Detajet: Mbledhja e kryesisë nxjerr në pah linjat rivale në PD

Shqipëria

Detajet: Mbledhja e kryesisë nxjerr në pah linjat rivale në PD

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 11:00
Lulzim Basha

Jemin Gjana tenton të godasë Valbona Mezinin. Basha kritikohet për humbjen e zgjedhjeve. Kryetari i PD-së bën thirrje për bashkim, por jep edhe një mesazh se sulmet ndaj njëri-tjetrit i shërbejnë vetëm Edi Ramës.

Reformimi dhe modernizimi i Partisë Demokratike nuk pritet të kalojë paqësisht mes demokratëve.

Në kryesinë e mbrëmshme të PD-së e mbledhur pikërisht për këtë çështje mësohet se janë zhvilluar debate të ashpra kryesisht mes dy linjave në PD, njëra që kërkon legalizimin e fraksioneve dhe mbajtjen e përgjegjësive nga ana e kryetarit për humbjen e zgjedhjeve dhe linja tjetër, që i mëshon modernizimit në njërën anë dhe trumbetimit nga ana tjetër të idesë se zgjedhjet e 25 qershorit u vodhën.

Te vjedhja e zgjedhjeve mësohet të jetë fokusuar edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili ka kërkuar që të identifikohet infrastruktura e blerjes së votës me emra konkretë në çdo zonë të Shqipërisë.

Por pas fjalës së Bashës tonet në kryesinë e PD-së nuk kanë qenë të qeta. Fjalën pas tij mësohet se e ka marrë Jemin Gjana, i cili drejtoi edhe procesin e votimit të zgjedhjeve në PD për kryetarin e partisë në fund të muajit korrik.

Burime nga mbledhja thanë se gjatë kohës që Gjana po fliste, ka ndërhyrë disa herë sekretarja për Organizatat Partnere, Valbona Mezini, njëkohësisht anëtare e kryesisë.

Sipas burimeve nga PD, Mezini mësohet se ka akuzuar Gjanën se ka udhëhequr manipulimin e garës për kreun e PD-së për llogari të Lulzim Bashës.

Kjo situatë ka sjellë debat mes tyre duke u përplasur fillimisht verbalisht e më pas mësohet se është tentuar edhe një konfrontim fizik ndaj Mezinit nga Jemin Gjana.

Ndërhyrja në kohë e deputetëve të pranishëm në mbledhje, ka qetësuar situatën e për pasojë edhe shmangien e një incidenti të panevojshëm mes tyre.

Gjatë kryesisë, Mezini mësohet të ketë replikuar edhe me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.

Ajo ka kërkuar sinqeritet ndaj demokratëve sepse vetëm në këtë mënyrë sipas saj PD-ja mund të ringrihet. Mezini ka përmendur disa gabime që janë bërë, duke filluar me mënyrën se si u menaxhua situata parazgjedhore që me ngritjen e çadrës, e deri te mbyllja e saj përmes marrëveshjes Rama-Basha.

Ajo ka kritikuar gjithashtu skuadrën që u përfaqësua në zgjedhje duke mbërritur deri te situata e fundit, ajo e krijuar në Kuvend me rrjedhjen e tre votave pro Gramoz Ruçit.

Për debatin në fjalë ka folur edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Fillimisht ai ka kërkuar respekt ndaj njëri-tjetrit, duke iu referuar incidentit Gjana-Mezini. Më pas ai është shprehur se mban përgjegjësitë e tij për humbjen por se sulmet ndaj njëri-tjetrit i shërbenin vetëm Edi Ramës.

Basha ka deklaruar se është i hapur për bashkimin dhe mirëpret çdo kontribut, porse çdo sulm pa fakte dhe me hamendësime ndaj PD dhe lidershipit të saj është veçse një shërbim që i bëhet Edi Ramës.

Referuar burimeve, Basha mësohet të jetë shprehur se kush është kundër PD-së do të dalë jashtë “gardhit”, pasi s’ka punë në parti.

Ai ka nënvizuar gjithashtu se ndryshimet statutore kanë si qëllim vitalizimin dhe reformimin e partisë, duke rritur në këtë mënyrë edhe rolin e anëtarësisë.

Gjatë mbledhjes ka replikuar edhe Endira Bushati, e cila i ka kërkuar llogari kryetarit të PD-së Lulzim Basha për situatën në PD, duke filluar që me mënyrën e hartimit të listave të deputetëve, emrat që u përzgjodhën për zona të caktuara e deri te situata e deritashme.

Në mbledhjen e djeshme ka ndërhyrë edhe Arben Imami, duke i kërkuar Bashës që edhe ky i fundit të jetë pjesë e analizës së humbjes së zgjedhjeve.

Imami mësohet të jetë shprehur se analizën më të saktë për humbjen e PD-së e ka bërë Sali Berisha dhe media.

Megjithatë, ai ka nënvizuar se është i hapur për bashkim por se Basha duhet të japë prova besimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat