PROFILI/ Njihuni me nr. 2 të Bujqësisë: Dhimo Kote, si e bëri Zvicër një copëz Shqipërie në Sarandë dhe këshilla që i jep Ramës

Shqipëria

PROFILI/ Njihuni me nr. 2 të Bujqësisë: Dhimo Kote, si e bëri Zvicër një copëz Shqipërie në Sarandë dhe këshilla që i jep Ramës

Më: 9 tetor 2017 Në ora: 09:41
Dhimo Kote

Ndër 30 e kusur zv.ministra të qeverisë “Rama 2”, bie në sy emri i Dhimo Kotes, një mik personal i shefit të qeverisë, të cilin ky i fundit e ka njohur vite më parë nga ajo çfarë ka nxjerrë mendja dhe duart e mursiotit në kodrinat e e fushat e valëzuara të Xarës në cepin më jugor të Shqipërisë, një copëz atdhe që të gjithë do e dëshironim, por që të gjithë, veç atij dhe e ndoca të tjerëve, bëjnë çmos që ai mos bëhet.

Dhimo Kote i zgjedhur për të qenë në krah të Niko Peleshit në sfidën e madhe të bujqësisë, është arkitekti i plantacioneve të mandarinave, që padyshim përbën gjënë më të bukur që ka ndodhur në 27 vjet pluralizëm në Shqipëri; aq e bukur e madhështore, sa brezat e rinj, ato që edukohen në shkolla, duhet ta kenë në program sot vizitën në plantacionet e Xarës dhe një bisedë me Dhimon. Jo thjesht mbi bujqësinë, por mbi vizionin dhe vullnetin e jashtëzakonshëm për të bërë gjëra të mëdha për veten dhe vendin.

I larguar së bashku me vëllezërit në Greqinë fqinje për të punuar si emigrant, aty nga fillimi viteve ’90, ai agronomi i lartë me sedër burri, nuk pranon të jetë argat i grekut, dhe kthehet së bashku më vëllezërit për t’ju futur aventurës së bujqësisë, në një kohë që bujqësia po merrte fund dhe kur agrumet e famshme të jugut po priteshin e digjeshin kriminalisht.

Por ai kthehet dhe  i hyn tokës, me talent, aftësi, mençuri e vullnet, duke arritur që brenda disa vitesh të përfitojë prej saj, fillimisht shumë pak me grurë për pula, më pas me shalqij, e në fund hapur ciklin e mandarinave që sot vijon ta zgjerojë tregun në Europë pandalshëm. E bëri këtë duke kostuar dhe me xanxën “i çmendur”, të cilën ia ngjitën bashkëfshatarët, teksa e shihnin se si po shkonte kundër rrymës.

E sot, Xara, falë Dhimo Kotes, prodhon deri afro 20 mijë ton mandarina, ndërkohë që tregu i jashtëm i kërkon deri në 35 mijë ton. Po ashtu, ky fshat nuk njeh njerëz të papunë, ndërsa peisazhi që ofron me parcelat tejendanë, ngjan me një copës Zvicre reale në këmbët e Shqipërisë.

Gjatë viteve të qeverisjes së Berishës, ky i fundit financoi shtrimin e një rruge afro 10 km që lehtësonte aksesin e qarkullimit të mauneve me mandarina, nga pika e grumbullimit drejt aksit kryesor nacional, për të vijuar më pas drejt tregjeve shqiptare, kosovare e europiane, ku për herë të parë  nuk pranoi ta priste vetë shiritin e inagurimit, duke ia dhuruar gërshërët Dhimo Kotes, punës të të cilit ia kishte dedikuar rrugën e financuar.

Për Dhimo Koten flitej që mund të zgjidhej dhe ministër nga Rama, porse në këtë mandat të dytë të mikut të tij edhe familjar, do jetë nr.2 i Bujqësisë. Përbetimi i tij, kur i thoshin që mund të jetë ministër, ishte se nuk do linte asnjë zyrtar në zyrë, por do iu mbathte çizmet për t’i nxjerrë në fushë, atje krah fermerit për çdo nevojë.

Ndër të tjera, ai ka një këshillë që ia thotë gjithnjë Ramës: “Mos thuaj ‘do bëj shtet’, se shtet bëri edhe Enver Hoxha; thuaj ‘do bëj treg”, duke nisur që nga ai i mendjes”

Edhe diçka tjetër: gjënë e fundit që mendon, ose që nuk e mendon fare, është largimi nga Shqipëria. Nuk e ka menduar as atëherë kur greku ia bënte me sy për xhepat plot dhrahmi, e ky fitonte vetëm 3 milion lekë në vit me grurë për pula.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat