Doni t’i shpëtoni taksave kur blini online? Zgjidhjen për shqiptarët e sjell... Kina!

Shqipëria

Doni t’i shpëtoni taksave kur blini online? Zgjidhjen për shqiptarët e sjell... Kina!

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 10:10
Ilustrim

Vendosja e një takse 22.4% mbi çmimin e produktit, nga ana e Ministrisë së Financave, për blerjet online, po penalizon vetëm ata që blinin në faqet europiane.

Pjesa tjetër që shumicën e kohës blejnë nga Kina duket se i kanë shpëtuar kësaj mase.

Uebsajti më i madh për blerjet online nga Kina, Aliexpress, ka të regjistruar me qindra mijë shitës dhe blerës dhe duket se shumë prej tyre kanë gjetur mënyrën, që të parëve të mos iu bien shitjet dhe të dytët të mos taksohen nga shtetet e tyre, përmes ‘manipulimit’ të faturave.

Shitësit në faqet e tyre shkruajnë qartë se janë të gatshëm për të paraqitur në faturë vlerën që kërkon blerësi për produktin, që do të thotë një vlerë poshtë kufirit të taksueshëm. Ky kufi për Shqipërinë është 22 euro, çka do të thotë se çdo shitës do shënojë vlerën respektive të konvertuar në dollarë, por që është nën 22 euro.

Shembulli për faturat

Konkretisht nëse ti kërkon të blesh një tablet që varion nga 83 në 100 dollarë, sipas aksesorëve shtesë që kërkon t’i shtosh, shitësi të bën të qartë se: Nëse ne postojmë nga Kina, do të shkruajmë një vlerë më të ulët në faturën tregtare që t’ju shpëtojmë nga taksat.

Pra tabletin mund ta blini 100 USD, por në faturë ai do të shënohet nga 1-23 USD që i korrespondon vlerës më pak se 22 euro të vendosur nga qeveria si kufiri kur fillon taksimi. Nëse nuk do të manipulohej kjo faturë, atëherë qytetari do të paguante veç vlerës 100 USD për tabletin edhe një vlerë tjetër plus prej 22.4 USD si taksë për blerjet online duke e çuar koston totale në 122.4 USD.

Por këtë truk të regjistrimit në faturë të një vlere të ndryshme nga ajo e shitjes për t’i shpëtuar taksave, Kina nuk e ofron vetëm për Shqipërinë, por për cilindo blerës nga një vend i ndryshëm i botës ku mundësohet transporti dhe ku ka taksim për blerjet online që kalojnë një çmim të caktuar të vendosur si çmim tavan nga qeveria.

Taksa për blerjet online

Vendimi i qeverisë për taksimin e blerjeve online me mbi 22 euro hyri në fuqi në gusht 2016. Në të parashikohej se edhe për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë, taksimi fillon nga kufiri 22 euro.

Më parë, dërgesat online deri në 145 euro nuk kishin nevojë për zhdoganim dhe posta e sillte mallin direkt në shtëpi.

Kjo taksë vlerësohet të ketë ulur ndjeshëm blerjet online. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se në 5-mujorin janar-maj 2017 u transportuan 182 tonë mallra me postë, me një rënie prej 12.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat