Shullazi - Konit : A isha unë në makinë? Jo! Po mirë, pse u ndjeve i kërcënuar ti?!

Shqipëria

Shullazi - Konit : A isha unë në makinë? Jo! Po mirë, pse u ndjeve i kërcënuar ti?!

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 11:20
Emiljano Shullazi

Në gjyqin që vijon ndaj Emiljano Shullazit të akuzuar për një sërë veprash penale mes të cilave edhe për gjobvënie, dëshmoi rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Koni është përballur në seancë me vetë Shullazin në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku gjatë dëshmisë ka pasur edhe një bisedë me të. Ashtu sic ka ndodhur edhe me dëshmitarë të tjerë me poste zyrtare që janë thirrur në këtë gjyq, edhe Koni nuk e ka përmendur fare emrin e Emiljano Shullazit, si personin që 2016-ën e kërcënoi për të mos garuar në garën e rektorit. 

Koni është shprehur se gjatë kohës kur kandidonte për Rektor, e ka ndaluar një automjeti i zi dhe personat që ndodheshin brenda saj e kishin ftuar të futej brenda. Sipas tij, ata i kanë kërkuar të tërhiqej nga gara.

Mynyr Koni tha nga errësira nuk ka mundur të dallojë qartë nëse ishte apo jo Shullazi personi që e kërcënoi.

Sot në gjyq, Shullazi i ka bërë pyetje Konit, duke i thënë nëse ishte ai personi që e kanosi.

“Më thërritën nga një makinë e zezë dhe më thanë që të futesha brenda në makinë. U futa brenda, aty më kërkuar që të hiqja dorë nga gara për Rektor. Më pas, sapo dola, mora në telefon Dhori Kulen dhe e njoftova për gjithë sa më kishte ndodhur”, u shpreh rektori i UT-së.

“A isha unë mes atyre që të thërritën në makinë?”, - e pyet Shullazi.

“Ishte shumë errësirë, nuk kujtoj gjë”, u përgjigj Koni.

“Po mirë, pse u ndjeve i kërcënuar ti, unë i them 100 herë drejtorit të burgut të japë dorëheqjen, ai nuk ndihet i kërcënuar”, vijoi Shullazi.

Te Gjykata e Krimeve të Rënda ka qenë dhe ministrja e Arsimit Lindita Nikolla si dhe drejtori i Policisë së Tiranës Ervin Hodaj. I vetmi që ka deklaruar publikisht emrin e Emiljano Shullazit të përfshirë pas kësaj historie kërcënimi, është ish-kryeministri Sali Berisha që e bëri të ditur këtë pretendim në një status në Facebook pas denoncimit që i vijnë nga qytetarët. Nga ky status ka marrë dijeni për ngjarjen edhe ish- ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, i cili gjithashtu ka dëshmuar në gjyq duke thënë se gjithçka e mësoi nga Facebook-u i Berishës. Ndërkohë për të dëshmuar në gjyq, Emiljano Shullazi ka kërkuar edhe praninë e Sali Berishës, tashmë vetëm deputet i Partisë Demokratike. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat