Vasili vë Edi Ramën para "pasqyrës", tregon rastin kur gënjeu hapur

Shqipëria

Vasili vë Edi Ramën para "pasqyrës", tregon rastin kur gënjeu hapur

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 18:05
Petrit Vasili

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, e ka vënë kryeministrin Edi Rama përballë dy deklaratave në vite të ndryshme, që e nxjerrin atë në gënjeshtër sa i përket politikave ndaj biznesit të vogël në Shqipëri.

Vasili ka publikuar në rrjetin social Facebook, premtimin që Rama i bënte biznesit të vogël në vitin 2015 ku i konsideronte aleatë, dhe fjalët e tij në tetor të 2017-ës, kur deklaroi taksimin ndaj tyre.

“Kryeministri mik i oligarkëve dhe armik i bizneseve të mbijetesës.

Kryeministri në nëntor të vitit 2015, kur ja hiqte të gjitha detyrimet biznesit të vogël dhe e konsideronte ALEAT NË LUFTEN KUNDËR INFORMALITETIT, ja ç'thoshte:

"Rezultatin e parë të këtij operacioni jua dedikojmë juve. Nuk është se e kemi mirë arkën e shtetit, për të pasur mundësira të mëdha, por besoj se këto para duhet të shkojnë tek ju, tek të gjithë ata që vetëpunësohen. Me hyrjen në fuqi javët e ardhshme të këtij plani, ne i konsiderojmë bizneset e vogla aleatë në betejën kundër informalitetit për të bllokuar shkarkimin e paligjshëm të TVSH-së nga të mëdhenjtë"

Po ky kryeministër qesharak në tetor 2017 ja vë taksat biznesit e shndërron në ARMIK PUBLIK dhe ja ç'thotë:

"Ne duam që TVSH të mos përfundojë në xhepat e një grushti të pasurish. Mosdhënia dhe mosmarrja e faturës së TVSH-së është arsyeja pse i bëmë pjesë të skemës. Rezulton se ka disa biznese që deklarohen si të vegjël e qahen si të vegjël, por që nuk janë të tillë".

Oligarkët me shume sinqeritet u deklaruan të kënaqur me të dytën se telekomandën e kryeministrit e kanë ata.

Pavarësisht se gjithë europa ka fasha përjashtuese për TVSH-në për biznese të vogla, shkollëpaku në emër të oligarkisë e bëri sërish Shqipërinë fanar ndriçues në Europë për diskriminimin e biznesit të vogël”, shkruan Vasili.

Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama lajmëroi një nga ndryshimet më të rëndësishmet në paketën e re fiskale për vitin e ardhshëm ku edhe biznesi i vogël do të përfshihet në skemën e tatimit, mbi vlerën e shtuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat