Çfarë i kërkon biznesi Qeverisë/ Bregasi: Të forcohet Këshilli Ekonomik

Shqipëria

Çfarë i kërkon biznesi Qeverisë/ Bregasi: Të forcohet Këshilli Ekonomik

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 08:56
Luan Bregasi

Biznesi dhe qeveria nisën diskutimet për çështje, të cilat synojnë forcimin e bashkëpunimit.  Në takimin e djeshëm, me temë “Shqipëria miqësore ndaj sipërmarrjes”, përfaqë- sues të biznesit i paraqiten disa kërkesa ministres së Sipërmarrjes, Sonila Qato. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, u shpreh se duhen ndërtuar disa mekanizma të konsultimit të përhershëm periodik mes ministrisë dhe biznesit.

Kreu i BinzesAlbania veçoi ngritjen e Këshillit Kombëtar Ekonomik të përbërë nga disa komisione.

“Këshilli Kombëtar Ekonomik, duhet të jetë pranë Ministrit të Sipërmarrjes. Pranë këtij Këshilli duhet të funksionojnë disa komisione, sipas fushave të sipërmarrjes, përfshi edhe një sekretariat permanent. Katër vitet e shkuara, Këshilli ka qenë më shumë formal. Ka ardhur koha që Këshill Kombëtar i Ekonomisë të krijohet me anën e një ligji të posaçëm. Një model si ai i Këshillit Kombëtar të Punës, i krijuar në bazë të Kodit të Punës, mund të merret parasysh për një ligj të ri të Këshillit Kombëtar të Ekonomisë, ku natyrisht ka vetëm dy palë, sipërmarrja dhe qeveria. Ne mund të përgatisim një draft. Shqipëria ka mbetur i vetmi vend në Europë që ka këta dy Këshilla të ndarë. Në Bashkimin Europian, ekziston një Këshill i vetëm, ‘Këshilli Social Ekonomik i Europës’.

Të gjitha vendet anëtare të BE-së, por edhe të tjerë, deri te Kosova, e kanë adaptuar këtë model, si rezultat i kërkesave të BE-së për integrimin europian. Mendoj se ky proces në Shqipëri të bëhet në një fazë më të vonshme, në kohën e plotësimit të detyrimeve të anëtarësimit, kurse tani e rëndësishme është ngritja e Këshillit Kombëtar Ekonomik, si strukturë dhe funksionimi efikas i tij”, u shpreh Bregasi.

Ministrja Qato e cilësoi fuqizimin e Këshillit Kombëtar Ekonomik si prioritet të axhendës së punës së saj. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, u shpreh se një tjetër mekanizëm i bashkëpunimit do të ishte aktmarrëveshja midis Ministrit së Sipërmarrjes dhe organizatave me përfaqësuese të sipërmarrjes.

“Aktmarrëveshje të tjera sektoriale mund të bëhen midis Ministrit të Mbrojtjes së Sipërmarrjes, ministrive të fushave përkatëse dhe Shoqatave të Sipërmarrjes së atyre fushave. Është një praktike pozitive në disa vende, por e konsoliduar në Kroaci, ku një herë në vit organizohet Forumi Kombëtar i Biznesit, nën kujdesin e Kryeministrit, ku shpalosen planet e përbashkëta sipërmarrje-Qeveri për PPP”, u shpreh Bregasi.

Ministrja e Sipërmarrjes, Sonila Qato, garantoi mbështetje të plotë dhe rritjen e bashkëpunimit me biznesin. “Ne kemi marrë përsipër jo vetëm të fuqizojmë sipërmarrjen në vend, por edhe të shtojmë numrin e sipërmarrësve, duke krijuar politika të qarta të të bërit biznes dhe fusha veprimi të garantuara për veprimtarinë e tyre. Qeveria do të jetë në krah të çdo investitori potencial dhe strategjik, të huaj apo vendas qoftë, për ta përkrahur atë dhe për ta orientuar siç duhet, me qëllim finalizimin e projekteve të mëdha e me rëndësi ekonomike për vendin tonë”, u shpreh Qato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat