Zbulohet relacioni i Partisë Demokratike për organet e Vettingut

Shqipëria

Zbulohet relacioni i Partisë Demokratike për organet e Vettingut

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 16:38
PD selia

Një relacion me 6 pika është paraqitur nga Partia Demokratike mbi strukturat administrative dhe klasifikimin e pagave për tre organet e rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Apelit dhe Komisioneri Publik.

Në këtë relacion nënvizohet se çdo ndryshim në strukturat e organeve të rivlerësimit, duhet të bëhet në bashkëpunim dhe dakordësi të plotë me vetë organet e rivlerësimit. Kuvendi duhet të mbështesë çdo kërkesë të tyre, duke shprehur në këtë mënyrë vullnetin e tij për të vënë në dispozicion të gjitha burimet njerëzore dhe financiare që çmohen të nevojshme nga ana e tyre.

“Ora News” ka siguruar relacionin e përgatitur nga Eduard Halimi.

“Partia Demokratike e vlerëson procesin e vettingut si jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe që duhet të marrë mbështetjen maksimale nga ana e Kuvendit”  shkruhet në fund të këtij relacioni prej 6 faqesh.

Pika e parë e relacionit është vota pro ndaj tre projektvendimeve.

Pika e dytë e relacioni thotë se PD shpreh mbështetjen ndaj gjithë procesit të vettingut, që ai të realizohet në mënyrë të pavarur nga organe të pavarura dhe të pakontrolluara nga qeveria.

Gjithashtu PD thotë se mbështet çdo kërkesë për burime njerëzore dhe financiare nga organet e vettingut.

“Plotësimi me staf dhe burime të mjaftueshme financiare dhe infrastrukturore, siç kërkohet nga vetë organet, është detyrim kushtetues dhe duhet të përbëjë prioritet të kuvendit të Shqipërisë. Misioni i organeve të rivlerësimit, justifikon një numër të konsiderueshëm burimesh njerëzore të angazhuara në këtë proces, më të lartë se ai që është propozuar”, thuhet në relacion.

“Financimi dhe infrastruktura nuk është privilegj që organeve të rivlerësimit po ia jep qeveria, por është detyrim kushtetues. Qeveria duhet të shmangë çdo dalje publike, ku thekson se po i siguron infrastrukturën dhe ambientet organet e vettingut. E ka për detyrë dhe nuk po krijon asnjë privilegj për këto organe”

Jo shkurtimit te punonjësve tek organet e vettingut

Më tej thuhet se “Shprehemi kundër përpjekjes së mazhorancës për të shkurtuar numrin e punonjësve të propozuar nga vetë organet e rivlerësimit, siç ka sugjeruar relatorja e komisionit dhe si ka ardhur drafti i mazhorances. Mosvënia në dispozicion e stafit të mjaftueshëm për organet e vettingut, do të përbënte kërcënim ndaj veprimtarisë tepër të rëndësishme të tyre.”

Në pikën e gjashtë të relacionit të PD thuhet se ka një propozim alternativ për strukturën duke rritur numrin e këshilltarëve .

Përbërja Në total, numri i punonjësve për tre organet është 185 punonjës, i ndarë si më poshtë:

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit – 68 punonjës;
Kolegji i Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese – 65 punonjës;
Komisoneri Publik – 52 punonjës.

PD te mos preket paga 

Paga e anëtarëve përcaktohet nga ligji dhe është përkatësisht e barabartë me pagën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë apo Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që shtesa mbi pagë propozohet të jetë 200 për qind për anëtarët e organeve të rivlerësimit, dhe 50 për qind për këshilltarët.

PD thotë se “numri i punonjësve i propozuar prej tyre, duhet të konsiderohet nga Kuvendi si numër minimal, që mund t’i vihet në dispozicion. Çdo ulje e këtij numri punonjësish, vlerësojmë se do të cenonte efektivitetin e veprimtarisë së organeve të rivlerësimit. Gjithashtu, edhe niveli i pagave i propozuar, është i justifikuar nga rëndësia që paraqet procesi i rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.”

PD kërkon shtimin e punonjësve të Njësisë se shërbimit ligjor

PD ka dhe një propozim tjetër. Shtimin e numrit të punonjësve të Njësisë së Shërbimit Ligjor

Për shkak të volumit të punës dhe faktit që procesi është i limituar në kohë, vlerësojmë se numri i punonjësve të Njësisë së Shërbimit Ligjor duhet të jetë më i lartë. Gjithsej 69 punonjës, nga 42 punonjës që propozohet.

– Njësia e Shërbimit Ligjor në Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të përbëhet nga 36 punonjës
-Njësia e Shërbimit Ligjor në Kolegjin e Apelimit të përbëhet nga 21 punonjës.
-Njësia e Shërbimit Ligjor të Komisionerit Publik të përbëhet nga 12 punonjës

PD flet dhe për një Drejtori për Marrëdhëniet me Institucionet dhe ONM

Në relacion thuhet: “Vlerësojmë se duke mbajtur në konsideratë natyrën e procesit të rivlerësimit, të tre organet e rivlerësimit duhet të kenë në strukturën e tyre, një “Drejtori për Marrëdhëniet me Institucionet dhe ONM”.

Drejtoria duhet të jetë përgjegjëse për mbajtjen e marrëdhënieve me institucionet publike dhe private, për marrjen dhe përpunimin e informacioneve/provave që komisionerët apo gjyqtarët do t’i nevojiten nga institucione të ndryshme, si dhe duhet të përgatisin përmbledhjen e qëndrimeve, mendimeve apo opinioneve që japin ekspertët e ONM. Kjo drejtori duhet të shërbejë si filtër për përgatitjen e dosjeve, nën kujdesin dhe drejtimin e relatorit të çështjes dhe këshilltarëve përkatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat