Ulen kreditë e këqija, 340 mln USD më pak në një vit

Shqipëria

Ulen kreditë e këqija, 340 mln USD më pak në një vit

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 18:38
Ilustrim

Kreditë e këqija në bankat shqiptare janë ulur me 340 milionë dollarë në harkun kohor të një viti.

Të dhënat zyrtare nga Shoqata e Bankave tregojnë se huatë me probleme ranë sërish në gusht, duke arritur në 15.1 për qind të totalit, nga 21.4 për qind që ishin në gushtin e vitit të kaluar.

E përkthyer në vlerë, kjo do të thotë se aktualisht kreditë e këqija në banka llogariten në 820 milionë dollarë amerikanë, nga 1 miliardë e 160 milionë dollarë që ishin në të njëjtën periudhë të 2016-s.

Të dhënat tregojnë se që nga tetori i vitit të kaluar, kreditë e këqija janë ulur në mënyrë të vazhdueshme. Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia është rezultat kryesisht i dy faktorëve: fshirjeve dhe ristrukturimit.

Përmes fshirjes, bankat nxjerrin jashtë bilancit kreditë që kanë më shumë se 3 vite që nuk kthehen, një kërkesë ligjore kjo e diktuar nga Banka e Shqipërisë.

Por, veç huave të vjetra, një pjesë e bankave janë duke fshirë edhe kreditë problematike më të reja sesa 3 vite, nëse debitorët pranojnë të paguajnë një pjesë të borxhit. Shuma e paguar rakordohet në marrëveshje dypalëshe mes bankës dhe debitorit.

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se kjo metodë ka rezultuar efikase në uljen e portofolit të kredive me probleme, ndërkohë që paralelisht vazhdojnë dhe ristrukturimet. Ky i fundit është një proces ku banka pranon të zgjasë afatin e shlyerjes së borxhit për kredimarrësin, si dhe të ulë normën e interesit duke e lehtësuar atë nga pagesat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat