Ndodh çudia në Shqipëri, paguhet 10 vite si shofer i autoambulancës, por mjet nuk ka

Shqipëria

Ndodh çudia në Shqipëri, paguhet 10 vite si shofer i autoambulancës, por mjet nuk ka

Më: 20 shtator 2017 Në ora: 22:09
Ilustrim

Qendra Shëndetësore Trebinjë, në zonën e Mokrrës në Pogradec, paguan një shofer autoambulance prej 10 vitesh.

Mjeti iu dhurua Qendrës Shëndetësore nga ish-deputeti Maqo Lakrori në vitin 2005, gjatë fushatës elektorale. Autoambulanca funksionoi vetëm dy vite, ndërsa që nga 2007-ta është i amortizuar. Pacientët e kësaj zone transportohen drejt spitalit të Pogradecit dhe Korçës me mjete private, duke paguar nga 40 deri në 50 mijë lekë të vjetra. Megjithatë, në borderonë e Qendrës Shëndetësore, figuron i punësuar prej 12 vitesh një shofer autoambulance. 

Në redaksinë e Fiks Fare u ankuan banorë të fshatit Pleshisht dhe Trebinjë. Ata thonë se të sëmurët i çojnë në spital me kafshë dhe me makina private apo taksi. Këto të fundit marrin nga 50-60 mijë lekë. Ata thonë se ambulancë nuk mbajnë mënd, përveç një BÇ-je në kohën e komunizmit. Pas ankesave, gazetarët iu drejtuan infermieres së fshatit Pleshisht. Ajo tha se zona ka një autoambulancë dhe e përdorin për çdo rast kur ka nevojë. Pas këtyre pretendimeve, gazetarët shkuan pranë Qendrës Shëndetësore të Trebinjës. Në oborrin e godinës ndodhej edhe autoambulancë. Ajo ishte tejet e amortizuar, ndërsa dukej se nuk funksiononte prej vitesh. 

Drejtori i Qendrës Shëndetësore Trebinjë, Genci Muço, tha se i shërbejnë 15 fshatrave me një popullsi prej 3200 banorësh. Ai tha se autoambulanca ka ardhur në këtë zonë në vitin 2005, nga një fushatë elektorale dhe u shtua në organikë një shofer. Mjeti shërbeu për 2-3 vjet dhe në vitin 2007 doli jashtë funksionimit. Ai thotë se i kërkoi Ministrisë së Shëndetësisë që ta mbyllin si vend pune dhe të shtojnë një infermier që të mbulojë disa fshatra. Muço thotë se më parë ka qenë një shofer tjetër, ndërsa që në vitin 2013 shoferi është ndërruar dhe shërben me një makinë të tij. 

I pyetur se, përse erdhi sërish një shofer kur nuk ka autoambulancë, ai tha se nuk ka kompetenca për të marrë personel. Më tej shtoi se ndryshimi i shoferit është bërë në kohën e rotacionit të pushtetit. Në fund, ai pohoi se më mirë të emërohet një infermiere sesa të ketë në organikë një shofer autoambulance.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat