Bushati takon Sekretarin e OSBE-së Greminger: Kosova të bëhet pjesë e forumeve

Shqipëria

Bushati takon Sekretarin e OSBE-së Greminger: Kosova të bëhet pjesë e forumeve

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 11:21
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka takuar këtë të mërkurë Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Thomas Gremier gjatë punimeve të Asamblesë së OKB-së në SHBA.

Në fokus të diskutimeve ka qenë bashkëpunimi mes palëve. Ministri Bushati ka kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së Greminger, që Kosova të bëhet sa më parë pjesë e forumeve të OSBE-së.

Njoftimi i Ministrisë:

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ndodhet në Neë York në punimet e sesionit të 72-te të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së. Gjatë vizitës së tij, Bushati zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshme të OSBE, Thomas Greminger. Bushati e uroi Sekretarin e ri të Përgjithshëm të OSBE për detyrën dhe i ofroi gatishmërinë e Shqipërisë për ndihmë dhe bashkëpunim në arritjen e objektivave të organizatës.

Në takim u diskutua mbi situatën e sigurisë dhe çështje të tjera që preokupojnë hapësirën e OSBE-së dhe u pajtuan në nevojën e angazhimit edhe më të madh të Organizatës për adresimin e krizave, me synim shfrytëzimin e plotë të potencialit të saj për të forcuar dhe zgjeruar bashkëpunimin mes vendeve anëtare. Ministri Bushati nënvizoi ecurinë e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe OSBE në mbështetje të reformave madhore në vend.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi situatën dhe zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe vlerësuan rolin dhe kontributin e Shqipërisë në forcimin e paqes, sigurisë dhe ndërlidhjes në rajon. Ministri Bushati theksoi nevojën e përfshirjes së plotë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrjedhat dhe zhvillimet mbarëevropiane. OBSE-ja, theksoi Bushati, duhet të jetë në gjendje të mundësojë që Kosova të bëhet gradualisht pjesë e forumeve të OSBE, duke filluar nga ato që trajtojnë zhvillimet në Kosovë.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati pati gjithashtu një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Tunizisë, Khemaies Jhinaoui. Ministri Bushati e përgëzoi homologun e tij për zhvillimet në Tunizi në rrugën e ndërtimit të demokracisë të një shoqërie të hapur. Tunizia, theksoi Bushati, është shembulli i suksesit të të ashtuquajturës Pranvera Arabe. Ministrat ranë dakord për të shtuar kontaktet e shfrytëzuar më shumë mundësitë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Për këtë, Ministri Bushati e ftoi homologun e tij për një vizitë në Shqipëri. Në përfundim të takimit, Ministrat nënshkruan marrëveshjen për heqjen e vizave për pasaportat Diplomatike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat