Kush i "hapi rrugën" autorëve të masakrës në Lushnje, vrasësi me radio polici

Shqipëria

Kush i "hapi rrugën" autorëve të masakrës në Lushnje, vrasësi me radio polici

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 08:24
Lushnje

Ekzekutorët e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit në Lushnjë, dyshohet të jenë favorizuar nga policia. Këto dyshime të forta janë ngritur disa ditë pas masakrës së rëndë ku dy të rinj mbetën të vrarë dhe dy u plagosën, pasi vrasësit janë larguar të qetë nga vendi i ngjarjes.

Masakra ndodhi shumë pranë komisariatit të Policisë Lushnjë, por veprimi i tyre nuk ishte aspak i shpejtë edhe pse kanë patur mundësinë. Sipas burimeve nga policia, disa efektivë të policisë po mbahen në mbikëqyrje për këtë ngjarje, pasi dyshohet se ata u kanë “hapur rrugën” autorëve. Këta të fundit, pasi kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi trupat e Jurgenit dhe Zamirit, u larguan në dalje të qytetit. Edhe pse disa policë shkuan brenda disa minutave në vendin e ngjarjes nuk vepruan ndaj autorëve, por i kanë lë- në ata të largohen pa asnjë pengesë.

Burimet thonë se, ky është favorizim nga ana e punonjësve të policisë pasi nuk vepruan në kohë edhe pse kishin mundësi të shumta. Për këtë fakt, dy ditë më parë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafa, bëri një takim në Policinë e Lushnjës, ku dyshohet të ketë pasur kritika dhe paralajmërime për largime ndaj policëve. Motivi dyshohet të jetë favorizimi i krijuar tek autorët e masakrës së të mërkurës së kaluar. Ndërkohë, këto dyshime përforcohen edhe më shumë. Dëshmitarët në vendngjarje u kanë thënë policisë se, kishin shquar se atentatorët ishin Laert Haxhiu dhe Oreges Bilbili. Ndërsa drejtuesi i automjetit tip “Mercedes Benz” që largoi nga vendi i krimit vrasësit, mbante në dorë një radio-marrës, si ato të policisë. Ky person vijon ende të mos jetë zbuluar nga uniformat blu, por nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes edhe shumë njerëzve të tjerë në atë ngjarje kriminale që tronditi të gjithë qytetin.

Sipas informacioneve të marra nga uniformat blu, dyshohet se drejtuesi i mjetit informohej për veprimet e policisë momentin kur ekzekutorët zbraznin karikatorët mbi trupat e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit. Megjithëse, për të vërtetuar këtë fat thonë burimet, janë marrë të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë, për të shquar më tepër personin që qëndronte në timonin e “benzit”. 

Largimi i autorëve 

Ndërkohë, pak pas masakrës së ndodhur më 11 tetor, autorët e kishin menduar mirë se si do të largoheshin nga vendi i ngjarjes dhe t’i shpëtonin ndjekjes së policisë. Ata dogjën automjetin e tyre në rrugën Lushnje-Berat, në Hetimet fshatin e quajtur Çukas i Vjetër, ndërsa në të u gjetën dhe tre kallashnikovët. Ndërkohë, burimet thonë që autorët nuk e kanë zgjedhur rastësisht atë vend për të ndërruar makinë dhe për t’u larguar në drejtim të paditur. Sipas policisë, autorët kanë patur mundësi të largoheshin pa problem në tre rrugë të ndryshme.

Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili që kishin rolin e ekzekutorëve, kanë patur mundësi të largoheshin nga rruga nacionale që të çon për në Berat. E dyta, ata mund të iknin nga fshati Toshkëz, drejt Krutjes së Poshtme e më pas humb ndjekja, pasi ka shumë degëzime rrugësh. Pistë e cila po monitorohet imtësisht nga uniformat blu është nga fshati Kosovë e Vogël drejt Çërragës, rrugë që lidhet me zonën e Dumresë që shkon në Belësh, e përfundon në Cërrik. Në të gjitha këto zona thonë burimet, janë mbledhur pamjet filmike në disa kamera sigurie që kanë patur biznese private dhe po shihen me kujdes për të gjetur ndonjë gjurmë nga drejtimi i largimit të autorëve të masakrës së 11 tetorit. Ndërkohë, në bazë të hetimeve të kryera nga Policia e Lushnjës, 10 minuta para se të ndodhte vrasja e dyfishtë, viktimat ishin takuar së bashku me disa persona të tjerë jashtë ambienteve të lokalit.

Bashkë me grupin ishte edhe Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, por pak momente para krimit ky i fundit kishte lëvizur për të shkuar tek berberi. Dyshimet kryesore janë se dy atentatorët Haxhiu dhe Bilbili, dikush mund t’i ketë njoftuar për vendndodhjen e kundërshtarëve dhe praninë e tyre në kafenenë në lagjen “Loni Dhamo”. Laert Haxhiu, fillimisht ka qëlluar në drejtim të tavolinës ku po qëndronin viktimat Latifi e Hoxha dhe i plagosuri Xhepaxhiu. Pasi i qëllon me breshëri automatiku dy të rinjtë, trupat e të cilëve u gjendën shumë pranë një automjeti tip “Fiat Punto” në pronësi të Xhulio Shkurtit, Haxhiu futet brenda lokalit. Ky ka qenë momenti ku shumë dëshmitarë okularë, kanë shquar autorin e dyshuar të kësaj masakre, si Laert Haxhiu. 25-vjeçari, duke menduar se brenda lokalit gjenden pjesëtarët e tjerë të grupit, nxiton drejt tij. Laert Haxhiu së bashku me mikun e tij Orges Bilbili kanë hyrë brenda lokalit, mesa duket me qëllimin për të vrarë Xhulio Shkurtin e Saimir Xhelilin.

Hetimet

Grupi hetimor vijon hetimet për masakrën e ndodhur pasditen e së mërkurës së kaluar në qytetin e Lushnjës. Burime nga policia bëjnë të ditur se hetimet vazhdojnë për të bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të tretë që ka marrë pjesë në këtë ngjarje. Personi i tretë dhe ende i paidentifikuar nga policia, mendohet të jetë shoferi i makinës, ndërsa Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili janë ekzekutorët. Ndërkohë, policia ka shoqëruar disa persona, në mesin e të cilëve ka qenë edhe Julian Sula, emër i njohur për blutë e Lushnjës, pasi ka qenë disa herë i dënuar për krime të ndryshme. Megjithatë, ndaj tij nuk ka asnjë të dhënë konkrete se ai mund të ketë qenë personi i tretë që marrin pjesë në ekzekutimin e Jurgen Hoxhës dhe Zamir Latifit. Rreth 30 persona të tjerë, shumica dëshmitarë okularë të ngjarjes, janë pyetur në polici. Dëshmitë e tyre kanë bërë të mundur edhe zbardhjen e plotë të masakrës së ndodhur në mes të qytetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat