Konferenca e përbashkët me Steinmeier, Meta: Risim bashkëpunimin mes vendeve tona

Shqipëria

Konferenca e përbashkët me Steinmeier, Meta: Risim bashkëpunimin mes vendeve tona

Më: 26 shtator 2017 Në ora: 18:51
Ilir Meta me homologun Frank-Walter Steinmeier

Në vijim të vizitës së tij në Gjermani, kreu i Shtetit, Ilir Meta mbajti një konferencë të përbashkët me homologun Frank-Walter Steinmeier.

Gjatë fjalës së tij Meta u shpreh kjo është një mundësi e shkëlqyer për të rikonfirmuar vullnetin e përbashkët për të forcuar akoma më tej partneritetin e shkëlqyer midis dy vendeve.

Meta theksoi se Shqipëria, si një vend anëtare e NATO-s, luan një rol të rëndësishëm dhe kontribuon pa ndërprerje në luftën kundër terrorizmit kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Në këtë drejtim dua t’ju siguroj që ne do të vazhdojmë të forcojmë rolin konstruktiv dhe moderues në rajonin e Ballkanit në interes të perspektivës evropiane të përbashkët të gjithë vendeve tona dhe për këtë mbështetemi fuqimisht në marrëdhëniet me Gjermaninë.

Dua t’ju falënderoj për vëmendjen tuaj edhe personale, të veçantë për të ndjekur zhvillimin e Shqipërisë, reformat e saj të cilat e afrojnë edhe më shumë dhe me BE-në”, tha Meta.

Një falënderim të veçantë e kam dhe për mbështetjen e veçantë të Gjermanisë për të inkurajuar reformën në drejtësi, e cila tashmë është në momentet mjaft të rëndësishme të zbatimit të saj.

Pyetje nga gazetarët

A mendoni qe pas zgjedhjeve në Gjermani do të mbetet ende në fokus integrimi evropian i Shqipërisë dhe rajonit tuaj, duke pasur parasysh edhe problemet e brendshme që po kalon BE-ja?

Presidenti Meta: Unë do të doja të theksoja se ne jemi të bindur që e vetmja perspektivë për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është Bashkimi Evropian. Besojmë që për këtë është e bindur edhe vetë Evropa, pasi nuk ka alternativë tjetër për vendet tona përveç anëtarësimit në BE, sepse çdo alternativë tjetër është kthim te nacionalizmi, tek e kaluara dhe te konflikti, gjë që nuk është në interes as të vendeve tona, por padyshim dhe të vet BE-së.

Jam i bindur se disa nga shqetësimet me të cilat ndeshet dhe opinioni publik këtu në Gjermani dhe që mund të kenë reflektuar dhe në këto zgjedhje na obligojnë si ne, si Shqipëri, si dhe vendet e tjera të rajonit tonë që të bashkëpunojmë akoma më shumë me Gjermaninë dhe vendet e tjera evropiane në luftën kundër krimit të organizuar për të luftuar akoma më tej kundër gjithë atyre fenomeneve të cilat jo vetëm mund të largojnë të rinjtë nga vendet tona, por njëkohësisht të forcojmë dhe sigurinë e vendeve tona si pjesë e sigurisë së Evropës, duke kontribuuar në këtë mënyrë në vetë rritjen e mëtejshme të sigurisë dhe të besimit në vendet tuaja për vendet tona dhe për atë që ne do ta meritojmë, anëtarësimin në BE vetëm përmes reformave edhe më të suksesshme, dhe më të besueshme sesa deri tani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat