Policia dhe RENEA për gjueti/ Trondit gazetarja, Lala: Dy banda kontrollojnë qytetin e Elbasanit

Shqipëria

Policia dhe RENEA për gjueti/ Trondit gazetarja, Lala: Dy banda kontrollojnë qytetin e Elbasanit

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 23:25
Klodiana Lala

Akti i dhunës mbi policinë që u ushtrua para dy ditësh në qytetin e Elbasanit nga një “biznesmen”, me shumë gjasa ka rezultuar një “majë icebergu” për dyshime më të mëdha.

Ditën e sotme në mëngjes, rreth orës 06:00, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka mbërritur në Elbasan në një operacion të fuqishëm policor.

Në lidhje me këtë ngjarje, pjesa e tretë e emisionit “Opinion” në TV Klan, i është kushtuar kësaj historie, ku sonte në ndihmë të policisë së rrethit të Elbasanit, kanë mësyer edhe forcat RENEA, si dhe forca të tjera të Ndërhyrjes së Shpejtë të ardhura nga Tirana.

Gazetarja Klodiana Lala theksoi se është një operacion i kamufluar që ka për qëllim sekuestrimin e një sasie të madhe të heroinës që dyshohet se kishte hyrë në Elbasan.

Lala bëri me dije se më shumë se një vit e gjysmë partnerët ndërkombëtarë kanë informuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe Policinë e Shtetit se Elbasani është shndërruar në një qendër të fuqishme të trafikut të heroinës.   

Ajo tha se heroina ka hyrë në Shqipëri përmes dy rrugëve: njëra është nga Turqia dhe tjetra nga Greqia, nëpërmjet doganës së Qafë Thanës, më pas droga shpërndahej në tregun vendas. Gazetarja tregoi se kjo sasi droge ka origjinë afgane dhe një pjesë e saj shpërndahej edhe në tregun europian.

Lala ka treguar se qytetin e Elbasanit e kontrollojnë dy banda shumë të fuqishme të cilat është e pamundur të kapen nga policia e rrethit, pasi gjenerojnë fitime të mëdha monetare dhe kanë po ashtu lidhje të fuqishme politike. 

Sipas saj, policia vendosi që nën petkun për të sekuestruar makinat luksoze në atë qytet me kinse idenë se janë vënë me pasuri të paligjshme, ka pretenduar për të sulmuar këto dy grupe. Në lidhje me aksionin në fjalë duke qenë se policia e Elbasanit ishte e pafuqishme për të realizuar një aksion të tillë, ka thirrë në ndihmë Forcat Speciale nga Tirana.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat