LSI mbështet propozimin e PD-së, Vasili: Rishikimi i ndarjes territoriale, jo tabu

Shqipëria

LSI mbështet propozimin e PD-së, Vasili: Rishikimi i ndarjes territoriale, jo tabu

Më: 11 tetor 2017 Në ora: 18:37
Petrit Vasili

Tri vite nga miratimi i ndarjes territoriale pa Partinë Demoktatike, Lëvizja Socialiste për Integrim është e hapur që harta të ndryshojë sërish. Edhe pse dikur në mazhorance vota e saj ishte si aleati socialist, sot LSI nuk nguron të mbështesë propozimin e demokratëve për rishikim të numrit të Bashkive.

“Rishikimi nuk është tabu, nuk kemi pasur tabu të ndryshojmë Kushtetutën me 64 nene, nuk kemi pasur tabu të ndryshojmë rregulloren e Kuvendit sa herë na ka dashur qejfi, nuk kemi pasur tabu për ligjet dhe kodet zgjedhore, nuk kemi pse të kemi tabu për ndarjen teritoriale. Aq më tepër kur kryeministri pati ndër momentet e pakta të sinqeritetit që ky pushtet i ri lokal ka funksionuar shumë dobët, shpërdorimet janë më të mëdha sesa kur ishte me Komuna, modeli nuk tregoi soliditet, cfarë asrye ka te trembemi nga rishikimi”, – u shpreh Vasili për “BalkanWeb”.

Edhe pse sinjalet e bashkëpunimit mes dy partive opozitare janë dhënë edhe publikisht, kryetari i grupit kuvendor të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili sqaron se mes PD dhe LSI nuk ka negociatë zyrtare për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar.

“Jo nuk ka nje negociatë në kuptimin siç do e imagjinonit ju, zyrtare apo formale, por ka një përpjekje të qartë të mendimit se një koordinim më i mirë në raport me një qeverisje që ka shkarë rrezikshëm në një mosqeverisje të vendit, për t’iu shmangur problemeve të mëdha si krimi i organizuar, droga dhe ekonomia. Kjo qasje e re, kjo ndjeshmëri e madhe i imponuar nga një elektoral i gjerë që është refuzues, indiferent dhe përbuzës ndaj qeverie kërkon një sinkronizim tjetër politik. Ky moment sinkronizimi eksziston, sa i takon mekanizmave të burokracisë politike nuk kemi hapa të tillë, por kjo ndjeshmëri e re është shumë e rëndësishme sesa këto hapa që natyrshëm mund të kryhen pa asnjë vështirësi”, – thekson kreu i grupit parlamentar të LSI.

Zyrtarë të lartë të dy partive janë shprehur të hapur për krijimin e një fronti të përbashket opozitar, formalizimi i të cilët duket çështje kohe dhe burokracie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat