Nëna e pedagogut: Kurth që ia ngritën në Malajzi, 2-3 të huaj nuk e donin

Shqipëria

Nëna e pedagogut: Kurth që ia ngritën në Malajzi, 2-3 të huaj nuk e donin

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 16:17
Klodian Zaimaj

Nëna e Klodian Zaimaj, të arrestuar ditën e shtunë nga autoritet e Malajzisë, me akuzën e përfshirjes në organizatën terroriste të Shtetit Islamik, e cilëson kurth prangosjen e të birit. 35-vjeçari, baba i katër fëmijëve, rezulton drejtues dhe themelues i një akademie për mësimin e Kuranit dhe gjuhës arabe në Malajzi, të quajtur “AlImam Ibnul Jazari Academy”.

Në Malajzi, ai njihej me emrin Ibrahim Al Arna’oot, madje kishte edhe titullin “Sheik”. Mes tetë personave të arrestuar ishin edhe dy shqiptarë të tjerë, përveç Zaimajt, i cili prej vitesh jetonte me bashkëshorten dhe fëmijët e tij në Malajzi ku edhe ka përfunduar studimet e larta.

Në gjendje të tronditur pas lajmit për arrestimin e djalit, nëna e tij, Afërdita dhe babai, Adriatiku, flasin për “gabim” në arrestimin e Klodianit duke pretenduar se ai asnjëherë nuk ka shfaqur shenja dhune në familje dhe jo më të kryejë akte terroriste. Nëna e tij, gjatë një interviste dhënë për “Panorama”, flet dhe për një kurth nga ana e ndonjë të njohuri në Malajzi që kërkon t’i bëjë keq djalit të saj.

“Vetëm një kurth mund të jetë, ose ndonjë keqkuptim, sepse Klodiani asnjëherë nuk mund të kryejë akte terroriste”, pretendon ajo. 69-vjeçarja, Afërdita Zaimaj, mohon edhe akuzën se i biri mund të jetë bërë pjesë e ISIS për përfitime ekonomike, duke dëshmuar gjendje të keqe financiare të familjes së saj. Zaimaj është familje që prediojnë prej kohësh fenë muslimane, madje vjehrri i Klodianit, Musa Duhanxhiut është Inspektor i Myftinisë së Elbasanit, në Belsh.

Pse mendoni se është kurth?

Sepse për djalin tim të gjithë flasin vetëm fjalë të mira, ai nuk mund të bëjë kurrë një gjë të tillë. Kam bindjen se duke patur goxha arritje në Malajzi, dikush mund t’i ketë bërë ndonjë kurth vetëm se mund ta ketë zili. Duke qenë se ishte djalë me kulturë dhe i dashur, dikush kërkon që të shkatërrojë djalin tim, familjen e tij me katër fëmijë.

Kur e keni parë për herë të fundit dhe si kanë qenë raportet tuaja?

Vetëm pak kohë më parë erdhi këtu dhe bile nga malli dhe dashuria që kishte për ne, e shtyu dhjetë ditë lejen për të shkuar në Malajzi. I përgatita drekën dhe e përcolla vetë djalin tim, në datën 30 shtator, nuk ka as dy javë që ka ikur.

A keni parë ndonjë shenjë të dyshimtë te Klodiani?

Jo, ai ishte shumë i dashur, shumë familjar, është me shumë kulturë dhe ka pasur gjithnjë dëshirën të studiojë, madje edhe doktoraturën e ka përfunduar me forcat e veta.

Klodiani kishte edhe një emër tjetër?

Po, e thërrasin edhe Ibrahim, sepse është mysliman, beson shumë dhe Allahu nuk do t’ia lejonte kurrë një gjë të tillë. Po të kishte qenë terrorist, unë do të isha në gjendje të mirë ekonomike, por në fakt, nuk është ashtu, ne nuk jemi mirë ekonomikisht.

Pse dyshoni për kurth dhe cilët mund të jenë personat?

Nuk e di, kam përshtypjen se mund të jenë dy apo tri veta, që Klodianin nuk e donin fare, dhe nuk besoj se janë shqiptarë, por gjithsesi nuk jam e sigurt, pasi djali im nuk merrej me fjalë, shikonte familjen e tij dhe jetën e vet.

Sa kohë ka Klodiani që jeton jashtë shtetit?

Ka ikur që në moshën 16- vjeçare për studime në Jordani dhe së fundmi në Malajzi, çdo gjë e ka arritur me forcat e tij, me përpjekje të mëdha, ndaj i bëj thirrje shtetit shqiptar që të më ndihmojë të më nxjerrë djalin nga kjo e keqe, që ndoshta mund të jetë e padrejtë dhe e pabazë.

A besoni te drejtësia?

Po, besoj dhe jam e bindur se vërteta do të dalë në shesh, dhe se djali im do të bashkohet me katër fëmijët e tij, kam besim të plotë se Zoti do të sjellë shumë shpejt drejtësi te Klodiani im.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat