“Verifikim parave të partive”. Kërkohet strukturë e posaçme

Shqipëria

“Verifikim parave të partive”. Kërkohet strukturë e posaçme

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 14:31
Workshopi “Sruktura e mbikëqyrjes së financimit të partive politike dhe të fushatave zgjedhore”

Financimi i partive është trajtuar deri më sot si një çështje e dorës së dytë gjatë debateve për reforma të rëndësishme mbi politikëbërjen. Por me reformën zgjedhore që kanë nisur partitë në Parlament kërkohet më shumë vëmendje për këtë çështje.

Siç tha kreu i zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Claus Neukirch, reforma duhet të përfshijë një strukturë të posaçme që të monitorojë financimin e politikës, e cila mbi të gjitha duhet të jetë efikase. 

“Kjo temë përkon me ngritjen e komisionit ad hoc për reformën zgjedhore dhe ne shpresojmë që ajo të ndikojë në punën e tij për të bërë disa ndryshime pozitive në procesin e reformës, sidomos për financimin e partive politike. Ne jemi mbledhur këtu për të dhënë mesazhin se është e nevojshme që aty të përfshihet edhe ngritja e një strukture të posaçme efikase për monitorimin e financimit të politikës”, deklaroi Neukirch. 

Sipas kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, transparenca e financave të partive në fushatë do të jetë një matës për cilësinë e reformës zgjedhore. 

“Tani, muratorët e reformës nuk mund ta konsiderojnë më kuadrin ligjor për financimin çështje të dorës së dytë. Tani është koha që lidershipi politik të tregojë shtetari dhe ta derklarojë reformën e financimit dhe transparencën e fondeve të shpenzimeve çështje prioritare. Transparenca është antidoti i korrupsionit zgjedhor, është matësi për cilësinë e zgjedhjeve, prandaj nuk është gabim të thuash se cilësia e reformës së ardhshme zgjedhore matësin e vetë e ka gjithashtu tek transparenca financiare dhe e shpenzimeve të fushatës”, deklaroi Zguri. 

Financimi i fushatës zinte një vend edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 25 qershorit, ku kërkohej më shumë transparencë, edhe pse kuadri ligjor thuhet se është përmirësuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat