Shqipëria para skandalit, Basha: Sot është dita që të arrestohet Saimir Tahiri, provat e krimit janë në tavolinën e Ramës

Shqipëria

Shqipëria para skandalit, Basha: Sot është dita që të arrestohet Saimir Tahiri, provat e krimit janë në tavolinën e Ramës

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 09:21
Lulzim Basha

Në një konferencë të pazakontë në orët e para të mëngjesit, kreu i PD-së Lulzim Basha tha se Shqipëria ndodhet para shpërthimit të një skandali me përmasa historike për lidhjet e krimit të organizuar me qeverinë, ndërsa i kërkoi Kryeministrit arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Një ditë pas arrestimit të Moisi Habilajt nga autoritetet italiane, kryetari i opozitës Lulzim Basha, i ka drejtuar një  kërkesë të fortë kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar arrestimin e ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Basha tha se provat qe e impklikojnë Tahirin si kreun e trafikut të drogës në vend janë në tavolinë,  të siguruara sipas tij nga partnerët ndërkombëtarë.

Shqipëria sipas kreut të opozitës, ndodhet para shpërthimit të një skandali të madh për krimin e  organizuar dhe lidhjet e tij me qeverinë aktuale. Ai kishte një thirrje për qytetarët.

“Së bashku të ngrihemi dhe kërkojmë të drejtën tonë legjitime për të mos u qeverisur as nga bandat, as nga Ministrat dhe Kryeministri i bërë njësh me to. Është ora e vendimeve të mëdha”.

Janë 1400 deklarata të Partisë Demokratike në 4 vitet e shkuara, që sipas Bashës faktonin lidhjen e Saimir Tahirit  në trafikun  drogës me  Habilajt në Vlorë, por sipas tij kryeministri Edi Rama e mbrojti atë me qëllim përdorimin e parave të pista dhe bandave në fushatë.

Moisi Habilaj, u arrestua si kreu i bandës italo-shqiptare e cila merrej me trafikimin e marijuanës dhe të armëve nga Shqipëria drejt Italisë, ndërsa Partia Demokratike e akuzon si kushëri të ish-Ministrit Tahiri.

Deklarata e plotë e Bashës: Shqipëria prag skandali, krimi i lidhur me politikën

Shqipëria ndodhet para shpërthimit të një skandali me përmasa historike sa i përket krimit të organizuar shqiptar dhe lidhjet e këtij krimi me qeveritarët e sotëm. Ditën e djeshme pas muajsh dhe vite pune, policia italiane arrestoi Moisi Habilaj, kren e bandave më të rrezikshme dhe më të fuqishme të trafikut të drogës midis Shqipërisë dhe Italisë. Moisi Habilaj njihet gjithashtu si kushëriri i Saimir Tahirit, për katër vite Ministri i Brendshëm i Shqipërisë. Katër vite me rradhë PD ka denoncuar mbi 1400 herë lidhjet e Saimir Tahirit me narkotrafikun përmes bandës së Habilajve. Mbi 1400 herë Edi Rama e ka marrë në mbrojtje Saimir Tahirin dhe ka refuzuar të ndërmarrë hapat politikë dhe ligjorë edhe atëherë kur lidhja e Saimir Tahirit u provua siç ishte rasti i dëshmisë së Dritan Zaganit, kreut të Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së qarkut Fier, i cili denoncoi se banda e Habilajve përdorte mes të tjerave automjetin personal të Saimir Tahirit, Audin e famshëm, taksinë e drogës me imunitet Ministror.

Prej 24 orësh Edi Rama hesh, prej 24 orësh në emër të opozitës i kam bërë pyetjen: Çfarë do të thuash tani që Moisi Habilaj ndodhet nën pranga dhe i akuzuar si kreu i një prej bandave kryesore të narkotrafikut? Partnerët strategjikë prej vitesh e prej muajsh i kanë vënë Edi Ramës në dispozicion materiale të pakundërshtueshme të cilat faktojnë jo vetëm lidhjen por rolin e Saimir Tahirit si Ministër i Brendshëm në trafikun e drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Edi Rama ka refuzuar të ndërmarrë çdo lloj veprimi, përkundrazi e ka mbrojtur Ministrin e tij të Brendshëm dhe në qeverisjen e tij të dytë e ka graduar kordinator kombëtar për bashkëqeverisjen me qytetarët.

Ne e dimë që është çështje orësh apo ditësh para se faktet e vëna në dispozicion autoriteteve shqiptare për lidhjen e Saimir Tahirit dhe përgjegjësitë e tij direkte në mbrojtjen dhe promovimin e trafikut të drogës përmes bandës Habilaj do të bëhen publike. E dimë se prej kohësh ato janë në dispozicion të Edi Ramës.

Pyetja që sot shtroj në emër të opozitës dhe çdo shqiptari të djathtë dhe të majtë është se çfarë pret Edi Rama ti vërë prangat, të arrestojë dhe ta ekstradojë në mos ta gjykojë këtu në Shqipëri Saimir Tahirin si një ndër kapitenët kryesorë të trafikut të drogës në katër vitet e kaluara?

Nuk pres përgjigje prej Edi Ramës, e ka mbrojtur Saimir Tahirin këto katër vite edhe pse e ka ditur se ai është mbrojtës, përfitues i drejtëpërdrejtë i trafikut të drogës përmes bandës Habilaj dhe bandave të tjera të krimit të organizuar. Edi Rama e ka bërë këtë me vetëdije të plotë sepse paratë e drogës dhe muskuli kriminal i bandave kriminale është përdorur nga Edi Rama bashkë me Saimir Tahirin gjatë zgjedhjeve të 2015, e në veçanti gjatë zgjedhjeve të 2017.

Sot jo vetëm Shqipëria apo Italia por Europa dhe gjithë bota kanë korpus delikt, faktet e pakundërshtueshme të lidhjes së Edi Ramës dhe Saimit Tahirit me botën e errët të narkobandave shqiptare. Jemi para vendimeve të rëndësishme. Shqiptarët kanë dy rrugë: Të ulin kokën dhe të pranojnë realitetin malinj që u imponohet çdo ditë në rrugët dhe sheshet e qyteteve tona nga bandat që përdorin kallash dhe tritol për të larë hesapet me njëri-tjetrin pavarësisht prej numrit të viktimave të pafajshëm dhe fëmijëve që ndodhen në këto rrugë dhe sheshe të qyteteve dhe fshatrave tona. Ose së bashku të ngrihemi dhe kërkojmë të drejtën tonë legjitime për të mos u qeverisur as nga bandat, as nga Ministrat dhe Kryeministri i bërë njësh me to. Është ora e vendimeve të mëdha.

Por sot është dita që Saimri Tahiri të arrestohet dhe procesi gjyqësor ndaj tij të nisë pa voinesë. Faktet janë publike, provat janë në tavolinën e Edi Ramës dhe me siguri do bëhen publike në orët apo ditët në vijim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat