"Po të shkonte Zaho në shkollë, do ta ndërtonte Rama një mbikalim për fëmijët?", Prindërit kapin 'mat' Ramën

Shqipëria

"Po të shkonte Zaho në shkollë, do ta ndërtonte Rama një mbikalim për fëmijët?", Prindërit kapin 'mat' Ramën

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 09:32
Ilustrim

Rreth 500 fëmijë të zonës së Kënetës në Durrës, çdo ditë po rrezikojnë jetën për të shkuar në shkollë.

Segmenti rrugor, një autostradë që ndan përgjysmë këtë zonë, nuk ka asnjë mbikalim, e për pasojë çdo ditë, dy herë në ditë, fëmijët nëpërmjet trafikndarëses kalojnë rrugën duke kaluar midis makinave që ecin me super shpejtësi. Drejtoresha e shkollës së re në ish-Kënetë, Pashke Marku, deklaroi se ndër tri arsyet kryesore të zbrasjes së shkollës nga fëmijët për këtë vit të ri arsimor është mungesa e mbikalimit në rrugë, i cili rrezikon fëmijët.

Rreth 200 nxënës më pak janë regjistruar për këtë vit shkollor, ndërsa rënia nisi që vitin e shkuar kur u hap rruga e nuk ka asnjë mbikalim për njerëzit. Banorët ngrenë shqetësimin se ndihen të kërcënuar, por janë fëmijët ata që rrezikojnë më shumë, pasi automjetet lëvizin me shpejtësi skëterrë dhe në shumë raste aksidentet kanë rezultuar fatale. Kjo çështje ka bërë që një numër i madh familjesh të zonës së Kënetës të braktisin këtë shkollë, për t’i çuar fëmijët në shkolla të tjera.

SITUATA

Banorët e zonës së ish- Kënetës bëjnë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme, pasi çdo ditë rrezikohet një tragjedi e mundshme. “Fëmijët kalojnë në grup bashkë. Sikur një makinë që vjen me shpejtësi t’i përplasë, ndodh tragjedia. Shoferët këtu ecin me 140 në orë. Askush nuk i ndalon”, shprehen banorët e ish-Kënetës.

“Mungesa e sinjalistikës rrugore është kthyer në një problem shumë serioz për ne, pasi përballemi çdo ditë me rrezikun për jetën. Automjetet në këtë aks (Shkozet-Korpusi Universitar) lëvizin me shpejtësi marramendëse dhe në shumë raste janë bërë burim aksidentesh fatale. Ne na duhet të kalojmë disa herë në ditë nga njëri krah i rrugës në tjetrin dhe, në çdo rast, ndihemi të kërcënuar se mos na godet ndonjë automjet”, shprehet një banor i zonës. Një tjetër banor shprehet se më të kërcënuarit janë fëmijët, pasi u duhet të kalojnë përmes rrugës të paktën dy-tri herë në ditë.

“Kemi kërkuar me dhjetëra herë të merren masa për të vendosur sinjalistikën dhe mbikalimet në këtë rrugë, por ankesat tona nuk janë marrë parasysh. Prej disa vitesh kjo rrugë ka përfunduar, por jo me parametrat e kërkuara, pasi duhej ishte vendosur sinjalistika dhe mbikalimet. Ne jemi detyruar të vendosim mbikalime të vegla, me konstrukt dërrase, pasi ndryshe ndihemi të izoluar dhe nuk kemi komunikim me pjesën tjetër të qytetit”, shprehet një tjetër banor.

Fëmijët e zonës së ish-Kënetës kalojnë të paktën dy herë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, pasi u duhet të shkojnë në shkollë. Në shumicën e rasteve, ata shoqërohen nga prindërit e tyre, për të kaluar në krahun tjetër të rrugës nëpërmjet mbikalimeve të vogla të improvizuara me dërrasë. Banorët shprehen se e kanë ngritur shpesh shqetësimin e tyre për mungesën e sinjalistikës dhe mbikalimeve, por ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat