Zv.Drejtori i Policisë së Elbasanit tregon momentet kur "Audi" i blinduar godet patrullën

Shqipëria

Zv.Drejtori i Policisë së Elbasanit tregon momentet kur "Audi" i blinduar godet patrullën

Më: 25 shtator 2017 Në ora: 18:57
Gjergji Oshafi

Sulmi i rëndë që iu bë Policisë mbrëmjen e 18 shtatorit në Elbasan, vijon të ketë disa pikëpyetje, të cilave ende nuk u është dhënë përgjigje.

Në lidhje me këtë incident, u janë marrë deklarime 12 punonjësve të Policisë, mes së cilëve edhe zv.drejtorit, Gjergji Oshafi, makina e të cilit u godit nga një “Audi” i blinduar.

Personi që ka qenë në drejtim të këtij mjeti në momentin që ka sulmuar Policinë, ende nuk dihet, ndonëse, zyrtarisht Policia thotë se e ka identifikuar. Ndërsa vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, deklaroi nga Elbasani, se emri i tij përbën sekret hetimor.

E megjithëse sot bëhet një javë nga dita kur ndodhi incidenti, vetëm dy persona janë në qeli. Nga tre të arrestuarit natën e ngjarjes, në burg kanë mbetur roja i tregut, që nuk iu bind urdhrit të Policisë për të hapur portën, pasi “Audi” që sulmoi Policinë u fut brenda, dhe po ashtu pasagjeri i mjetit “Range Rover”, që iu gjet një sasi droge.

Ndërsa autori kryesor i sulmit, vijon të jetë i lirë edhe 7 ditë pas ngjarjes. Sipas deklarimeve që kanë dhënë punonjësit e Policisë, kur “Audi” ka hyrë brenda tregut, dera e tij është mbyllur menjëherë.

“Drejtuesi i mjetit, me sa vura re, ishte rreth 35-40 vjeç, me fytyrë të mbushur dhe me kapelë të rrumbullakët. Tjetër gjë s’kam mundur të fiksoj, pasi mjeti lëvizte me shpejtësi”, ka deklaruar zv.drejtori i Policisë, Gjergji Oshafi. 

Policia i ka bërë thirrje rojës së tregut që të hapë derën, por ai nuk është bindur duke thënë se nuk kishte të drejtë t’ua hapte derën pa pyetur më parë administratorin e tregut, biznesmenin Petrit Çela. Dera e objektit u hap kur erdhi Petrit Çela. Mjeti u gjet i parkuar në pjesën juglindore të tregut, pranë një bar restoranti. Aty u bë i mundur identifikimi i targës së saj, AA795EP. Ajo u gjet e mbyllur dhe çelësat e saj i dorëzoi biznesmeni Petrit Çela.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat