Armët me leje, kriteret minimale ngrejnë pikëpyetje mbi sigurinë?!

Shqipëria

Armët me leje, kriteret minimale ngrejnë pikëpyetje mbi sigurinë?!

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 15:59
Ilustrim

Policia e Shtetit lëshoi 315 leje për mbajtje armësh gjatë 10 muajve të fundit, por rasti i ndalimit të një biznesmeni me licensë në shoqërinë e një personi me precedentë penalë dhe lehtësirat e krijuara nga ligji kanë shtuar sipas ekspertëve rrezikun e pajisjes me armë edhe të personave me prirje kriminale.

Pesë ditë pasi kishte fituar të drejtën e mbajtjes së armës me leje, Genti Nderjaku u arrestua nga policia e Durrësit ndërsa në ishte në shoqërinë e Marjel Fierzës-person me precedentë të mëparshëm penalë. Gjatë kontrollit të policisë në datën 3 tetor, Nderjakut iu gjet me vete pistoleta “Glock”, por verifikimet e mëtejshme zbuluan se biznesmeni durrsak ishte pajisur me një leje për mbajtjen e armës kundrejt tarifës prej 12 mijë lekësh, ç’ka solli më pas edhe lirimin e tij nga ana e gjykatës.

Autorizimi ishte firmosur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe lejonte Nderjakun të blinte një armë zjarri të kategorisë “B” të kalibrit 7.62 deri në 9 mm dhe 50 fishekë, për ta mbajtur në shtëpi ose biznes.

Dosja e policisë së Durrësit për pajisjen e këtij personi me armë me leje është e pastër dhe se për Nderjakun, të gjitha informacionet e mbledhura rezultonin pozitive. Drejtori i Policisë së Durrësit, Alfred Çepe i tha BIRN se gjatë procedurave të kryera “nuk janë identifikuar të dhëna se ky individ ekspozohet dhe ka shoqëri me persona, që konsiderohen si kontigjent kriminal”.

Megjithatë, kontrolli rutinë i policisë së Durrësit e gjeti Nderjakun në shoqërinë e Marjel Fjerzës, i cili rezulton i dënuar më parë për tentativë vrasjeje. Fjerza po ashtu ishte dënuar me 15 vjet për vrasje nga Gjykata e Rrethit Durrës, por vendimi ishte rrëzuar në Apel. Policia thotë se ndaj tij janë kryer të paktën dy atentate.

Arrestimi i Nderjakut bashkë me Fjerzën  u pasua me debat publik dhe dyshime mbi mënyrat se si pajisen me armë me leje nga policia, personat civilë dhe verifikimet që bëhen në këto raste.

Ligji i vitit 2014 “për Armët”, veç disa procedurave dhe pajisjes me një raport mjekësor dhe një dosje pa precedentë në polici, nuk ka kufizime të mëdha mbi personat që mund të mbajnë armë. Ligji sanksionon se mosha minimale duhet të jetë 25-vjeç, ndërsa përpos kësaj ka dhe një tarifë financiare prej 12 mijë lekësh, ndërkohë që për armët e gjahut dhe për shoqëritë private të policisë është vetëm 2400 lekë.

Veç rastit të Nderjakut, BIRN mësoi se nga Policia e Shtetit gjatë 10 mujorit të vitit 2017 janë lëshuar 315 autorizime për të mbajtur armë me leje në shtëpi ose në ambientet e biznesit, dhe jo në rrugët e qyteteve.

Sipas policisë, autorizimetnë më të shumtën e rasteve janë dhënë për kategorinë e zyrtarëve si deputetë, prokurorë, gjyqtarë, avokatë, kryetarë bashkie dhe përmbarues gjyqësorë, ndërsa pjesa tjetër janë biznesmenë apo persona të thjeshtë.

Ndonëse numri nuk është i vogël, armët me leje nuk janë konsideruar më parë problem nga Policia e Shtetit, e cila është përfshirë prej vitesh në fushata për mbledhjen e armëve të paligjshme apo në ashpërsimin e vazhdueshëm të Kodit Penal për këtë vepër penale.

Megjithatë, ish-zyrtarë të policisë ngrenë alarmin se ndryshimet në ligjin “Për Armët” e kanë bërë më të lehtë pajisjen me leje për armë të personave me prirje kriminale.

Arjan Hoxha, ish-funksionar policie i nxjerrë në lirim sugjeron që ligji ka nevojë të ndryshohet në mënyrë që të mos u lejojë personave fizikë mbajtjen e armëve të zjarrit, por vetëm të armëve të gjuetisë.

“Në gjykimin tim si jurist, por edhe si person që kam shërbyer gjatë në Policinë e Shtetit, ligji bën lëshime për personat që duan të pajisen me armë me leje dhe për pasojë, sjell dhe pajisjen me armë nga vetë shteti të personave që kanë prirje kriminale,” tha Hoxha.

Pas publikimit të rastit të Ndernjakut,Policia e Shtetit i tha BIRN se kanë filluar verifikimet e lejeve që janë lëshuar dhe po ashtu edhe po mbledh të dhëna për mbajtësit me leje të armëve. Në fakt ligji “Për Armët” i miratuar në vitin 2014 e ngarkon këtë të fundit që të mbledhë informacion të përhershëm për personat të cilëve u është dhënë leje për armëmbajtje.

Policia e Shtetit i tha BIRN se para këtij rasti ishin revokuar vetëm dy leje nga 315 të lëshuara, ndërsa pritej edhe revokimi i lejes së Nderjakut. Megjithatë,Policia e Shetit pretendon se verifikimet për personat e pajisur me leje për armë janë periodike.

Megjithë arrestimin e bujshëm, Ndernjaku nuk rrezikon ndonjë ndëshkim të ashpër përpos revokimit të lejes, procedurat për të cilën sipas policisë kanë filluar. Policia dhe prokuroria e Durrësit ngritën akuzën e “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake” për tëdy ndaluarit, por gjykata e këtij qyteti urdhëroi lirimin nga qelia të Nderjakut, pasi avokati i tij paraqiti para gjykatës autorizimin e 28 prillit 2017 që bënte fjalë për blerjen e armës së zjarrit.

Një prokuror i Durrësit i tha BIRN se për këtë rast mund të ketë ndëshkim administrativ, por jo penal.

“Në të tilla ngjarje,mund të aplikohen masa që konsistojnë në ndëshkime administrative dhe jo masa ekstreme të lënies në burg të personit. Sapo policia konstaton shkeljen,sekuestron armën dhe menjëherë vendos revokimin e lejes së armës dhe e targeton personin si individ që nuk duhet të përfitojë më armë me leje,” tha prokurori në kushtet e anonimatit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat