Në gjykatat shqiptare s’ka gjyqtarë, mbeten stok 20 mijë dosje

Shqipëria

Në gjykatat shqiptare s’ka gjyqtarë, mbeten stok 20 mijë dosje

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 16:36
Ilustrim

Mungesa e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë e paralajmëruar gjatë një interviste për Top Channel nga kryetari i kësaj gjykate, Xhezair Zaganjori, se do të shkaktonte ngërç në shkallën e tertë të gjyqësorit ka dhënë shenjat e para në nisjen e sezonit gjyqësor.

Dy procese gjyqësore, ai ndaj deputetit Tom Doshi dhe procesi ndaj Alfred Pezës nisën me shtyrje për shkak të rishortimit të vendeve vakante sepse secila nga trupat gjyqësore u mungonin nga dy anëtarë që u zëvendësuan.

“Gjykata e Lartë pothuajse është paralizuar pasi nuk ka gjyqtarë për të formuar trupin gjykues në këtë kuptim bëhet dhe shtyrja me afat të pacaktuar”, tha Ferid Muçaj, avokat i Tom Doshit.

E mbetur me vetëm 10 gjyqtarë, Gjykata e Lartë duhet të përballojë një stok prej 20 mijë dosjesh që janë ende në radhë për tu shqyrtuar. Në muajin korrik katër anëtarë të kësaj gjykate dhanë dorëheqjen pasi u përfundoi mandati.

Gjyqtarët e lartë të doëhequr janë Evelina Qiriako, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Arjana Fullani. Ndërkohë që janë në detyrë jashtë mandatit gjyqtarët Andi Çeliku dhe Adrian Dvorani, ndërsa gjyqtarja Majlinda Andrea e mbylli karrierën si një e dënuar për çështje korrupsioni. Për të përballuar fluksin e dosjeve kryetari i gjykatës ka shpërndarë këtë urdhër riorganizimi për trupat gjyqësore, prej të cilave më problematike shikohen dosjet civile dhe administrative që presin në arkiva për tu gjykuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat