Peshkatarët në Darëzezë njoftuan për mjetin e drogës dy javë më parë

Shqipëria

Peshkatarët në Darëzezë njoftuan për mjetin e drogës dy javë më parë

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 10:22
Pamje nga vendi i ngjarjes

Krimet e Rënda kanë në duar dosjen në lidhje me trafikimin e mbi një toni drogë që dështoi tri ditë më parë. Tashmë në pranga janë dy persona, të cilët me sa duket kanë patur probleme me mjetin tejet të përshtatshëm për të kryer rrugë edhe në një kohë kur deti i kalonte të 5 ballët.

Nga të dhënat e para bëhet me dije se jo pak herë është njoftuar policia për lundrimin e atij mjeti në zonën e Darëzezës, fakt ky që mësohet se kishte vënë në lëvizje policinë prej kohësh, edhe pse në fakt në momentin e fundit, vetëm një defekt teknik e ka ndaluar moskryerjen e kalimit të sasisë prej 1.2 ton kanabis drejt Italisë. Droga e sekuestruar një ditë më parë në Fier së bashku me anijen lundruese velier, ishte në monitorim prej dy javësh.

Një ndihmë thelbësore për Prokurorinë dhe Policinë kanë dhënë peshkatarët e zonës, duke informuar organet ligjzbatuese për dyshimet mbi këtë mjet lundrues. Veliera nga u hodh droga e sekuestruar të mërkurën në grykëderdhjen e Semanit, ishte prej dy javësh në monitorim të rreptë. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, bëjnë me dije se oficerë të policisë gjyqësore dhe efektivë të Delta Force kishin rënë në gjurmët e trafikantëve të lëndës narkotike me destinacion Italinë. Sasia rekord e kanabisit prej 1.2 tonësh u gjet e hedhur bregdet në zonën e Darëzezës pranë Hidrovorit të Hoxharës. Edhe pse organet ligjzbatuese pretendonin se e kishin në monitorim anijen me vela, përsëri është e pashpjegueshme se si u arrit që droga të imbarkohet në brendësi të mjetit lundrues.

Një ndihmë të madhe për të rënë në gjurmët në trafikantëve të drogës kanë dhënë edhe peshkatarët e zonës, të cilët kishin njoftuar më herët organet e rendit për praninë e një veliere që sillej në mënyrë të dyshimtë nëpër vendin ku ata peshkonin. Në raportin e policisë, thuhet se dy personat që drejtonin mjetin, Giovanni Palladino 69 vjeç dhe Veli Ymeraj 35 vjeç, të prangosur tashmë, në momentin e nisjes kishin patur problem me motorin e mjetit ujor.

Këto anije janë shumë të përshtatshme për të lundruar edhe në mot të keq dhe për këtë arsyer trafikantët kishin zgjedhur të lundronin në det, kur ky i fundit ishte mbi 5 ballë. Uniformat blu njoftuan se u gjetën edhe dy armë gjahu pa leje, dy aparate GPS dhe një palë dylbi. Ndërsa si në shumicën e rasteve, sidomos në gjatë aksioneve të fundit anti-kanabis në brigjet shqiptare, morën pjesë edhe Roja Bregdetare e Guardia di Financias. Vetëm disa ditë më parë një mjet lundrues u kap në portin e vjetër të Vlorës me rreth 1 ton kanabis, ndërsa skafistët mundën t’i shpëtonin ndjekjes së policisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat