Ish-shefi i Antidrogës: Këto janë pazaret e drogës në lokalin e kushërinjve të Saimir Tahirit

Shqipëria

Ish-shefi i Antidrogës: Këto janë pazaret e drogës në lokalin e kushërinjve të Saimir Tahirit

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 15:01
Zagani

Trafiku i kanabisit nuk mund të luftohet nga ata që e krijuan, financuan dhe më pas edhe e mbështetën. Nëse këtë vit nuk është shënuar një kultivim masiv, kjo nuk ka ardhur si rezultat i punës së Policisë e aq më pak e shtetit por është pjesë e planit kriminal për të hequr stokun. Pasi thuhet se ra shumë edhe çmimi. E sigurisht shteti që menaxhon kaq mirë një punë fitimprurëse nuk ka ke se si të mos mendojë për shitjen e mallit që gjendet ende nëpër magazinat e vendit.

Janë mijëra ton ende që presin kapërcimin e detit, ndërsa ndoshta pasi të shiten këto tonelata, atëherë trafiku i drogës do të pësojë një lëvizje taktike. Ky është mendimi i një djali që bëri betejën e rrezikshme me shtetin-ortak të krimit të organizuar! Ish-shefi i përfolur i Antidrogës, Dritan Zagani, i përndjekur nga strukturat e policisë dhe të drejtësisë, i marrë në mbrojtje nga një shtet i BE-së, nuk ngurron të shpjegojë shumëçka që lidhet me trafikun e drogës dhe baronët që gjenden lart deri në qeveri. Por çfarë fshihet pas trafikantëve vlonjatë, po atyre italianë? Si u mbush Shqipëria me drogë dhe roli i Saimir Tahirit në gjithë këtë monopol të frikshëm kriminal? Si lëviz mafia shqiptare këtej dhe andej kufijve, si bëheshin pazaret e drogës në lokalin e kushërinjve të ish-ministrit të brendshëm dhe show i kryeministrit për të luftuar drogën me ministër Fatmir Xhafën? Të gjitha këto gjenden në rrëfimin e personit që u largua nga detyra i vënë nën akuzë të rëndë, pikërisht për shkak të trafikut të drogës dhe betejës që i kishte shpallur policia jonë këtij krimi, por që më pas rezultoi se në fakt trafiku i drogës nuk duhej bllokuar dhe shkaqet gjenden pikërisht në këtë rrëfim/intervistë nga gazetarja Nikoleta Kovaçi.

Zagani, tashmë ju jeni i larguar nga Shqipëria, por si një ish-efektiv policie besoj se duhet t`i ndiqni zhvillimet e fundit në vend! Trafiku i drogës me Italinë vijon fuqishëm. Në krye të garës qëndron Vlora; pse pikërisht Vlora?

Po i ndjek me aq sa mundem nëpërmjet mediave, si dhe nëpërmjet bisedave të ndryshme me shokë e miq, apo ishkolegë të mirë me të cilët ruaj akoma një marrëdhënie shoqërore, por si policë që jemi edhe kur flasim për hallet tona përherë biseda del në temën e realitetit që është sot; për këtë “lumë” të pashtershëm të drogës “Made in Albania”. Trafiku vazhdon më fuqishëm se kurrë, dhe sidomos me Italinë. Me Italinë është në plan të parë për vetë pozicionin gjeografik si një nga vendet më të afërta me ne nga EU nga ku mundet të lëvizësh lirshëm në gjithë territorin Shengen, si dhe për faktin e tregut që ka vetë Italia për drogat, dhe kryesisht drogën shqiptare kanabisin, apo siç njihet hashashi. Pastaj me Italinë edhe për faktin se trafikantët tanë në shtetin italian tashmë kanë krijuar një bazë “logjistike” të fortë, si dhe kanë gjetur mbështetjen e nevojshme nga organizatat kriminale italiane, të cilat kanë përfitimet e tyre ekonomike nga droga “Made in Albania”. Dhe sot kemi një situatë ku trafikantët shqiptarë futen si të barabartë me grupet kriminale italiane në bizneset e tyre të zeza, biles në raste të ndryshme ka pasur edhe vetë shtetas italian që vihen në shërbim të trafikut shqiptar, pasi trafikantët shqiptarë në shumë raste kanë arritur edhe të drejtojnë vetë aktivitetet kriminale, jo të jenë thjesht në shërbim të italianeve, ç`ka tregon një konsolidim dhe bazë të fortë që ka krijuar krimi ynë atje, dhe kjo kryesisht në lidhje me trafikun e drogës, sepse ne tashmë jemi dhe prodhues e posedues direkt të mallit të “vyer”, aq të çmuar nga krimi organizuar italian për përfitimet e tyre të jashtëligjshme.

Pastaj thua në krye qëndron Vlora, pse Vlora? Unë mendoj se Vlorës (trafikantëve vlonjatë) u takon merita e parë për shume arsye. Së pari pozicioni gjeografik; nga Vlora në brigjet italiane me një mjet të mirë lundrues kalon për më pak se dy orë me një ngarkesë të konsiderueshme deri një ton apo edhe më shume; së dyti dihet që vlonjatët janë mjeshtrit e detit sa i përket mjeteve të vogla lundruese që përdoren për trafik, dhe duke qenë se kanë qenë nga të parët shqiptarë që kanë kryer lundrimet me klandestinë, njohin shumë mirë jo vetëm detin e brigjet tona, por edhe brigjet ku zbarkojnë i njohin si shtëpinë e tyre, aftësi kjo që u jep avantazh në këtë veprimtari.

Megjithëse duhet thënë që këto vitet e fundit nuk i kanë lëne gjë mangët as nga brigjet e tjera; nga grykëderdhja e Bunës deri në kanalin e Çukës në Sarandë ka qenë e njëjta situatë thuajse! Pastaj nisur nga njohja ime profesionale për krimin e organizuar vlonjat, mund të them që krimi i organizuar shqiptar me origjinë nga Vlora (qoftë me banim në Vlorë apo i transferuar në Tiranë tashmë) ka baza të forta në brigjet puglieze përballë të krijuara që në vitet e trafikut të klandestinëve, vite e vite më parë, baza këto që japin garanci më shumë për trafikun e drogës sot.

Kjo mendoj unë është ana profesionale e këtij fenomeni, pa folur pastaj për realitetin politik të krijuar sot nga mbështetja që ka krimi i organizuar nga njerëz me pushtet në aktivitetet kriminale, gjë te cilën mendoj mos të ndalem sepse e gjithë bota e mori vesh të vërtetën, deri aty sa më në fund sot kemi edhe segmente të shtetit që direkt apo në mënyrë të tërthortë e pranuan dhe konfirmuan të vërtetën e lidhjes së trafikut te drogës me shtetin, sot më në fund ka edhe një ministër të brendshëm që pohon se ka edhe drejtues e segmente të ndryshme të Policisë së Shtetit të implikuar në kultivimin e trafikimin e drogës, gjë që kur unë e deklaroja publikisht vite më parë, jo vetëm nuk u pranua nga kush, por u arrit deri aty saqë nga ministri, apo edhe vetë kryeministri me quajtën shpifës dhe kriminel të lidhur me trafikantët. Por ja që sot pasi panë që s`kanë më si të mashtrojnë e pranuan edhe vetë ashtu si unë deklarova publikisht i detyruar, sepse nga një oficer policie që isha më kthyen në një viktimë të trafikantëve që mbroheshin nga vetë ata.

Pak ditë më parë policia ka arrestuar një shqiptar dhe një italian që ishin duke tentuar kalimin e një sasi të madhe droge drejt Italisë. Kohëve të fundit janë shtuar shumë italianët në brigjet tona; kështu ishte edhe në kohën tuaj?

Më lejo të them një fakt që bën dallimin e madh të realitetit dje me këtë sot; dje fenomeni drogë ekzistonte edhe te ne si në gjithë botën. Ishte një fenomen kriminal që luftohej nga shteti me aq sa mundësi dhe forca kishte, ndërsa këto trikatër vitet e fundit ai fenomen u kthye në një “institucion” që indirekt mbrohej nga shteti për të ardhur pastaj deri në ditët e sotme që nuk mbulohet dot me propagandë boshe dhe u pranua publikisht si ekzistenca që mohohej me vetë- mohim edhe nga vetë kryeministri Rama, ashtu edhe implikimi apo thënë me troç bashkëpunimi i vetë shtetit. Italianët me mjete lundruese të ndryshme kanë qenë përherë në brigjet tona si turistë (me gomone, jahte apo veliera), por duke mos gjetur kushtet për aktivitete kriminale, apo si në rastin konkret trafik droge, nuk kishte as implikime të tyre në këto aktivitete kriminale.

Ndryshe nga sot kur u garantohet nga njerëz me pushtet mbrojtje në aktivitetet e tyre në bashkëpunim me krimin e organizuar shqiptar, që koha e tregoi se ishte siç e deklarova ca kohë më parë. Pra dje kishim shtetin dhe krimin e organizuar në luftë të vazhdueshme me njëri-tjetrin, dhe një krim të organizuar që kërkonte të korruptonte shtetin për të patur liri veprimi në aktivitetin e tij kriminal (duhet pranuar që kishte plot raste që ia arrinte një diçkaje të tillë), dhe sot ku kemi një krim të organizuar që në një farë mënyre drejton shtetin dhe s`ka më nevoje as ta korruptojë atë në segmentet e tij për të kryer veprimtarinë kriminale, biles në raste të veçanta që s`po flasim me emra, shteti i përfaqësuar nga vetë elementët kriminal të veshur me pushtet bënte vetë trafikun e drogës.

Ndaj dhe nuk mund të gjykojmë shtimin e shtetasve italian si të lidhur me shtimin e trafiqeve, jo aspak nuk qëndron kështu, sepse sa mbaj mend unë dikur porti i jahteve në Orikum ishte plot me shtetas të huaj, kryesisht italian që vizitonin brigjet tona për turizëm por nuk kishim asnjë rast të implikimit në trafik droge, dhe nga sa kam unë informacion qoftë nga Shqipëria apo dhe nga njohjet e mia në Itali këto vitet e fundit ka pasur shumë herë me pak, dhe megjithatë ka pasur edhe nga ata që kanë rezultuar të implikuar në trafik droge.

Si arrihet bashkëpunimi i trafikantëve shqiptarë dhe atyre italianë?

Së pari duhet kuptuar një gjë; krimi dhe në veçanti krimi i organizuar nuk ka as ngjyrë, as shtetësi e as flamur, si dhe nuk mban “protokoll” për veprimtarinë kriminale. Dhe ideali i vetëm që ka është fitimi sa më i shpejtë dhe sa me i madh: Pra në mes janë thjesht dhe vetëm përfitimet ekonomike,dhe sa më të mëdha të jenë këto përfitime aq më i thjeshtë është edhe bashkëpunimi mes tyre. Nisur nga kjo, sa thashë më sipër që sot krimi i organizuar shqiptar në Itali ka tashmë bazat e tij, të konsoliduar vite e vite më parë, unë nuk e shoh si teme se si mundet të arrihet bashkëpunimi mes dy brigjeve të Adriatikut, dhe sidomos ato të Jonit. Me situatën e krijuar në vendin tonë ku krimi organizuar drejton shtetin, krimi organizuar italian është edhe më i sigurt në lidhje me “biznesin” me ne, dhe kjo kryesisht në lidhje me trafikun e drogës që është edhe më i thjeshti sot për sot, sepse mafia italiane tashmë po sheh edhe më thellë për të bërë “biznes” në Shqipëri.

Kultivimi i drogës nuk u ndalua nga shteti, por nga vetë të zotët e trafiku

Qeveria ka dy vite që pretendon se i ka shpall luftë kanabisit. Informacionet flasin që gjenden qindra ton ende në vend; a është e mundur të kultivohet kaq shumë në një vend sa ky i joni? Nga sa e ndjek unë situatën, qeveria dhe këtu e kam fjalën për kryeministrin ka katër vjet që e mohon ekzistencën e kanabisit, dhe jo që i ka shpall luftë. Qeveria në një farë mënyrë ka reaguar vetëm kur zëvendësuesi i Tahirit bëri një tip reformë në kokat e policisë, por edhe në atë rast u tregua mjaft i rezervuar në arsyet që e çuan të bënte atë reformë. Vetëm ca ditë më parë unë kam dëgjuar për herë të parë qeverinë, dhe në këtë rast prapë ministrin Xhafa që ka folur troç, ku dhe pranoi plotësisht faktin e ekzistencës si dhe implikimin e shtetit në këtë fenomen kriminal.

Këtë e bëri edhe në justifikimin e asaj që pse kishte bërë një reformë totale në rokadën e kokave drejtuese në polici. Mbase Xhafa meriton përgëzim, po sa është i vërtet reagimi i tij? Kjo duhet parë, pasi nuk mund të bëhet nga vetë ata që e lejuan dhe sollën deri në këtë ditë gjendjen. Mua personalisht kjo më është dukur si luftë brenda llojit e klaneve për ta dominuar këtë aktivitet kriminal. Duhet theksuar se këtë vit u mboll pak e aspak dhe kjo jo për meritë të qeverisë, por sepse akoma janë gjendje tonelata të tëra që presin të trafikohen, dhe situata e krijuar me këto sasi rekord të prodhuara më parë sollën edhe një ulje drastike të çmimit për prodhuesin! Kështu s`u mboll dhe aq shumë sa të mbarohen rezervat që gjenden gjithandej!

A mendoni se kjo polici mund ta godasë tashmë këtë fenomen, kur kujtojmë se jo pak herë janë gjendur të implikuar?

Nuk duhet ta viktimizojmë policinë për një fenomen ku vetë policia ishte viktimë. Këtu nënkuptoj pjesën e ndershme të policisë si viktimë e politikës së kriminalizuar që e keqpërdori policinë dhe pushtetin e saj për qëllimet e veta kriminale. Në qoftë se vërtet nga politika do ketë vetting brenda tyre ku mos të drejtojë më krimi dhe trafikantët shtetin, atëherë policia e ka më të thjeshtë të jetë ajo që duhet, dhe jo vetëm vetëpastrohen nga elementët e implikuar, por do të arrijnë të fitojnë mbi krimin deri në fund. Por duke parë që politika është po e njëjta ajo që solli këtë gjendje, dhe akoma janë pothuaj të njëjtët njerëz në drejtimin e policisë.

Unë nuk kam besim se do arrihet të goditet në themel ky fenomen kriminal. Natyrisht do të ketë edhe veprime pozitive plot që do i shërbejnë kryeministrit për propagandën e radhës në Facebook, por kaq! Në themel ajo do të vazhdojë edhe pse ndoshta tani e detyruar të jetë me e kamufluar, jo si në kohën e Sajedjalit ku policia numëronte rrënjët e fshatarëve për taksat, apo edhe te takimet në barin (lokalin) e kushërinjve për tu pajisur me “leje” kultivimi dhe lidhje “kontratash” shitjeje me ndërmjetës drejtues policie!

Nëse do ishit edhe një herë në krye të seksionit të anti-drogës dhe i plotfuqishëm për të vepruar, si do e bënit ndalimin e trafikut?

As më shumë e as më pak nga sa unë di të bëj dhe kam bërë kur kam qenë në detyrë. Kur isha asnjëherë nuk kam pretenduar ta ndaloj trafikun e drogës, por kam punuar me forcën e ligjit aq sa kam mundur kundër trafikut të drogës, ashtu siç bëjnë sërish ekspertë anti-droge. Të ndalohet trafiku i drogës është një utopi për vetë atë që ky fenomen përfaqë- son, që është edhe përfitimi shumë i lartë ekonomik. Edhe shtete të mëdha si SHBA nuk e ndalojnë dot 100%, por ama bëhet një luftë e vazhdueshme kundër tij duke i dhënë edhe goditje të forta, jo si në vendin tonë këto vitet e fundit që në vend të luftës kundër u mbështet me të gjitha forcat që ka dhe posedon shteti.

Sa vështirë është të luftohet me kokat e drogës në vend?

Shumë e vështirë! Aq sa unë me gjendjen e krijuar sot në Shqipëri do të thoja edhe e pa mundur. Këtë e them sepse e vështirë ishte shumë dhe më par, por sot uni di fakte që ata gëzojnë pushtet absolut, ndaj dhe them e pa mundur të paktën sa të vazhdojë ky inkriminim që i është bërë shtetit deri në palcë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat