Frika nga krimi, politikanët dhe biznesmenët pajisen me armë

Shqipëria

Frika nga krimi, politikanët dhe biznesmenët pajisen me armë

Më: 15 tetor 2017 Në ora: 08:00
Policia shqiptare

Qindra shqiptarë kanë aplikuar për t’u pajisur me armë zjarri gjatë dy viteve të fundit, ndërsa Policia e Shtetit ka pajisur me autorizim 301 persona për blerje dhe mbajtje të armëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka formuar zyrtarisht për Shqiptarja.com interesin në rritje të shqiptarëve për t’u pajisur me armë zjarri, kryesisht për shkaqe sigurie. Në grupin e personave të pajisur me autorizim për blerje dhe mbajtje të armëve të zjarrin, përpos kategorive të tjera, përfshihen zyrtarët dhe biznesmenët. Zyrtarë të nivele të ndryshme, të ekspozuar ndaj rrezikuar, kanë shfrytëzuar ligjin nr. 74/2014 “Për armët” për t’u pajisur me armë zjarri. Në grupin e zyrtarëve përfshihen prokurorë, gjyqtarë, deputetë, kryetarë bashkie, ish-kryetar komunash, policia pyjore, hetimi tatimor, përmbarues gjyqësor etj. Deri kur hyri në fuqi ligji i ri për armët, rezultonte se, 350 zyrtarë ishin pajisur me armë zjarri.

Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, Policia e Shtetit u kërkoi zyrtarëve dorëzimin e armëve, pasi ligji i 1992-shit, në bazë të të cilit ata ishin pajisur, u shfuqizua. Deri në prill të 2016, 168 zyrtarë nuk i kishin dorëzuar armët. Megjithatë, zyrtarët fituan të drejtë për t’u ripajisur me armë në bazë të nenit 26 pika 1, të ligjit të ri për armët, i cili parashikon që, kanë të drejtë të pajisen me autorizim për blerje arme zjarri, ata që, për shkak të veprimtarisë shtetërore ose të rrethanave personale të veçanta, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe u njihet e drejta e mbrojtjes së veçantë.

Në këtë kuadër, zyrtarët e interesuar pasi kanë dorëzuar armët në polici, kanë aplikuar edhe një herë për autorizim, duke blerë armë të reja.  Për biznesmenët dhe kategoritë e tjera shoqërore, neni 34 i ligjit për armët e zjarrit parashikon kriteret që duhet të plotësohen për t’u pajisur me autorizim për mbajtje të armës në banesë apo në lëvizje. Vetëm në dy vitet e fundit, 2015-2017, rezulton se ka pasur një numër të madh kërkesash për autorizim, por policia ka pajisur me autorizim vetëm 301 persona fizikë, të cilët kanë plotësuar kushtet e parashikuara në ligj dhe në aktet nënligjore.
Besueshmëria

Një ndër kushtet që duhet të plotësojë personi, i cili kërkon të pajiset me armë zjarri në banesë apo në lëvizje është besueshmëria. Me besueshmëri nënkuptohet që të mos jetë përdorues i lëndëve narkotike e psikotrope, të mos ketë qenë i evidentuar për raste të rezistencës me dhunë ndaj punonjësve të policisë, nëpunësit shtetëror ose për veprat penale të dhunës në familje, të mos jetë i evidentuar për çështje me objekt të gjakmarrjes dhe hasmërisë. Sektori për Krimet në komisariatin përkatës verifikon besueshmerinë, kërkon informacion nga kartoteka kriminale dhe më pas përgatit vërtetimin e besueshmërisë. Vërtetimi përgatitet nga Specialisti për Krimet dhe nënshkruhet nga shefi i Seksionit për Krimet.

Vlerësimi i rrezikut

Një ndër kushtet themelore për t’u pajisur me armë është një rrezik real për persona për shkak të aktivitetit shtetëror si dhe për persona për shkak të rrethanave personale të veçanta. Për vlerësimin e rrezikut Policia e Shtetit ka ngritur një komision. Rrethanat personale të veçanta përfshijnë rrethanat që krijohen si rezultat i ekzistencës reale të kërcënimit për jetën, për persona që ndihmojnë policinë apo struktura të tjera shtetërore, në lidhje me identifikimin e veprave penale, autorëve të tyre si dhe sigurimin e provave të tjera. Gjithashtu, rrethanat që krijohen për shkak të aktivitetit shtetëror që ka pasur ose ka personi që kërcënohet si dhe rrethanat që krijohen si rezultat i kallëzimeve për vepra penale në një mjedis ku reagimi për këtë veprim është kërcënues për jetën e kallëzuesit.

Autorizimi

Qindra shqiptarë kanë aplikuar për t’u pajisur me armë zjarri gjatë dy viteve të fundit, ndërsa Policia e Shtetit ka pajisur 301 persona me autorizim për blerje dhe mbajtje të armëve të zjarrit.

Zyrtarët

Në grupi i zyrtarëve përfshihen prokurorë, gjyqtarë, deputetë, kryetarë bashkie, ish-kryetar komunash, policia pyjore, hetimi tatimor, përmbarues gjyqësor etj. Deri kur hyri në fuqi ligji i ri për armët, rezultonte se 350 zyrtarë ishin pajisur me armë zjarri.

Kush mund të pajiset me armë

1. Ata që vërtetojnë qenien e tyre si koleksionistë.

2. Ata që u njihet e drejta e mbajtjes së armës me ligj të veçantë.

3. Ata që plotësojnë kriteret për pajisjen me autorizim.

4. Ata që, për shkak të veprimtarisë shtetërore ose të rrethanave personale të veçanta, janë të ekspozuar ndaj rrezikut për jetën dhe u njihet e drejta e mbrojtjes së veçantë, sipas legjislacionit në fuqi.

Kriteret për t’u pajisur me autorizim

1. Të jetë shtetas shqiptar;

2. Të ketë mbushur moshën 25 vjeç;

3. Të mos ketë qenë i dënuar më parë me vendim të formës së prerë për vepra penale të kryera me dashje;

4. Të mos ketë qenë i evidentuar për raste të kundërshtimit me dhunë ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, nëpunësit publik ose për veprat penale të dhunës në familje, për çështje me objekt të hakmarrjes ose gjakmarrjes;

5. Të jetë i aftë nga ana fizike e mendore, si dhe të mos jetë përdorues i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope, të vërtetuara këto me raportin mjekësor përkatës;

6. Të zotërojë dëshminë për kryerjen e kursit të aftësimit teorik dhe praktik për përdorimin e armës;

7. Të mos jetë debitor në shlyerjen e gjobave për kundërvajtjet administrative të parashikuara sipas këtij ligji;

8. Të gëzojë besueshmëri, në kuptim të këtij ligji.

Dy mesazhe nga politika

Sali Berisha

“Unë kam një kërkesë sot për shqiptar ët, u bëj thirrje për sigurinë e tyre të armatosen, të sigurojnë armë për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre sepse nuk kanë asnjë siguri. Ju bëj thirrje të armatosen. Nëse ju si organizatë kriminale mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët ju garantoj se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm tua kthejnë ju me të gjitha mjetet dhe të mos gjeni vrimë miu ku të futeni. Të armatosen se armatosen amerikanët, të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë veten e tyre. Të sjellim ligjin, tu japim të drejtë qytetarëve të mbajnë armë. Me këtë organizatë kriminale nuk ka rend, nuk ka qetësi. Këta këtu që hidhen sigurisht hidhen se janë të lidhur me bandat, sigurinë ua japin bandat me uniformë dhe pa uniformë”.

Ilir Meta

“I gjithë populli do të armatoset po nuk i lidhi policia ata zagarë. Ja po ta them unë dhe do ta armatos unë popullin po nuk i lidhi policia ata. Populli i Lezhës ka të drejtë t’u thotë banditëve, të cilët duan të dhunojnë dhe t’i thotë edhe Policisë së Shtetit nëse është Policia e Shtetit, që të veprojë. Të gjithë i dinë kush janë këta persona. Ja kam thënë ministrit, drejtorit të Policisë i di edhe shefi i komisariati që ka ardhur që t’i mbrojë, pasi një i afërm i tij kandidon për Rilindjen. Shpresoj që të mos i bëj thirrje popullit të Lezhës që të dalë para komisariatit të Lezhës dhe të merret me shefin e policisë së Lezhës”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat