Alibeaj: Mazhoranca i trembet debatit për zgjedhjet

Shqipëria

Alibeaj: Mazhoranca i trembet debatit për zgjedhjet

Më: 12 tetor 2017 Në ora: 22:04
Enkelejd Alibeaj

Enkelejd Alibeaj tha në Top Story se opozita ka në dorë vetëm fjalën dhe nuk po kërkon më shumë prej mazhorancës në Kuvend, por as nuk do të tolerojë më pak.

Sipas tij, sot Parlamenti është jofunksional, që po shkon në një spirale krize dhe për këtë fajësoi shumicën, që siç thotë Alibeaj, i trembet debatit për reformën zgjedhore.

“Debati për reformën zgjedhore është ajo që duhet të përballet Kryeministri, jo se ne nuk e duam reformën”, tha ai.

Alibeaj përmendi nenin 49 të rregullores së Kuvendit për të argumentuar qëndrimin e opozitës se përse Flamur Nokës i duhej dhënë fjala për procedurë. E njëjta gjë ndodhi edhe me Lulzim Bashën dy javë më parë, sipas deputetit demokrat.
 
“Noka ngriti dorën për procedurë dhe është vetëm dy minuta. E njëjta gjë ka ndodhur edhe dy javë më parë me zotin Basha”, deklaroi Alibeaj.

Por përse i trembet shumica debatit për reformën, sipas opozitës? 

“Debati do të tregojë lidhjet e pastra kriminale të Kryeministrit e të përdorura në zgjedhje. Kjo është e vërteta pse Kryeministri i shmanget debatit për reformën zgjedhore. I vetmi institucion që demaskon çfarë po ndodh në këtë vend është opozita”, u shpreh Alibeaj.

Deputeti demokrat paralajmëroi se në seancën e së premtes opozita nuk do të tolerojë dhe do të thotë, sipas tij, “të vërtetat me të gjitha format dhe mënyrat”. 

“Nesër do të çuditeni ju!”, deklaroi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat