sepse nuk ka menaxhuar siç duhet burimet ujore . Janë nxjerrë para për firmat klienteliste të avokaturës së shtetit në gjyqet e ndryshme në Arbitrazh dhe janë rritur shpenzimet për pagat në disa institucione shtetërore. Ndërkohë që shpenzimet kapitale vazhdojnë të jenë 46 milionë euro më pak sesa plani i parashikuar në fillim të vitit. Janë këto shpenzime për investime kapitale, që sjellin qarkullimin e parave në ekonomi duke ndërtuar rrugë, spitale, shkolla dhe lehtësira të tjera. Ne vazhdojmë ende të ndjekim një politikë moszhvillimi, me synimin që ndërtimin e këtyre veprave t’ua japë me koncesion kryeministri miqve të tij. Projekti 1 miliard euro nuk është vetëm se maja e ajsbergut.

Të ndalemi pak tek situata e brendshme e PD-së. Demokratët i pret analiza e humbjes së zgjedhjeve pas rezultatit humbës që morën në 25 qershor. Si do të bëhet kjo analizë dhe kush cenohet prej saj?

Në këndvështrimin tim, mendoj se analiza duhet të jetë më e fortë se katër vite më parë dhe gjithashtu duhet të jetë një proces i plotë për të evidentuar realisht se çfarë ka ecur gabim në strukturat e partisë. Nuk kemi më luksin të përsërisim të njëjtat gabime me shpresën se rezultatet do të ndryshojnë vetë. Nga takimet që kam pasur me demokratët dhe njerëzit e strukturave në terren, shoh ende shpresën për një ringritje në sytë e tyre, shoh vullnetin, pasionin dhe gatishmërinë për të punuar dhe kontribuar për forcimin e PD-së. Na takon neve si deputetë e strukturave drejtuese të kanalizojmë më së miri forcat e kësaj partie për t’u ringritur në nivelet që na takon

Përtej rezultatit të zgjedhjeve dhe humbjes së thellë, debati rreth zhvillimeve të brendshme në PD tërhoqi në vorbullën e vet gjithë vëmendjen dhe energjitë e zërave opozitarë dhe vetë institucionit opozitë. Si i shikoni kritikët e z.Basha dhe a kanë të drejtë të kërkojnë zgjedhje të reja, kur PD tashmë e ka rizgjedhur kreun e saj?

Duke mos përjashtuar problemet reale të blerjes së votës, intimidimit të votuesve dhe përdorimit të administratës e burimeve shtetërore, probleme që i gjeni edhe në raportet e BE apo dëshmitë e ndryshme, mendoj që ne duhet të shohim tek vetja jonë. Tek ajo çfarë çalon tek ne, që nuk kemi mundur të prodhojmë aq shumë besim sa për të ngritur një frymë që do të mposhte këtë makineri apo do të luftonte kundër saj me armë të barabarta. Për këto mangësi të fundit dua t’u kërkoj ndjesë atyre që u përpoqën të shohin një shpresë tek ne, por nuk ia arritën ta gjenin frymëzimin për të na besuar, një pjesë e fajit është edhe e jona dhe gabimeve tona, që sot kemi një qeveri “Rama 2” dhe një mazhorancë me 74 deputetë. Mënyra e vetme se si PD mund të ringrihet është të tregohet e sinqertë dhe të pranojë gabimet që ka kryer, duke analizuar çfarë nuk shkoi mirë. Mbi të gjitha na duhet një përpjekje e punë më e madhe për të shfrytëzuar në maksimum potencialet, kapacitetet dhe forcat tona, që nuk janë të pakta. Duhet të mbështetemi jo vetëm mbi shtyllat tona ideologjike, por njëkohësisht programi ynë duhet t’u kthejë përgjigje edhe sfidave të reja të vendit tonë. Bazuar mbi këto themele, ne duhet të fillojmë një kontakt të përditshëm jo vetëm me demokratët, por me çdo qytetar vendit, që sot vuan pasojat e keqqeverisjes.

Ju përmendët makinacionin e manipulimit të votës, por çfarë synon konkretisht PD-ja përmes ndryshimeve të reformës zgjedhore?

Në vitin 2014 PD-ja i propozoi mazhorancës së asaj kohe një reformë territoriale, që përfshinte reformën kushtetuese edhe atë zgjedhore. Mirëpo duke qenë se kryeministri Rama preferon më mirë arnimet elektorale dhe jo zgjidhjet afatgjata dhe vizionare përmes diktatit të shumicës si dhe blerjes edhe të një partie politike nga opozita, votoi për një reformë territoriale, që do t’i lehtësonte ndarjen e tortës së pushtetit me ish-aleatët. Kodi aktual Zgjedhor, për arsye të ndryshme është kthyer në një problem dhe gangrenë jo vetëm me përfaqë- simin e shqiptarëve në Kuvend, por edhe me përdorimin e të fortëve dhe kriminelëve për të hyrë në sallë. Kjo në këndvështrimin tim është një çështje tejet e rëndë- sishme që Kodi i ri Zgjedhor duhet ta adresojë dhe t’i japë zgjidhje. Sakaq, raportet e shumta të OSBE-ODHIR dhe institucioneve të tjera kanë një sërë problematikash, që lidhen edhe me mënyrën e numërimit dhe votimit që janë gjithashtu tejet të rëndësishme për t’u adresuar. Duhet ndërtuar një Kod Zgjedhor që t’u japë fund problematikave kryesore që përmenda më sipër dhe që shqiptarët të kenë mundësinë të votojnë të lirë për forcën politike që besojnë se do t’u mundësojë një të ardhme më të mirë. Zbatimi i rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe votimi elektronik do të kenë prioritet.

PD bëri marrëveshjen e parë si opozitë me LSI, por cili do të jetë hapi i radhës, sa jetëgjatë do të jetë ky bashkëpunim mes dy opozitave?

Bashkëpunimi është në varësi të betejës që LSI ka ndaj qeverisë dhe për një opozitë të fortë. Nëse LSI apo cilido element tjetër politik është i bindur në këtë kauzë, është më se i mirëpritur, por kauzave duhet t’i shkohet deri në fund dhe jo si në rastin e çmimit të ujit në Tiranë, ku “rastësia” apo “padija” luajtën rolin e tyre në teatrin qesharak, që panë qytetarët e Tiranës. Disa parti janë zot në opozitë si rezultat i votës e disa të tjera të detyruara. Opozita reale e vendit nuk ka nevojë as të emërohet, as caktohet; opozita vepron në Kuvend e jashtë saj dhe vepron edhe me vendimmarrje!

PD është përfshirë nga një konflikt i brendshëm, ku kritikët akuzojnë Bashën për humbjen e 25 qershorit. Si mund të kapërcehet kjo situatë dhe sa e ndihmon PD-në qëndrimi kritik i z.Berisha ndaj z.Basha?

Unë e di që shpeshherë diskutimet e brendshme bëjnë më shumë lajm, jo pak herë personat që janë pjesë e diskutimeve vendosin në hije përmbajtjen e thelbin. Ndonëse mendoj që debati është i drejtë për një sërë arsyesh dhe faktorësh që janë përmendur, unë preferoj që komentet e mia t’i shfaq brenda mureve të PD-së. Sado debate të forta të jenë këto që ndodhin, besoj se forca e vërtetë e PD-së në këtë rast do të jetë tek guximi dhe aftësia për të ndryshuar, tek aftësia për të pranuar gabimet, tek qasja ndaj tjetrit dhe hapjes për të pranuar dhe ftuar këdo që do të jetë pjesë e PD-së.

Ju së fundmi jeni përzgjedhur si zv.kryetare e Komisionit të Ekonomisë, një detyrë me rëndësi kjo, duke qenë një nga komisionet më të rëndësishme…

Sigurisht që ishte një vlerësim, fakti që tashmë do të jem zv.kryetare e Komisionit të Ekonomisë, një fushë që gjatë këtyre katër viteve e kam ndjekur me prioritet krahas edhe integrimit europain. Ekonomia është në qendër të programit të Partisë Demokratike, por është edhe nga fushat më të kontestuara të qeverisë si dhe dështimi më i madh i saj. Unë jam e sigurt që së bashku me anëtarët e komisionit do të arrijmë të ofrojmë zgjidhje reale dhe të bëjmë transparencë të asaj që po ndodh me financat publike. Komisioni kësaj radhe do ketë si synim kontrollin e një superministri, i cili ka zgjeruar akoma më tej pushtetin e tij. Programi ‘Rilindjes’ në lidhje me ekonominë dhe financat qe i varfër dhe pa vizion, kjo ngre një sërë shqetësimesh për mënyrën se si do të menaxhohet një nga ministritë më të rëndësishme. Gjithashtu, në fokus do jenë edhe koncesionet, PPP, abuzimet me buxhetin në Drejtoritë e Tatimeve dhe Doganave si dhe monitorimi i investimeve, që fatkeqësisht është në nivelin më të ulët. Po kështu, politikat fiskale që po rëndojnë xhepat e qytetarëve e kryesisht të shtresës së mesme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat