PS tërhiqet nga mbetjet, Vasili: Qëndrim politik, duan të fitojnë kohë!

Shqipëria

PS tërhiqet nga mbetjet, Vasili: Qëndrim politik, duan të fitojnë kohë!

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 12:58
Petrit Vasili

Ligji për mbetjet i është rikthyer Kuvendit të Shqipërisë që në kohën kur president ishte Bujar Nishani, në mes të dhjetorit të vitit 2016. Por komisioni përgjegjës që ka shqyrtuar draftin-ligjin, nuk e ka futur në procedura parlamentare për ta rikthyer sërish në Kuvend me ndryshimet që ishin premtuar t’i bëheshin.

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, ka sqaruar në një takim me gazetarët, atë se çfarë ka ndodhur brenda koalicionit PS-LSI, ende pa u zhvilluar zgjedhjet e 25 qershorit 2017, që mbajtën në pushtet të vetme PS-në dhe tashmë LSI është në opozitë.

Vasili solli edhe një herë në kujtesë, përse në emër të LSI-së kërkoi që ligjit t’i shtohej një amendament, që kishte të bënte me kontrollet në dogana për mbetjet e riciklueshme që do të hynin, në mënyrë që të mos kishte asnjë dyshim se mund të kishte abuzime me lëndë të rrezikshme për shëndetin e shqiptarëve. Votimi i këtij ligji – kujtoi Vasili – ishte në kushtet e mirëbesimit të plotë brenda koalicionit.

“Nuk ishim ne që udhëhiqnim, komisioni drejtohej nga Partia Socialiste. Unë propozova amendament për të rritur vëmendjen në këtë proces, me dyshimin se diçka nuk mund të ecte mirë në kushtet e një mosbesimi publik që ishte përhapur”.

Por pavarësisht amendamentit, Presidenti i asaj kohe Bujar Nishani e ktheu në Kuvend ligjin për mbetje, ku një nga argumentet, ishin “procedurat e përshpejtuara, në mungesë informacioni, transparence dhe pjesëmarrje të qytetarëve”.

Por në kushtet kur presioni qytetar është ende i madh kundër këtij ligji të pazbatuar, gjatë ditës së djeshme kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste njoftoi tërheqjen nga ky ligj. Këtu lind një tjetër debati, ku siç shpjegon Petrit Vasili, nuk mund të bëhet tërheqje, pasi nuk bëhet fjalë për një nismë, projektligj, por për ligj që ka kaluar nga Kuvendi dhe po në Kuvend duhet të votohet.

“Ligji nuk mund të tërhiqet. Është pronë e Kuvendit të Shqipërisë Duhet të miratojë dekretin përkatës të presidentit. Duhet të vijë në kuvend Kjo cështje është mbyllur brenda 24 orëve”, tha Vasili duke u treguar mosbesues ndaj kësaj tërheqje. Ai tha se arsyeja e vërtetë është tjetër. Sipas Vasilit bëhet fjalë për një “qëndrim të strukturuar politik për ta bllokuar këtë nismë dhe për të fituar kohë”

Në lidhje me reformën zgjedhore, komisioni i së cilës pritet të nisë punën së shpejti, Petrit Vasili është shprehur se çështja nuk qëndron tek lloji i sistemit, mazhoritar apo proporcional, por tek fakti se në Shqipëri, vota është e pabarabartë dhe blihet masivisht. Kreu i grupit parlamentar të LSI-së u shpreh se edhe sikur të bëhet votimi elektronik, sërish, vota mund të blihet dhe kjo është sëmundja e zgjedhjeve në Shqipëri.

“Sëmundja e pashërueshme ka qenë, dikur manipulimi dhe tjetërsimi i votës, kurse sot është vjedhja nëpërmjet parave të drogës... pa u rregulluar kjo, çështja e llojit të sistemit nuk është e parëndësishme. Çmimi i votës u bë si bursa, ku çmimi i votës u bë në një zonë me 100 euro, në një zonë tjetër me 200 euro e kështu me radhë.”-tha Vasili.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat