Viti i ri akademik, Kokëdhima: Qeveria e tutkunëve nuk i do të diturit dhe të shkolluarit

Shqipëria

Viti i ri akademik, Kokëdhima: Qeveria e tutkunëve nuk i do të diturit dhe të shkolluarit

Më: 16 tetor 2017 Në ora: 19:30
Koço Kokëdhima

ZGJIDHJA uroi studentët dhe pedagogët për vitin e ri akademik dhe akuzoi qeverinë se nuk u gjen mundësi punësimi studentëve, por vetëm injorantëve dhe servilëve. Në një reagim në Facebook, partia e drejtuar nga Koço Kokëdhima, deklaroi se kjo është arsyeja pse shumë prej të rinjve që janë diplomuar ose bëjnë punë të rëndomta, jashtë shkollimit të tyre, ose kanë ikur nga sytë këmbët për të mos u shkuar dëm dijet dhe vitet e bukura të rinisë në një vend që përzë bijtë më të mirë të saj, ndërsa qeveria ka shkatërruar universitetin shtetëror për qëllimet klienteliste të privatëve.

Statusi në Facebook

Sot u hapën dyert e universiteteve

Mbi 145 mijë studentë, nga të cilët rreth 22 mijë të rinj, nisën sot vitin e ri akademik 2017-2018. ZGJIDHJA përfiton nga ky rast që t’u urojë atyre dhe trupës pedagogjike një vit të mbarë e të suksesshëm. Arsimi i lartë, si shumë sektorë të tjerë të jetës ekonomike dhe sociale, është, për fat të keq, në ditët më të zeza të historisë së tij, gati 80-vjeçare.
Mijëra të rinj, janë të privuar për të ndjekur shkollën e lartë. Reforma klienteliste në arsim, e propaganduar aq shumë nga Rilindja, e ka bërë të pamundur ndjekjen e shkollës së lartë për shtresat e varfëra. Shumica e studentëve të rinj, kanë zgjedhur të studiojnë në universitetin publik, të goditur aq ashpër nga një kompani e ashtuquajtur britanike, që u vë “yjet” e akreditimit universiteteve shqiptare, sipas dëshirave të klientelës së Rilindjes.
Qeveria e tutkunëve nuk i do të diturit dhe të shkolluarit. Ajo u përulet vetëm injorantëve dhe servilëve të pushtetit. Kjo është arsyeja pse shumë prej të rinjve që janë diplomuar ose bëjnë punë të rëndomta, jashtë shkollimit të tyre, ose kanë ikur nga sytë këmbët për të mos u shkuar dëm dijet dhe vitet e bukura të rinisë në një vend që përzë bijtë më të mirë të saj. Kjo është arsyeja pse mijëra prindër kanë vendosur që për hir të shkollimit dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre, të kërkojnë azilin dhe qëndrimin illegal në vendet e Europës Perëndimore.
ZGJIDHJA është në krah të studentëve dhe prindërve të tyre. Ajo u bën thirrje që të mos ligështohen dhe të mos e humbin shpresën se ky vend do të bëhet një ditë. ZGJIDHJA do të jetë në krye të lëvizjes per për reformimin e arsimit dhe për përmbysjen e oligarkisë që ka kapur gjithçka në këtë vend, duke lënë mes katër rrugëve bijtë më të mirë të Shqipërisë. Ajo do bëjë të mundur që siç kanë thënë rilindasit “Drit’ e diturisë përpara të na shpjerë”..

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat