Borchardt: Ta thyejmë zakonin e heshtjes së grave që dhunohen

Shqipëria

Borchardt: Ta thyejmë zakonin e heshtjes së grave që dhunohen

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 12:19
Bernd Borchardt

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt, tha sot në Forumin për të Drejtat e Grave se shoqëria shqiptare duhet t’i japë zgjidhje problemeve sociale dhe ekonomike që shtyjnë disa gra drejt krimit, duke renditur mes tyre dhunën, tabutë morale, presionin shoqëror, varfërinë apo krizat familjare.

“Gratë janë shpesh viktima dhe keqbërëse në të njëjtën kohë. Ne duhet t'i ndihmojmë gratë në situata abuzive që të kërkojnë mbrojtje, si edhe t'i fuqizojmë nga ana sociale dhe ekonomike. Për sa i takon grave të privuara nga liria, duhet të përqendrohemi në rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre”, tha Ambasadori Borchardt.

Ai foli para një audience të përbërë kryesisht prej grash që janë duke vuajtur dënimin me burg, dhe shtoi se OSBE-ja është angazhuar për mbrojtjen e personave në burgim, duke nxitur zbatimin e masave alternative ndaj burgosjes, sidomos për gratë.

“Dua ta nis me një të vërtetë themelore, një pikë që shpesh harrohet: çdo njeri ka të drejta. Po, po, çdo njeri, edhe ata në konflikt me ligjin, ndërsa Shteti e ka për detyrë që t'i mbrojë ato”, tha Ambasadori Borchardt. “Në OSBE, ne besojmë se privimi i lirisë duhet të jetë mjeti i fundit; prej shumë vitesh tashmë, jemi angazhuar për mbrojtjen e personave në burgim, duke inkurajuar aplikimin e masave alternative ndaj burgosjes, sidomos për gratë.”

Duke folur për çështjen e dhunës në familje, Ambasadori Borchardt tha se thyerja e kulturës së heshtjes është e rëndësishme në këtë drejtim.

“Gjithashtu, kemi bërë fushatë kundër dhunës në familje dhe kemi luftuar për ta thyer kulturën e heshtjes, duke i nxitur viktimat që ta ngrenë zërin kundër saj. Thyerja e heshtjes kërkon forcë dhe kurajë, por gratë duhet ta dinë që ka njerëz me vullnetin dhe mundësinë për t'i ndihmuar”, shtoi ambasadori.

Forumi u zhvillua në kuadrin e një vargu veprimtarish të organizuara si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, i cili gjithë këtë javë do të ketë shfaqe të hapura për publikun dhe falas në disa vende në kryeqytet. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është një prej partnerëve zyrtarë të këtij festivali.

Fjala e Kryetarit të Prezencës së OSBE-së, Ambasadorit Bernd Borchardt në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për Të Drejtat e Njeriut, Forumi për të Drejtat e Grave dhe Dhunën në Familje

Përshëndetje: Ministri Blendi Klosi; Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, z. Arben Çuko; Drejtori i Burgut të Grave, znj. Zoja Jakaj; Avokati i Popullit, znj. Erinda Ballanca; Drejtori i Përgjithshëm i KSHH-së, znj. Erida Skëndaj, znj. Ballauri dhe pjesëmarrësit.

Kam kënaqësinë të jem këtu me ju dhe me Ministrin Klosi, si pjesë e këtij forumi për të drejtat e grave dhe dhunën në familje.

Arti ka fuqinë e magjishme për të na bërë të ndjejmë, na fton të përfytyrojmë realitete të ndryshme. Filmi që ndoqëm bashkërisht bazohet në ngjarje të vërteta dhe paraqet konfliktin e trashëgimisë mes vëllait dhe motrës, mes të drejtave tradicionale dhe juridike. Përmes artit, ne mund të rrisim sensibilizimin për të drejtat e njeriut, të nxisim angazhimin publik dhe të përkrahim ndryshimin.

Ndërthurja e artit, të drejtave të njeriut dhe, sigurisht, këndvështrimit të çmuar të grave të privuara nga liria, e bën këtë forum sot kaq të fuqishëm dhe unik.

Dua ta nis me një të vërtetë themelore, një pikë që shpesh harrohet: çdo njeri ka të drejta. Po, po, çdo njeri, edhe ata në konflikt me ligjin, ndërsa Shteti e ka për detyrë që t'i mbrojë ato.

Në OSBE, ne besojmë se privimi i lirisë duhet të jetë mjeti i fundit; prej shumë vitesh tashmë, jemi angazhuar për mbrojtjen e personave në burgim, duke inkurajuar aplikimin e masave alternative ndaj burgosjes, sidomos për gratë. Gjithashtu, kemi bërë fushatë kundër dhunës në familje dhe kemi luftuar për ta thyer kulturën e heshtjes, duke nxitur viktimat ta ngrenë zërin. Thyerja e heshtjes kërkon forcë dhe kurajë, por gratë duhet ta dinë që ka njerëz me vullnetin dhe mundësinë për t'i ndihmuar.

Shumë gra të dënuara kanë përjetuar abuzim fizik dhe psikologjik në fëmijëri; disa kanë varësi ndaj drogës, e disa nuk kanë pasur asnjë lloj mbështetjeje gjatë fëmijërisë, adoleshencës apo moshës së rritur. Disa gra në konflikt me ligjin vijnë nga situata të vështira varfërie të skajshme dhe/ose i përkasin minoriteteve duke u bërë shpesh objekt stigmatizimi, përjashtimi shoqëror dhe diskriminimi. Në shumicën e rasteve, para se të shkelnin ligjin, ato kanë qenë viktima të abuzimit nga partnerët e tyre.

Ne duhet të zgjidhim problemet sociale dhe ekonomike që shtyjnë gratë drejt krimit. Dhuna, tabutë morale, presioni shoqëror, varfëria apo krizat familjare, të gjithë këto mund të jenë faktorë. Gratë janë shpesh viktima dhe keqbërëse në të njëjtën kohë. Ne duhet t'i ndihmojmë gratë në situata abuzive që të kërkojnë mbrojtje, si edhe t'i fuqizojmë nga ana sociale dhe ekonomike. E për gratë e privuara nga liria, duhet të përqendrohemi në rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre.

Në OSBE, ne investojmë në nisma që mbështesin shkelësit e ligjit të rrisin aftësitë dhe të përmirësojnë perspektivën e punësimit. Disa prej projekteve tona kanë kontribuar në rritjen e mundësive për punësim të grave të burgosura, të cilave u mungonte shkollimi i duhur për të nxjerrë jetesën. Këto projekte synonin fuqizimin e tyre, t'i orientonin që të fitojnë pavarësinë financiare, me qëllim që të mbështesin më mirë familjet e tyre pas lirimit. Pa përmendur faktin që kështu reduktohet edhe mundësia e recidivizmit, gjë që sjell stabilitet social edhe për shoqërinë.

Jorge Luis Borges (shkrimtar argjentinas) ka thënë “Unë besoj, se të gjithë njerëzit në përgjithësi duhet ta shohin atë që u ndodh, si një burim. Gjithçka që na jepet, na është dhënë për një qëllim. Gjithçka që na ndodh, edhe poshtërimet, fatkeqësitë, sikletet, të gjitha na jepen si lëndë e parë, si argjila, që ne t'i japim formë artit tonë“.

Gratë në këtë sallë kanë kaluar momente të vështira dhe i kanë shfrytëzuar ato për të formësuar artin e tyre; prandaj, mezi pres ta shoh ekspozitën që keni përgatitur për ne.

Dua të falënderoj stafin e Akademisë së Filmit Marubi dhe drejtorin e saj, Kujtim Çashku, që e bënë të mundur këtë forum; përmes këtij filmi dhe diskutimi, na keni dhënë mundësinë të reflektojmë mbi problematikat me të cilat përballen gratë sot.

Për ta mbyllur, dua të theksoj mbështetjen tonë të vazhdueshme për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në ndryshimin e kuadrit ligjor aktual, si edhe asistencën tonë për të mbrojtur më mirë të drejtat e njeriut të shkelësve të ligjit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat