Dhëndri i Berishës, 6 pyetjet që nuk u përgjigj Lulzim Basha

Shqipëria

Dhëndri i Berishës, 6 pyetjet që nuk u përgjigj Lulzim Basha

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 08:01
Mbledhja e kryesisë

Mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike pasditen e së enjtes ishte ndër më të tensionuarat në historinë e së djathtës. Një mbledhje me debate të forta, ku u dhanë ide, qëndrime se si mund të dilet nga kllapia që e ka përfshirë PD-në. Por më shumë se çdo gjë, në kryesi, në mënyrë të (pa)organizuar u “krijuan” grupet. Njëra palë e mbështeti qorrazi Bashën dhe pala tjetër e sulmoi po qorrazi. Po shumica donin debati të zhvillohej pa linçime. Në mbledhjen e kryesisë së PD-së, Kryetari i Departamentit të Mjedisit dhe Turizmit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi i kërkoi Lulzim Bashës që të ishte më i disponueshëm me kolegët. Deklarata e Malltezit, i cili është njëkohësisht edhe dhëndri i liderit historik të PD Sali Berisha, janë ironizuar nga Genc Pollo. “Në fakt kryetar, këtë shqetësimin e interaktivitetit në lidhje me ju e kam edhe unë. Duhet të jeni me disponibël me kolegët, se edhe unë kam ngelur pa përgjigje në disa SMS që ju kam dërguar”, mësohet të ketë thënë Pallo. Përballje të forta u zhvilluan nga Tritan Shehu, Luçiano Boçi dhe Albana Vokshi të cilët kundërshtuan anëtarët e kryesisë teksa i kërkonin llogari Bashës për listat dhe humbjen e thellë. 
Debatet e pazbardhura
Tritan Shehu: Lista e PD-së nuk ishte listë kundër “klaneve”. Më duhet të them se është abuzuar nga një pjesë e kritikëve me listën e PD-së. Nuk ishte as listë përjashtuese. Është normale të kemi rezerva për emrat e kandidatëve që propozohen, por kjo nuk na jep të drejtë që të dalim me konstatime se të gjithë ata që nuk ishin në listën e PD-së, Basha i la jashtë se i kishte rivalë. Z. Basha në asnjë moment nuk i ka parë ata që e kritikuan si klan. Ata janë dhe do të jenë pjesë e PD-së. Lista përmban emra të rinj, por edhe njerëz me eksperiencë, asete të PD-së dhe historisë së saj. Tashmë të gjithë duhet të bashkojnë forcat dhe të përqendrohemi në aksionin tonë opozitar.
Gent Malko: Duhet ta pranoni atë që ka ndodhur dhe procesi i autoreflektimit nuk nis pa këtë pranim. Unë do të isha i pari që do tërhiqesha nga kritikat që me herën e parë nëse pranohet gabimi dhe ajo që ka ndodhur.
Luçiano Boço: Diskutimi ynë është i vlefshëm sado që disa prej nesh mund të jenë pak emocionalë. Por unë do të kërkoja që të jemi më konstruktivë gjatë argumenteve që ofrojmë. Ndërsa kur jemi te anëtarët e kryesisë, disa prej jush duhet ta dinë se kryesia nuk është vend ku vihet për të bërë sfilatë: kush flet më bukur si servilë apo si kundërshtar i Bashës. Në kryesi duhet të flasim se çfarë mesazhesh duhet të përcjellim te ata demokratë që na kanë dhënë besimin për të përfaqësuar këtë kryesi.
Nevila Sokol Xhindi: Në këtë mbledhje si kurrë më parë ka debat, ka analizë e kërkesë llogarie. Më në fund po i themi me zë brenda forumit tonë ca të vërteta për të cilat kemi qenë objekt e subjekt i abuzimit mediatik, por edhe i fyerjeve e debateve të nxehta në tavoline kafeje. Nëse do e vlerësoja sinqeritetin e debatit këtu brenda një shkalle mjaftueshëm- mirë-shumë mirë, do e vlerësoja mjaftueshëm, sepse ndiej ende tension të lartë. Megjithatë është më mirë të fillojë kështu. Së pari, dua të ndalem tek besimi dhe fryma e PD-së. Mendoj që ka ardhur dita që të rishikojmë/ndërtojmë platformën tonë ideologjike politike. PD duket në hallakatje tezash politike e për pasojë diskursi jonë politik nuk jep frymë e besim. Duhet të ngremë një grup që të punojë intensivisht për linjën ideologjike të PD-së së 2017-ës. Kjo do vendoste shinat për alternativa politike sektoriale dhe do ndihmonte grupin parlamentar për betejën politike në parlament. Pra mendoj na duhen ideologë të djathtë që ta vendosin partinë në shtratin e duhur ideologjik. Na duhet platformë alternative që të japë frymë, shpresë dhe ta “përkthejmë” për njerëzit e thjeshtë. Së dyti: më duket vet-izolues debati “të rinj- të vjetër” ..kam kaq e aq vite në PD. Me zhvillimin e njëanshëm të këtij koncepti, duket sikur ca kthehemi në pronarë dhe ca të tjerë në hyzmeqarë për arsye se iu bashkuan partisë sot dhe jo dje. Le t’i lëmë emocionet dhe personazhet në shtëpi, partia ka nevojë për kontribute dhe përfshirje pa etiketim ” i ri /i vjetër”. Së treti, dua të theksoj se duhet më kujdes në përdorimin e termit “militant”. Mua më ngjan fyes dhe jo gjithëpërfshirës. Sugjeroj që të përdorim pak më shumë fjalë, por që janë përfaqësuese si: simpatizantë, mbështetës, anëtarë të PD-së. Shpesh edhe një term të armiqëson e të keqkupton. Fundja kush do donte të quhej militant në 2017-ën.
Jorida Tabaku: Nuk është aspak mirë që kolegët në Kryesi të shajnë drejtues aktualë dhe të lidershipit të kaluar. Përsa i përket analizës, duhen dërguar njerëz me eksperiencë dhe jo arrogantë. Të fillojmë të punojmë, të dalim në terren. Me vjen mirë që Kryesia u mblodh dhe ta përdorim si forum për diskutime se nuk me vjen mirë që dëgjoj e lexoj sulme ndaj anëtarëve aktualë dhe të kaluar të lidershipit. Çdo gjë perceptohet nga anëtarët e kjo frymë sigurisht nuk ndihmon askënd.
Kreshnik Çollaku: Në këtë mbledhje duhet të ketë debat dhe qëndrime të ndryshme. Kjo është vlerë. Por duhet të ruajmë etikën. Unë jam që debati të bëhet pa linçime, jam për garë por jo strategji bllokuese. Unë jam që të ketë ide të ndryshme për garë, dhe këto të mos shihen si kundërshtarë, të mos refuzohen, të mos konsiderohen si rivalë. Të mos ketë në këtë betejë heronj dhe tradhtarë. Ne duhet t’i thërrasim arsyes që të bashkohemi e jo të përçahemi, ne kemi nevojë të korrigjojmë gabimet dhe jo të nxisim njëri-tjetrin të gabojmë.
Jamarbër Malltezi: Kryetar, ju nuk keni qenë bashkëpunues me ne. Madje as në kohën e protestës në çadër ju nuk keni qenë i disponueshëm. Ju kam dërguar katër mesazhe dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Si mund ta kuptojmë ne këtë mënyrë komunikimi?! Kur ju nuk i ktheni përgjigje një anëtari të kryesisë çfarë mund të ndodhë me pjesën tjetër?
Genc Pollo: Partia ka hierarki. Kryetari nuk ka kohë t’i përgjigjet të gjithëve. Në fakt kryetar, këtë shqetësimin e interaktivitetit në lidhje me ju e kam edhe unë. Duhet të jeni me disponibël me kolegët, se edhe unë kam ngelur pa përgjigje në disa SMS që ju kam dërguar.
Genc Strazimiri: Kur kam parë listën të them të drejtën më janë prerë krahët. Jam surpizuar me disa prej emrave që më panë sytë. Nuk i prisja. kishte emra që nuk i kisha parë ndonjëherë në PD. Por pavarësisht të gjithave Partia Demokratike gjatë këtyre 27 viteve ka kaluar një kalvar të gjatë vështirësish. Por gjithmonë ka ditur të ringrihet. Ky debat që u zhvillua sot është një tregues tjetër që më bën të mendoj se PD ka shpresë të ringrihet.
Endira Bushati: Mbështetja ime për ju personalisht nuk ju ka munguar kurrë, dhe ditën kur ju kërkova dorëheqjen, por unë sot do të doja të kisha përpara një kryetar me autoritet moral, përmes një procesi real ku të gjithë të besonin. Ndërkohë ju zgjodhët rrugën më të shkurtër për veten dhe më të dëmshmen për partinë.
Edi Paloka: Sigurisht që unë do bëja listë ndryshe nga Basha dhe ju po të ishit do vendosnit listë tjetër. Unë jam me parimin që njerëzit duhet të maten dhe peshohen dalëngadalë në karrierë e më pas t’u jepen përgjegjësi”,- tha Paloka.
Lulzim Basha: Demokratët presin dhe meritojnë përmes një procesi përbashkues një perspektivë për nesër. Dhe kjo perspektivë duhet të vijë përmes konsultimit për ndryshimin që partia duhet të ketë. Unë kam dëgjuar përmes medias, por edhe personalisht, nga anëtarë të kryesisë, dëshirën për t’i paraprirë dhe për t’i dhënë formë institucionale nevojës për ndryshim. Është debat i superuar ky. Ne mund ta bëjmë, shumë gjëra kanë ndodhur në tre vjet që nuk kanë qenë në përputhje me statutin. Disa prej tyre janë përgjegjësi e imja. Ne duhet të shkojmë me një vullnet përbashkues për ta forcuar PD-në.

6 pyetjet e Malltezit që gozhduan Bashën

1. A ishte kjo fushata e duhur kundër kundërshtarit që nuk kishte mbajtur asnjë nga 41 premtimet e dhëna në 2013?
2. Ku pati ndonjë spot TV apo fletëpalosje zyrtare që t’i kërkonte llogari dhe kujtonte shqiptarët për premtimet e pambajtura pra që Edvin Rama është mashtrues?
3. A ka nevojë PD për Këshillin Kombëtar? Nëse po pse ka mbi 3 vjet që nuk mblidhet në kundërshtim me statutin? Nëse jo, eja e shkrijmë si forum.
4. A ka nevojë PD për kryesinë? Nëse po pse nuk diskutohen temat e rëndësishme në kryesi?
5. A ka nevojë PD për departamentet, apo jo? A do i respektojmë dhe degjojmë apo do i zëvendësoni me personazhe që lëvizin sipas interesave vetjake?
6. A është mirë që u hoqën të gjitha postet e punës të drejtuesve të Departamenteve nga selia e PD? Të gjithë ne kemi zyra dhe disa vende pune, por prapë përpiqeshim të vinim 1 orë në seli të sillnim intelektualë dhe media në një mjedis model pune. U hoqën postet e punës dhe dosjet që kishim përgatitur. Dhe pastaj çuditet ndonjeri këtu pse në selinë e PD-së nuk gumëzhijnë njerëz. Egoja shkoi përtej arsyes. A ishte Lista Basha apo Lista e PD-së?

Sekretarja e PD-së: Ja pse iu sula Gjanës në Kryesinë e PD-së

Sekretarja për organizatat partnere në PD, Valbona Mezini ka reaguar pas lajmeve që zbardhën sherrin mes saj dhe Jemin Gjanës në mbledhjen e Kryesisë së PD-së të enjten në “selinë blu”.
Reagimi
Po zgjedh të flas me gjuhën e thjeshtë për t’iu drejtuar qytetarëve demokratë dhe jo vetëm, gjithë qytetarëve shqiptarë që duan një Shqipëri ku mbizotëron mentaliteti gjithëpërfshirës për të bërë punë të mira dhe meritokracia e jo pazari për suksesin. Një Shqipëri ku nuk është turp të mendosh ndryshe, dhe që duhet të rendesh apo vraposh për të mësuar të vërtetën e për ta thënë atë publikisht. Mungesa e njohjes së të vërtetës dhe aq më keq fshehja qëllimisht e saj kultivon totalitarizmin dhe diktaturën, për të mos thënë se sjell modën e retrospektivave ku strukturat politike ishin pronë e familjeve mafioze. Nëse nuk je njeri prej nesh, je njeri prej tyre dhe hiqesh qafe. Këtë nuk do të doja ta lejoja me çdo çmim kudo ku me jepet mundësia të përfaqësoj interesin publik, edhe në shtëpinë tonë Partinë Demokratike. Kam moralin të artikuloj nevojën imediate që ka demokratizimi i mendimit në partinë time, në partinë tonë. Këtë moral do ta kem derisa të kem frymë. Ky është morali që duhet të na ndajë nga gabimet tona, nga verbëria dhe servilizmi për të rendur pas kryetarëve që t’iu heqim qimen nga xhaketa. Brezi i ri ka ekzigjencën të mendojë për më mirë. Ka instinktin të mendojë për më larg. Lëreni rininë të mendojë dhe flasë, qoftë edhe gabim, atë le ta gjykojë koha. Ne pikërisht se heshtëm jemi në këtë humbje, madje ngaqë heshtëm vuajtëm 50 vjet diktaturën. Unë jam pasardhëse e një prej patriotëve të Vlorës të pushkatuar pa gjyq pikërisht sepse foli dhe tha se ylli nuk është i flamurit kombëtar. Sot më turren se guxova të mendoj dhe flas. Historia përsëritet por unë nuk dua ta lejoj që kjo të ndodhë në partinë tonë. Ringritja vjen përmes besimit dhe besimi duhet mbjellë për t’u korrur dhe këtë në PD duhet ta bëjnë të gjithë bashkë të vjetër, e të rinj. Përndryshe ky diell nuk do të ngrohë me dhe ky vend do të jetë streha e batakçinjve.

Tritan Shehu: Regjistrimi i audios, tentativë e shëmtuar “çimkash

Deputeti i PD-së, Tritan Shehu debatet e zhvilluara dy ditë më parë të Kryesisë së PD-së i ka cilësuar normale. Por daljen e audios brenda mbledhjes së kryesisë Shehu e ka cilësuar një turp të pajustifikueshëm. “Në mbledhjen e kryesisë u debatua, u diskutua, u rrahën mendime dhe u arritën konkluzione të rëndësishme me unanimitet. Debati, qoftë dhe me ngarkesa emocionale, nuk është “krim”, veçanërisht kur përfundimi është krejt pozitiv. Kushdo që thotë të kundërtën për atë mbledhje nuk thotë të vërtetën! Ndërkaq po dëgjoj në media jo vetëm gënjeshtra, por edhe disa regjistrime audio të asaj në mbledhje! Cilido që i ka realizuar ato, ka bërë një turp të vërtetë. Jo se ato çfarë u thanë në mbledhje kanë ndonjë problem, absolutisht jo, por se kështu shfaqet një mentalitet e tentativë e shëmtuar “çimkash”! Nëse kjo është realizuar me vendosje “çimkash” nga të jashtëm, gjë e mundshme; flet pikërisht për një veprim të inskenuar e ligjërisht të dënueshëm. Nëse kjo është bërë nga dikush brenda mbledhjes, kjo flet për një nivel moral meskin të autorëve, që në fakt kështu meritojnë vetëm përbuzje”, tha Shehu. Më tej Shehu tha se të regjistrosh nga brenda apo nga jashtë ato që diskutohen në një mbledhje të mbyllur kolegësh është e pamoralshme. “Të regjistrosh kolegët dhe t’i publikosh duke i manipuluar ato, për të transformuar atë çfarë ndodhi aty, është shumë larg vlerave minimale njerëzore, morale, politike e bashkëpunuese. Fjalët a mendimet tona nuk ka pse t’i publikojë ndokush si “skuth”; secili duhet të ketë guximin që ta bëjë vetë këtë nëse dëshiron, me figurë e zë, aq më shumë pa përdorur regjistrime “alla sigurim”. Këtë duhet ta bëjë gjithsecili në politikë ndryshe vetëm politikan nuk është!”, theksoi Shehu.

Deputeti i PD-së: Debati në kryesi skenar i përgatitur

Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri ka komentuar incidentin në mbledhjen e Kryesisë së PD-së, ku kryetari i Komisionit për Zgjedhjet në PD, Jemin Gjana, i caktuar në këtë detyrë nga Lulzim Basha ka tentuar të godasë sekretaren për Organizatat Partnere në PD, Valbona Mezini, pasi kjo e fundit e ka ndërprerë. Strazimiri tha se në mbledhje pati debat dhe kjo është gjë e mirë sipas tij. Strazimiri u shpreh se incidenti duke iu referuar audioregjistrimeve ishte i parapërgatitur. Strazimiri tha se prioritet i çdo demokrati është shpëtimi i vendit nga Edi Rama. “Për fat të mirë pati debat dhe ishte një nga mbledhjet më të mira të kryesisë. Mund t’ju them se gjithçka u zhvillua me sinqeritet. Ishte një mbledhje që zgjati rreth 5 orë dhe gjithkush dha mendimin e tij. Besoj se jemi në rrugën e duhur dhe do kemi edhe rezultatet e para, qoftë edhe emocionale. Prioriteti i çdo demokrati është shpëtimi i vendit nga Edi Rama. Nuk është aspak thelbësore incidenti dhe po të më pyesnit para pak orësh do ju thoja që emocionet janë një gjë e mirë. Por tashmë ju them që ka dalë një audioregjistrim, çka tregon që ka qenë i përgatitur. Ishte një moment emocioni deri në kufijtë e tensionit, por nuk njolloset mbledhja”, tha Strazimiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat