OSHEE kursen miliona nga importi, ja sa (pak) energji do blihet në tetor

Shqipëria

OSHEE kursen miliona nga importi, ja sa (pak) energji do blihet në tetor

Më: 23 shtator 2017 Në ora: 17:58
Ilustrim

Rritja e prodhimit vendas dhe rënia e konsumit nga nivelet rekord të verës kanë përmirësuar situatën energjetike në vend.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë deklaroi se për muajin e ardhshëm do të blejë vetëm 225 mijë megavat energji nga importi, ose gati dy herë më pak nga sasia mesatare e blerë në tre muajt parardhës. 

Si rezultat kostoja e importeve për tetorin pritet të bjerë rreth vlerës 12 milionë euro, në një kohë që në korrik dhe gusht Shqipëria shpenzoi deri në 30 milionë euro në muaj për të blerë energji nga jashtë. 

Ulja e kostos për blerjen e energjisë nga jashtë lehtëson financat e rënduara të kompanive publike të energjisë. Për periudhën korrik-shtator Shqipëria shpenzoi mbi 80 milionë euro për të blerë energji nga importi. 

Pjesa dërrmuese e faturës u përballua nga fondet e vetë OSHEE-së, por edhe Korporata Elektroenergjetike pagoi 7 milionë euro nga kredia e Bankës Botërore. 

Muajin e kaluar qeveria ndryshoi me urgjencë buxhetin e shtetit, duke rritur me 3 miliardë lekë mbështetjen për sektorin e energjisë. 

Paratë u përdorën për të shlyer kreditë e marra nga KESH dhe OSHEE, pasi këto të fundit nuk mund të përballonin dot edhe importin edhe pagesën e kredive. 

Por situata e rënduar duket se ka filluar të zbutet, për shkak edhe të rritjes së prurjeve në Fierzë. Korporata ka lajmëruar se muajin tjetër do të prodhojë mbi 150 mijë megavat energji nga kaskada e Drinit. 

Kjo sasi është tre herë më e lartë nga niveli minimal që u prodhua në gusht, ndërkohë që KESH shpreson se muajin e ardhshëm reshjet do të shtohen duke e rikthyer situatën plotësisht në normalitet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat