Shalsi: Dekreti i plehrave, kapitull i mbyllur

Shqipëria

Shalsi: Dekreti i plehrave, kapitull i mbyllur

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 10:03
Eduard Shalsi

Qeveria ka hequr dorë përfundimisht nga ligji i mbetjeve i miratuar në shtator të vitit të kaluar vetëm me 63 vota të socialistëve. Ky ligj i kthyer nga ish-Presidenti Nishani është futur në kalendarin katër-javor të punimeve por qeveria ka vendosur që dekretin ta lërë plotësisht në harresë. Partia Socialiste ka vendosur që të rihap debatin për ligjin që lejon import të plehrave nga Europa për riciklim në Shqipëri, ndërsa ligji aktual që qëndron në arkivat e Kuvendit që prej vitit të shkuar, konsiderohet i rënë, pa kaluar për votim. Këtë e ka konfirmuar një prej nismëtarëve të ligjit, deputeti socialist, Eduard Shalsi. Në një prononcim, Shalsi tha se dekreti i Nishanit për ligjin e mbetjeve ka “vdekur”, duke folur për një situatë të re. “Dekreti ka “vdekur” së bashku me propozimin. Legjislature e re, President i ri! Vullneti i legjislaturës kaluar ka përfunduar me çeljen e së resë! Institucioni i Presidentit është monokratik, pra shpreh vullnetin e një njeriu që nuk është me në atë pozicion sepse është zëvendësuar nga një tjetër. Pra është kapitull i mbyllur”, u prononcua Shalsi.

Ndërkaq, dy ditë më parë Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkuan qeverisë që të hedh në votim dekretin e Nishanit për plehrat dhe të rrëzohet një herë e përgjithmonë me votë në Parlament. Siç duket Partia Socialiste do nuk e hedh në votim dekretin e Nishanit, që e riktheu ligjin për importin e mbetjeve, për ta rishikuar. Rishikimi i atij ligji nuk do të bëhet, ndërsa qeveria ka paralajmëruar përgatitjen e një ligji të ri, për të cilin ende nuk ka detaje për përmbajtjen. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla në fillim të kësaj jave njoftoi se qeveria është tërhequr nga ai dekret por jo nga ligji. Propozimi i Partisë Socialiste është nisja edhe një herë të diskutimeve, nëse vendi duhet të ketë një ligj që lejon import mbetjesh nga jashtë dhe si duhet rregulluar kjo. Kjo tërheqje është pritur me shumë skepticizëm.

Opozita dhe aktorë të tjerë politikë e kanë parë tërheqjen e qeverisë si një lëvizje taktike dhe se qëllimi kryesor është të kalojë vala e kundërshtimeve që është shkaktuar në opinionin publik. “Ka ardhur koha të rishikohet ligji për mbetjet. Sqarimi për ligjin aktual nuk u kuptua si duhet. Do të realizojmë një debat cilësor me aktorë seriozë. Qëllimi ynë është që ta pastrojmë Shqipërinë”, ka thënë Shalsi në një intervistë televizive dy ditë më parë, duke konfirmuar faktin se qeveria do të vijë me një ligj të ri që sërish do të ketë qëllim bërjen të mundur sjelljen e mbetjeve në Shqipëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat