Basha ndihet i turpëruar që është pjesë e Kuvendit që udhëhiqet nga ata që vranë shqiptarët

Shqipëria

Basha ndihet i turpëruar që është pjesë e Kuvendit që udhëhiqet nga ata që vranë shqiptarët

Nga: A.M. Më: 10 tetor 2017 Në ora: 17:50
Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka thënë se edhe pas 70 vjet  pas vrasjes së deputetëve ndihet i turpëruar që është pjesë e Kuvendit pasi që drejtohet nga njëri prej tyre vrau dhe dhunoi shqiptarët.

Ai ka thënë se ndjehet i trishtuar që 27 vjet pas rënies së komunizmit ky vend ende vazhdon të ketë në krye të institucioneve njerëz të edukuar dhe stërvitur me mësimet e Enver Hoxhës.

Postimi i plotë:

70 vjet pas vrasjes së deputetëve unë ndjehem i turpëruar që jam pjesë e një kuvendi i cili drejtohet nga njëri prej atyre që ishte pjesë aktive e asaj klike kriminale që vrau dhe dhunoi shqiptarët që donin lirinë dhe dinjitetin e njeriut.

Ndjehem i trishtuar që 27 vjet pas rënies së komunizmit ky vend ende vazhdon të ketë në krye të institucioneve njerëz të edukuar dhe stërvitur me mësimet e Enver Hoxhës.

Jam po aq i dëshpëruar që pas 70 vjetësh Kuvendi i sotëm ka njerëz që nuk kanë as ngjashmërinë më të vogël me martirët e demokracisë shqiptare dhe janë vite-dritë larg tyre për nga karakteri dhe integriteti njerëzor, për nga formimi intelektual, për nga aftësitë dhe kontributi profesional dhe mbi të gjitha për nga aftësia për ta dashur pa kushte vendin dhe bashkëqytetarët e tyre.

Ky është dështim, dështimi ynë, i gjithë shoqërisë sonë, i politikës dhe intelektualëve të ndershëm të këtij vendi.

Ka ende shumë që ne mund të bëjmë.

Së pari, duhet të gjejmë dhe të identifikojmë të gjitha eshtrat e viktimave të komunizmit ende të pazbuluara.

Së dyti, duhet të nderojmë emrat dhe kontributin e të gjithë martirëve të vërtetë të demokracisë dhe pluralizmit shqiptar. Ne duhet t’i kujtojmë ata, duhet të rrëfejmë jetën e tyre, sakrificat e tyre, tragjeditë e tyre, që janë akte të tragjedisë sonë të kobshme kombëtare nën diktaturën e Enver Hoxhës.

Së treti ne duhet të tregojmë krimet e komunizmit dhe historinë tragjike se si një popull i tërë ra në kthetrat e përgjakura të komunizmit dhe iu nënshtrua atij për gati pesë dekada.

Së katërti, duhet t’u presim rrugën një herë e mirë të paktën drejtuesve të lartë komunistë nga drejtimi i vendit.

Së pesti, të ndalojmë festimin në publik të shenjave, simboleve dhe figurës së Enver Hoxhës dhe figurave të tjera gjakatare të regjimit të tij.

Ne do t’i prezantojmë Kuvendit akte konkrete për përmbushjen e këtyre objektivave.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat