Super operacioni, shoqërohen 27 shtetas, bllokohen disa makina

Shqipëria

Super operacioni, shoqërohen 27 shtetas, bllokohen disa makina

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 10:43
Haki Çako

Forcat speciale RENEA dhe FNSH kanë zhvilluar një tjetër aksion masiv në qytetin e Elbasanit duke kontrolluar, identifikuar, kapur dhe arrestuar personat në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, autorëve të ngjarjeve të rënda kriminale, pjesëtarë të grupeve kriminale, duke përfshirë edhe autorët e ngjarjes së 3 ditëve më parë që u përplas makina e policisë.

27 persona janë shoqëruar dhe disa makina luksoze janë bllokuar në bazë të këtij superoperacioni. Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Shtetit, ky operacion u zhvillua edhe në kuadër të Plan Operacionit “Vjeshtë 2017”, për identifikimin, konstatimin dhe sekuestrimin e aseteve, automjeteve dhe pasurive të vendosura në mënyrë të paligjshme nga veprimtaritë kriminale të grupeve apo organizatave kriminale.

Të njëjtat burime pohuan se, nga veprimet e deritanishme, janë identifikuar dhe bllokuar disa asete, pasuri, ambiente dhe automjete të ndryshme në pronësi, posedim apo përdorim të subjekteve me aktivitet kriminal. “Me qëllim hetimin e plotë ligjor dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve po bashkëpunohet me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese”, thotë Policia e Elbasanit, shkruan shekulli. Si rezultat i operacionit të djeshëm u bllokuan disa makina luksoze. U kap një person në kërkim për vjedhje me armë. U shoqëruan në ambientet e policisë 27 persona për verifikim, kryesisht persona me precedentë penalë në fusha të ndryshme.

Reagimi

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako ka reaguar menjëherë pas operacionit të zhvilluar në Elbasan. Çako ka qëndruar në këtë qytet për rreth 8 orë, ku ka zhvilluar takime me strukturat e drejtorisë së policisë dhe njëkohësisht ka ndjekur nga afër operacionin.

“Organizuam një operacion të gjerë që konsiston në kontrollin, identifikimin dhe arrestimin e personave me precedentë penale, veçanërisht në Elbasan duke marrë shkas edhe nga ngjarja ku u godit një makinë e policisë. Në këtë kuadër shpreh gatishmërinë e Policisë së Shtetit Qeverisë dhe Ministrit të Brendshëm në luftë pa kompromis ndaj të gjithë organizatave kriminale. Jemi të vendosur t’i vëmë para përgjegjësisë ligjore po ashtu jemi të vendosur që në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjykatën të arrestojmë personat që sfidojnë shtetin. Ne kemi ndërmarrë këtë operacion, që nuk do jetë vetëm në Elbasan, por në gjithë qytetet në bazë të informacioneve që kemi do t’i godasim.

Janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm shtetasish dhe do vazhdohet edhe më tej. Kërkojmë bashkëpunimin e Gjykatës dhe Prokurorisë që të arrijmë së bashku të sigurojmë rend dhe qetësi publikë”, është shprehur drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ai ka pohuar se personi që goditi makinën e nëndrejtorit të policisë së Elbasanit është identifikuar dhe aktualisht policia po analizon situatën bashkë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ndërkohë, burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se operacione të tjera të ngjashme me këtë të Elbasanit do të vijojnë edhe në qytete të tjera të vendit. “Të tjerë persona me rrezikshmëri do të vihen në pranga”, shprehen burimet nga policia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat