Pas Elbasanit, tani Lushnja: Detajet e një krimi tronditës

Shqipëria

Pas Elbasanit, tani Lushnja: Detajet e një krimi tronditës

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 09:39
Pamje nga vendi i ngjarjes

Ekzekutohen me armë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, të plagosur mbetën edhe Marius Xhepaxhiu dhe Bujar Turku. Si ndodhi krimi pak metra larg komisariatit dhe autorët që pas largimit i vunë zjarrin automjetit. Lushnja në frikën e terrorit. Dyshimet se ngjarja lidhet me konfliktin mes dy grupeve rivale në këtë qytet, ndërsa dyshohet se të vrarët janë miqtë e nipit të Aldo Bares.

Përplasja mes bandash shkakton tragjedi në qytetin e Lushnjës, duke lënë dy të vrarë dhe dy të tjerë të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në afërsi të komisariatit, ku nga sulmi me armë dy persona mbetën të vrarë, Zamir Latifi 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha 22 vjeç, plagë të rënda ka marrë edhe pronari i lokalit Mario Xhepazhiu dhe një kalimtar i rastit Bujar Turku, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Krimi ndodhi në momentin kur tre të rinjtë gjendeshin në një bar-kafe jashtë ambienteve të lokalit. Nga dëshmitarët mësohet se persona të panjohur janë afruar me një automjet dhe qëlluan dhjetëra herë drejt tyre. Plumbat lanë të vdekur në vend Latifin dhe Hoxhën, ndërsa i plagosur rëndë mbeti Marius Xhepaxhiu. Në këtë mënyrë Lushnja iu është rikthyer edhe një herë tmerreve të 20 viteve më parë dhe bandat e krijuara që nga ajo kohë vijojnë të lënë pas të vrarë dhe panik. Pak minuta pas krimit është gjetur një automjet i djegur, brenda së cilës u zbuluan edhe tre armë automatik kallashnikov.

Krimi pranë komisariatit

Në Lushnjë çdo gjë ishte në rutinën e përhershme të qytetit, por një breshëri e gjatë armësh kallashnikov shkaktoi ngjarjen e rëndë. Nga të dhënat që ka grumbulluar grupi hetimor mësohet se dy shokët po konsumonin kafe jashtë ambienteve të lokalit, kur pranë tyre ka kaluar një automjet dhe në lëvizje e sipër qëlluan me armë. Plumbat ishin vdekjeprurës për Hoxhën dhe Latifin, të cilët kanë bërë vetëm pak hapa dhe mbetën të vdekur buzë trotuarit. Ndërsa kalimtarët dhe policia më vonë rendën drejt Xhepaxhiut për t’i dhënë ndihmën e parë pasi qëndronte i gjakosur pranë derës së lokalit. Më e mirë paraqitet gjendja shëndetësore e të plagosurit tjetër. Nga të dhënat e policisë mësohet se autorët kanë qenë dy persona të maskuar të cilët nuk kanë zbritur nga automjeti, por pasi qëlluan dhjetëra plumba (dyshohet dy karikatorë automatiku kallashnikov), u larguan me shpejtësi. Fillimisht policia lokale mbërriti në vendin e ngjarjes dhe duke parë bilancin tragjik dhe rrezikun që mund të rishfaqej nga tentativa e hakmarrjes, kërkuan përforcime nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit. Në mënyrë urgjente në Lushnjë mbërriti edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe një grup i repartit special RENEA. Vetëm 30 minuta pas krimit policia lokale u lajmërua se në aksin Lushnjë-Berat pranë fshatit Çukaj i Vjetër është gjetur i djegur një automjet. Burime të policisë shprehen se ka dyshime të forta se automjeti i djegur mund të jetë përdoruar nga atentatorët dhe për të humbur çdo gjurmë të mundshme i kanë vënë flakën. Brenda makinës së shkrumbuar u zbuluan edhe tre armë automatike dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh. Situata është mjaft e rëndë, pasi ekziston frika se tashmë mund të ketë tentativë për hakmarrje.

Konfliktet e vjetra dhe të reja

Personat që u bënë pre e atentatit janë të afërm të anëtarëve të Bandës së Lushnjës dhe shokë të nipit të Alfred Shkurtit, i njohur ndryshe edhe si Aldo Bare. Një vit më parë Xhulio Shkurtit iu bë një tjetër atentat, por ai mundi që ta kalonte lehtë, pasi mori vetëm një plumb në këmbë. Pa kaluar viti sërish krimi godet në mes të qytetit, duke shkaktuar dy viktima dhe dy të tjerë të plagosur. Ka disa persona të dyshuar dhe hetimet janë përqendruar në rivalitetin mes dy bandave në këtë qytet, që aktivitetin e tyre kriminal mendohet se e kanë nisur që nga viti 1997. Ndonëse kreu i bandës së Lushnjës, Alfred Shkurti (Aldo Bare), ndodhet në qeli i dënuar me burgim të përjetshëm, disa nga anëtarët e kësaj bande e kanë vijuar aktivitetin e tyre të paligjshëm. Nga dosja hetimore që ka mbërritur disa vite më parë nga Italia ka të dhëna se Bare në bashkëpunim edhe me persona të tjerë mund të jetë përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërsa nuk përjashtohet mundësia që shënjestra kryesore të ketë qenë edhe Hoxha, pasi është i afërt me një prej personave që dyshohet se ishte pjesë aktive e Bandës së Lushnjës. Në Lushnjë janë regjistruar ndër vite disa ngjarje të rënda me të vrarë dhe plagosur, por mungesa e dënimit të autorëve ka bërë që anëtarë të bandave rivale herë pas here të tentojnë hakmarrjen, duke lënë pas viktima dhe terror te qytetarët.

Pas Elbasanit shfaqet edhe Lushnja

Konfliktet e armatosura mes bandash u shfaqën frikshëm një vit më parë në Elbasan. Nga atentatet e njëpasnjëshme mbetën të vrarë dhe ekzekutuar në mënyrë mafioze gjashtë persona. Policia dhe prokuroria ndonëse nisi hetimet nuk arriti të vërë në pranga përgjegjësit e këtyre ngjarjeve. Qyteti i Elbasanit sipas specialistëve të policisë dhe prokurorisë është një zonë problematike pasi veprojnë dy grupe të fuqishme kriminale, të përqendruar kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike. Opozita pak ditë më parë ka akuzuar dhëndrin e kryebashkiakut të Elbasanit si të lidhur me njërën prej grupeve të dyshuara për veprimtari të paligjshme. Pas Elbasanit ditën e djeshme një “erë të re” në përplasjen mes grupeve rivale e hapi edhe qyteti i Lushnjës. Edhe në këtë qytet ka të dhëna se veprojnë dy grupe me aktivitet të dyshimtë në fushën e narkotikëve. Gjithashtu, ata kontrollojnë edhe disa biznese dhe shpesh kur ka pasur përballje me drejtësinë kanë kaluar pa u dënuar. Në rastin e djeshëm në Lushnjë duket se ka dështuar edhe policia lokale, pasi dhjetëra efektivë ndodheshin pranë komisariatit jo shumë larg vendit të krimit, por nuk mundën të ndalonin autorët. Numri një i policisë së shtetit mbrëmjen e djeshme mblodhi drejtuesit lokalë të policisë dhe iu kërkoi analizë të hollësishme si rreth ngjarjes ashtu edhe për masat e marra nga afektivët. Kontrollet e shumta janë përqendruar më shumë në dalje të qytetit të Lushnjës deri në Berat, pranë zonës ku u gjet makina e djegur. Për të shmangur çdo incident të mundshëm dhe përplasjet me armë në postblloqet e policisë janë të pranishëm Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato RENEA.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat